Reforma në Drejtësi, ja çfarë u fol në takimin e sotëm Vasili - Lu
Ditën e sotme Ministri i Drejtësisë Petrit Vasila ka pritur në një takim Ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Donald Lu.

“Në nisje të takimit, Ambasadori Lu është shprehur i kënaqur për marrjen e kësaj detyre nga ana e Ministrit Vasili duke vlerësuar se përmes eksperiencës së tij të gjatë në politikë, ai do të dijë ta drejtojë mjaft mirë këtë institucion.

Gjatë diskutimit, Ambasadori Lu ka garantuar ofrimin e të gjithë mbështetjes së nevojshme nga ana e Qeverisë së SHBA dhe e ka inkurajuar Ministrin Vasili për të qenë sa më aktiv në përfshirjen e tij në reformën në gjyqësor, duke vlerësuar se Ministria e Drejtësisë duhet të jetë një nga arkitektet e kësaj reforme”, njoftojnë burime zyrtare nga zyra e shtypit pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri Vasili duke u ndalur në momentet aktuale të reformës vlerësoi se tashmë ajo në një proces mjaft të rëndësishëm, atë të zbatimit dhe në këtë aspekt evidentoi nevojën që të gjithë aktorët të jenë të shpejtë dhe praktikë, në një kohë që është kristalizuar ngrehina kryesore, ajo Kushtetuese.

Rolin e OPDAT dhe EURALIUS, Ministri Vasili e cilësoi si mjaft përcaktues për zgjidhjen e të gjitha atyre rrethanave të lidhura me reformën, që do të kërkonin një interpretim.

Vasili e informoi Ambasadorin Lu se Ministria e Drejtësisë, përmes ekspertëve të saj po punon për paketën e 27 ligjeve, duke vlerësuar se një pjesë e tyre janë e një rëndësie prioritare dhe se për këtë qëllim ai vetë do të investohet për finalizimin e një pakete me ligje sa më efektive, të cilat do të jenë në shërbim të publikut, të cilin e konsideroi si aleatin më të madh.

“Jam i interesuar në vetë të parë për finalizimin me sukses të reformës në drejtësi, për të cilën edhe më herët kam shpenzuar mjaft kohë dhe energji”, përfundoi Ministri Vasili./albeu.com/

Shtuar më 07/02/2017, ora 17:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori