Reagon Policia: Punimet e Bashkisë, për interesa private
Pëlqej
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë sqaroi sot se po ndiqen me rigorozitet të plotë procedurat hetimore lidhur me punimet që po kryhen në rrugën "Asim Vokshi" në kryeqytet por sipas saj hetimet tregojnë se punimet janë të paligjshme dhe lidhen me interesa private.

"Nga hetimet e deritanishme rezulton se punimet janë të paligjshme dhe bëhen për interesa private të disa individëve. Semafori në fjalë nuk do të vendoset përpara shkollës së mesme “Harri Fultz”, siç pretendohet nga Bashkia, por rreth 30-40 metra me larg, në kryqëzimin pranë një biznesi privat. Ky semafor është ndërtim i paligjshëm dhe pengon qarkullimin e mjeteve për të cilat është një semafor në kryqëzimin që ndodhet vetëm 10 metra më larg, vetëm për komoditetin e një individi dhe ndërtimeve të tij", thuhet në deklaratën e Policisë së Tiranës.

Nisur nga shkeljet e konstatuara në lidhje me zhvillimin e punimeve në këtë segmet rrugor, Policia ka kallëzuar penalisht 5 punonjës të Bashkisë dhe 2 zyrtarë të saj, që kanë shkelur ligjin.

"Policia e Tiranës ka bërë kallëzim penal për drejtuesit e bashkisë dhe punetorët, të cilët nuk kanë respektuar urdhërat e policisë për të ndërprerë punimet si dhe kanë prerë pemët dekorative dhe kanë dëmtuar trotuarin e rrugës", përfundon deklarata.

Më herët, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka reaguar ndaj aksionit të Policisë së Tiranës, duke e quajtur të paligjshëm dhe klientelist bllokimin e punimeve për zhvillimin e infrastrukturës, por edhe projekteve të tjera të Bashkisë në kryeqytet. /albeu.com/
Shtuar më 14/08/2014, ora 16:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori