Reagimi qesharak i qeverisë për skandalin: Nuk është hera e parë që mashtrohemi
Qeveria reagon për herë të parë për mbylljen e aktivitetit të kompanisë Gulf. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se nuk është rasti i parë që një kompani falimenton dhe se Ministria nuk ka ndonjë rol rregullator në tregtinë e karburanteve.

“Ministria ka vetëm kontrollin teknik të cilësisë dhe produkteve. Nuk është rasti i parë që ka kompani që falimentojnë, mashtrojnë dhe histori të tilla si këto. Nga kjo pikëpamje janë organet tatimore ato që po e ndjekin këtë proces. Janë organet tatimore me ecurinë e këtij procesi dhe shpresojmë që shumë shpejt përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë”, tha Gjiknuri.

Gulf nuk ishte e panjohur për qeveritarët shqiptarë. Në ceremoninë e nisjes së aktivitetit dhe ndërrimin e pronësisë të bërë pak vite më parë, ku merrnin pjesë disa ministra të kabinetit Rama, përfshirë dhe vetë ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri, ministrin e Mjedisit Lefter Koka, pasardhësin e tij Blendi Klosi dhe ish-kryetarin e Parlamentit, tashmë President, Ilir Meta.

Kompania guackë që zotëron Gulf në Shqipëri është në pronësi shtetasit gjeorgjian Aleksandre Gogokhia, i lidhur me ish-zyrtarë të lartë të këtij vendi. Ai ka qenë i përfshirë në skema pastrimi parash në parajsat fiskale dhe pjesë e një skandali që në Gjeorgji çoi në arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Tbilisit.

Hetimet e mëvonshme zbuluan se Aleksandre Gogokhia, administronte bizneset e ish-ministrit gjeorgjian të Mbrojtjes, Davit Kezerashvili. Ky i fundit u arrestua për korrupsion dhe pastrim parash në aeroportin e Parisit në momentin që po nisej për të udhëtuar pikërisht drejt Shqipërisë në 2013, i njeti vit kur edhe Gulf hapi aktivitetin në vendin tonë.



Shtuar më 23/04/2018, ora 15:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori