Reagon Ministria e Mbrojtjes: PD po mbron trafikantët e drogës
Pëlqej
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes për akuzat që vinin nga kampi blu. Në një deklaratë për media, Ministria e Mbrojtjes shprehet se PD po sulmon Forcat e Armatosura pse i vijnë në ndihmë Policisë së Shtetit.

Sulmi që sipas MM-së i bëhet FA-ve do të thotë të mbrosh krimin dhe trafikun e drogës.

"Qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë luftën ndaj krimit të organizuar dhe narkotikëve duke e hequr Shqipërinë nga lista e zezë ku e kishte futur qeveria e mëparshme. Të sulmosh Forcat e Armatosura pse mbështesin me mjete logjistike Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme në këto operacione do të thotë të sulmosh shtetin për të mbrojtur krimin dhe trafikun e drogës. Sa për prokurorinë, e ftojmë atë të thellojë hetimin mbi të gjitha rastet kur mjetet apo më keq akoma Forcat Speciale dhe ato Komando të FA-ve, janë keq përdorur në kërkim floriri apo ruajtje biznesesh private si Kampionati Mundjes, për të mos folur për transport këngëtarësh", thuhet në deklaratë.

Më tej MM bën me dije se, "I sigurojmë qytetarët se bazuar në ligjet e shtetit shqiptar, mjetet e FA-ve do të vazhdojnë të jenë në mbështetje të operacioneve në luftën pa kthim ndaj krimit dhe narkotikëve ashti siç kanë qenë e do të jenë në mbështetje të çdo aksioni civilo-ushtarak në shërbim të tyre".


Ndërkaq MM, fton përfaqësuesit e PD-së të distancohen nga mbrojtja e trafikantëve, kultivuesve të hashashit apo çdo krimineli që i sponsorizon. /albeu.com/
Shtuar më 14/09/2014, ora 14:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori