Reforma në Drejtësi dhe pyetjet që mbeten ende pezull
Genti Mumajesi
Reformadrejtësi është një hap pozitiv dhe mjaft i nevojshëm sepse sa më i besueshëm të jetë sistemi i drejtësisë aq më shumë qytetarët do t’i kthejnë sytë nga ai.

Parlamenti Evropian është shprehur se “Shqipëria po përgatit një reformë gjyqësore ambicioze, që do t’i përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve dhe që do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit”.

Rivlerësimi i kujdesshëm i figurës së rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve është vetëm maja e asjsbergut, pasi të gjithë presin ndëshkimet që do të jepen. Vetëm atëherë do të mund të thuhet se vetingu funksionoi.

Çdo vend ndërtohet në bazë të ligjeve dhe rregullave dhe reformadrejtësi duhet të shihet si një mundësi e mirë për të ndërtuar në mënyrë të shëndetshme shtetin që në themel. Vetëm përmes një drejtësie të pavarur do të bëhej e mundur që cdo qytetar, qoftë edhe politikan të pergjigjet para ligjit për shkeljet e bëra.

Marka e sigurisë mbetet pa dyshim SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Pozitiviteti dhe përkrahja e gjerë e popullit ndaj reformës në drejtësi buron pikërisht nga mbështetja e madhe që ndërkombëtarët, si Euralius, Komisioni Evropian, OSBE, Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së dhe asistimi i Organizatës Ndërkombëtare të Monitorimit – OMN, po i bëjnë këtij procesi.

Mbrëmja e 21 korrikut 2016 do të hyjë në almanakët e historisë politike shqiptare pasi reformadrejtësi, që kërkon maxhorancë të theksuar në votim, pati unanimitet.

Sigurisht që nuk ishte aq e thjeshtë sa duket që të arrihej deri këtu.

Mjafton të kujtojmë deklaratën e ish-ambasadorit amerikan Donald Lu teksa shprehej se ka mjaft gjykatës dhe prokurorë, madje edhe politikanë të korruptuar që po e pengojnë qëllimisht votimin ne Parlament. U arrit deri në ‘kërcënimin’ përmes sms që i ftonte deputetët e opozitës të paraqiteshin e të votonin në Parlament ligjin për vetingun.

Edhe pse i detyruar dhe aspak i dëshiruar, ky ishte rezultati i parë konkret që tregoi me 140 votat pro dhe asnjë kundër se shteti i së drejtës hyri në rrugën e reformimit të tij, duke tronditur në themel sistemin gjyqësor në Shqipëri ku u prek:

-Gjykata Kushtetuese
-Gjykata e Lartë
-Këshilli i Lartë i Magjistraturës
-Prokuroria e Përgjithshme

U krijuan organe të reja si:

-Gjykata dhe Prokura Speciale (SPAK)
-Inspektoriati i Lartë Drejtësisë
-Këshilli i Emërimeve
-Këshilli i Lartë i Prokurorisë

Hapat e parë dhe mjaft të rëndësishëm për të implementuar reformimin e sistemit gjyqësor u hodhën me futjen në Kushtetutë të ligjit nr. 84 të 30 gushtit 2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Ai nr. 96 i 6 tetorit 2016 “Mbi statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe nr. 98 i po kësaj date “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”.

Mirëpo pas gjithë këtyre ndryshimeve lindin disa pyetje:
“Kur do të mund të shqyrtohet një cështje e depozituar në 2019”?
“Cili do të jetë dënimi ndaj gjykatësve dhe prokurorëve që nuk arrijnë të justifikojnë pasurinë e tyre korruptive”?
“Si do të dëmshpërblehet padrejtësia gjyqësore ndaj një qytetari”?

“A duhet konsideruar reformadrejtësi si arritja më e madhe e politikës sonë apo si imponimi më i madh që i ka ndodhur asaj”?
“Në sytë e ndërkombëtarëve, kasta e vjetër e gjyqësorit duket pak e gatshme për të bërë ndryshimin e madh, por a janë të rinjtë të ndërgjegjshëm për të ngritur një sistem të pakorruptuar”?

Teksa të gjithë po presim riformatimin e gjyqësorit nga ana e politikës harrojmë se, si pushtet i pavarur që është ndoshta i duhet t’i kurojë vetë plagët e tij. Është diçka e mirë që u prish rehatia e pandëshkueshmërisë ndër prokurorë e gjyqtarë por, derisa të shohim rezultate konkrete skepticizmi do të jetë prezent.

Egzistojnë në perceptimin e popullit mendime se “thjeshtë do të ndërrohen disa gjyqtarë me disa të tjerë” dhe kjo buron nga kontradiktat e forta mes maxhorances dhe opozites, që po e demtojne akoma më shumë besueshmërinë e këtij procesi. Arsyet që e shtyjnë politikën të veprojë kështu kuptohen; askujt nuk i pëlqen të humbasë pushtet dhe privilegj.

Kjo shpjegon edhe ngërçin ku gjendet krijimi i institucioneve të reja që dëmton gjyqësorin dhe prokurorinë dhe nxjerr në pah arsyet e tjerrjes së gjatë që po i bëhet përfundimit të një proçesi që nisi me 140/140 vota.

Një ndër synimet e reformës në drejtësi është të rrisë perceptimin pozitiv dhe besimin e qytetarëve por, për aq kohë sa gjyqësori do të jetë pezull edhe shqiptarët do të mbeten mes dyshimit dhe shpresës. Sipas sondazheve të bëra nga Bashkimi Evropian, rreth 91% e shqiptarëve është pro reformës në drejtësi.

Nese nuk do t’i jepet fund sa me shpejt rivlerësimit të figurës së gjykatësve dhe prokuroreve, për të kaluar më pas në ndëshkimet e tyre Shqipëria rrezikon të humbasë përfundimisht edhe atë besueshmëri të fundit që u ka mbetur qytetarëve të saj.
Shtuar më 09/09/2019, ora 13:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori