Zykaj: Nuk ka gjasa që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut, shtetet anëtare s’janë dakord

Deklarata e kryeministrit Edi Rama se do të kërkonte ndarje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për procesin e integrimit në BE duket se nuk ka gjetur mbështetje në vendet e bllokut.

Gazetarja e ABC në Bruksel, Erisa Zykaj në “Radar Informativ” me Juli Xhokaxhi tha se deri tani nuk ka gjasa që kjo kërkesë të pranohet. Zykaj thekson se Maqedonia e Veriut e ka marrë statusin e vendit kandidat që në vitin 2005 dhe do të ishte e padrejtë.

“Deri tani nuk ka gjasa. Kjo thirrje nuk dëgjohet sepse bëhet fjalë për një vend. Maqedonia e ka marrë statusin e vendit kandidatit në 2005. Shtetet anëtare nuk mund t’ja bëjnë këtë Maqedonisë së Veriut. Ka qenë shumë e padrejtë që në fillim e ka bllokuar Greqia, pastaj Bullgaria. Kjo mund të bëjë një problem edhe për ne më vonë. Duhet të vendoset një kriter i caktuar. Deri tani nuk ka ndarje të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Nuk është dëgjuar ende thirrja e kryeministrit të Shqipërisë”, u shpreh gazetarja.

Sakaq, në një intervistë për Erisa Zykajn, raportuesja për Shqipërinë në parlamentin Europian, Isabel Santos u shpreh se PE thotë me një zë, se vendi ynë është gati për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe duhet fiksuar një datë për mbajtën e konferencës së parë ndërqeveritare.


Shtuar 22.04.2022 19:48