Referendum per statusin e Malesise
Albeu.com
Çështja e statusit juridik të Malësisë, edhe në këtë fushatë paraelektorale ka nxjerrë në shesh parashikime të ndryshme të subjekteve që veprojnë në këtë mjedis.
Koalicioni rival, opozitë në Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit (KKUT), i përbërë nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Boshnjake, të cilat ushtrojnë pushtetin qendror shtetëror, malësorëve u premtojnë referendum mbi komunën e plotë të Tuzit, nëse do të kenë përkrahjen e tyre në mandatin ardhshëm.
“Në këtë frymë, edhe ne e miratuam vendimin që më 8 gusht të këtij viti të organizojmë referendum mbi statusin e Malësisë,” deklaroi të shtunën për KosovaLive, kryetari i Iniciativës Qytetare, Vasel Sinishtaj, bartës i Listës së partive nacionale shqiptare në zgjedhjet lokale të 23 majit.
Të premten në Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit, këshilltarët e garniturës që kanë ushtruar qeverisjen në KKUT në katër vjetët e kaluar - të Lidhjes Demokratike, të Alternativës Shqiptare, të Inicativës Qytetare dhe të Partisë Popullore Socialiste, miratuan vendimin mbi shpalljen dhe organizimin e referendumit mbi themelimin e Komunës së Malësisë me qendër në Tuz, më 8 gusht.
Këshilltarët e opozitës nuk morën pjesë në këtë seancë të KKUT.
Sinishtaj shton se, sipas këtij vendimi, qytetarët do të përgjigjen në pyetjen - Jeni “për” apo “kundër” themelimit të Komunës së Malësisë. Vendimi do të publikohet në Gazetën zyrtare malazeze.
Në pyetjen nëse referendumi realizohet dhe rezultati është në favorin e subjekteve që kanë marrë këtë vendim, a do të anulohej nga Podgorica zyrtare, Sinishtaj përgjigjet se çdo veprim do të mbështetet në Kushtetutën malazeze dhe dokumentet ndërkombëtare.
Shtuar më 15/05/2010, ora 15:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori