Rasti i Sopotit, shtyhet seanca gjyqesore
Albeu.com
Seanca në Gjykatën e Apelit për Zenel Klaiqin dhe gjashtë bashkëfshatarët e tij që janë në arrati, është shtyrë për 11 dhjetor, pasi në të mungonte avokati mbrojtës i personave që nuk janë kapur policia. Edhe pse në seancë u tha se avokati Naser Raufi kishte pasur një proces tjetër gjyqësor, ai tha se kishte kërkuar të shtyhet séanca për të pritur raportin e grupit të punës për rastin e Sopotit i cili duhet të jetë gati deri 1 dhjetor.
“Unë si mbrojtës i gjashtë të akuzuarve në këtë rast të Sopotit mendoj se është në interes, në favor të akuzuarve është më mirë të pritet raporti për çdo rast i Komisionit pranë kuvendit. Mendoj që raporti do të jetë në favor të akuzuarve jam i bindur dhe që shteti juridik do të fillojë të funksionojë më në fund. Jam i bindur që epilogu do të jetë që do të lirohen të gjithë të akuzuarit për rastin e Sopotit”, deklaroi Naser Raufi – avokat i gjashtë të dënuarve nga Sopoti.
Avokati i Zenel Klaiqit, Vullnet Paçuku tha për ALSAT se pret epilog pozitiv nga gjykata e apelit, pasi ka prezantuar dëshmi para gjykatës themelore se dëshmitari Ramadan Bajrami ditën kur kishte shpërthyer mina nuk kishte qenë në Maqedoni dhe dëshmi se i njejti ka dhënë deklaratën nën presion të keqtrajtimeve psikike dhe fizike.
“Mendojmë se do të kemi sukses dhe Gjykata e Apelit do të shikojë se në këtë rast nuk ka prova të sigurta të cilat dëshmojnë fajësinë e të gjithë këtyre të akuzuarve. Me këto dëshmi shpresojmë se gjykata e apelit edhe do ta aprovojë ankesën tonë, do të bie një vendim me të cilin do të lirojë nga akuza të gjithë këta të akuzuar ose të paktën të kthejë procesin para gjykatës themelore të Shkupit”, u shpreh Paçuku.
Avokati Paçuku shtoi se nëse komisioni anketues në Kuvend, arrin të sigurojë dëshmi dhe prova të reja të cilat do të vërtetojnë edhe një herë se të gjithë këta të akuzuar nuk janë fajtorë, i njëjti raport do të jetë shumë i rëndësishëm për përsëritjen e procesit gjyqësor nga fillimi. Për rastin e Sopotit, ku humbën jetën dy pjesëtarë të NATO-s, në mars të vitit 2003, janë dënuar 11 shqiptarë të këtij fshati me 156 vjet burg. 5 prej tyre janë duke vuajtur dënimin ndërsa 6 të tjerë janë dënuar në mungesë. (alsat)
Shtuar më 17/11/2009, ora 01:41
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori