Një tjetër sezon turistik me mushkonja

Edhe këtë vit pushuesit vendas dhe të huaj në Shqipëri do të ‘luftojnë’ me mushkonjat. Procesi i spërkatjes kundër tyre duhej të niste në maj, por deri në fillim të korrikut, nuk ishte shpallur fituesi i tenderit rreth 120 milionë lekë. ISHP konfirmon për Faktoje se procesi do të nisë pasi të mbarojë prokurimi, pa dhënë ndonjë afat. Bizneset po bëjnë privatisht dezinsektimin e pjesshëm, por ai është i pamjaftueshëm dhe me kosto të larta. Në mungesë të dezinsektimit rritet rreziku i sëmundjeve infektive ndaj sipas mjekëve, ky proces do duhej të niste që në muajin mars.

Esmeralda Topi

Insektet që shqetësojnë më shumë njerëzit gjatë sezonit veror janë mushkonjat, konstaton Instituti i Shëndetit Publik, kur lajmëronte nisjen e procesit të dezinsektimit në zonat bregdetare dhe urbane për vitin 2015. Ky ishte operacioni i dytë kundër mushkonjave në Shqipëri, pas më shumë se dy dekadash mungese.

“Po ribëhet nga qeveria pas 23 vjetësh operacioni për dezinsektimin e bregdetit në prag të verës. #Turizëmpamushkonja”- shkruante në 18 maj të 2014 Kryeministri Edi Rama në rrjetin social Twitter, për të përshëndetur rinisjen e procesit të dezinsektimit të zonave bregdetare.

Prej vitit 2014 e deri në 2021, procesi i dezinsektimit të zonave bregdetare dhe urbane ka nisur kryesisht çdo vit në periudhën maj-qershor për të vijuar deri në mbyllje të sezonit turistik, në tetor. Rikthimi i këtij shërbimi nga shteti pas dy dekadash u mirëprit nga të gjithë, por procesi ka hasur vështirësi për shkak të burokracive.

Tenderat që mbajnë peng dezinsektimin

Edhe pse në pikun e sezonit, Instituti i Shëndetit Publik ende nuk ka nisur nga puna për një turizëm pa mushkonja, njëlloj siç ndodhi vitin e kaluar.

Dy vitet e fundit, dezinsektimi ka mbetur peng i tenderave që nuk arrijnë të mbyllen në kohë për shkak të procedurave ankimuese nga kompanitë pjesëmarrëse. Një histori e përsëritur edhe në vitin 2019, e cila ka përfunduar në SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Për vitin 2023, tenderat për dezinsektim janë ende në zhvillim, ndërkohë që procesi duhet të kishte nisur me kohë në terren. Data e hapjes së tenderit është 20 prilli dhe sipas afateve, fituesit duhet të ishin shpallur një muaj më vonë.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimit Publik, këtë vit, shuma e vënë në dispozicion për shërbimin e dezinsektimit në zonat bregetare dhe urbane është 120.2 milionë lekë. Gara është e ndarë në 6 lote sipas qarqeve: Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë.

Por edhe këtë vit, gara ka sjellë pakënaqësi tek pjesëmarrësit. Një prej kompanive që mori pjesë në tender ka ankimuar procedurën mbi specifikimet teknike dhe ndonëse jemi në korrik ende nuk është e qartë se kur mund të mbarojë kjo histori, në mënyrë që të nisë spërkatja e vonuar kundër mushkonjave.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Institutit të Shëndetit Publik. Pas një procedure ankimimi pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, ISHP i tha Faktoje se procesi i dezinsektimit do të nisë pas përfundimit të prokurimeve.

‘Lidhur me informacion e kërkuar nga ana juaj, ju bëjmë me dije se procesi i dezinsektimit është në procedurë prokurimi pranë ASHPP. Me përfundimin e procedurës së prokurimit  do të nisë dhe procesi i dezinsektimit!’, vlerëson ISHP pa dhënë një afat konkret, ndërkohë që jemi në pikun e sezonit turistik.

Mushkonjat hedhin ‘valle’

Florida dhe Mikeli janë një çift të rinjsh nga Tirana që pushimet këtë vit i bënë në Velipojë.

“Që në ditët e para të pushimeve mushkonjat pickuan vajzën 1 vjeç e gjysmë. Pickimet iu infektuan dhe qelbëzuan. U detyruam të iknim pasi nuk mund të rrihej më shumë. Ishte vërtetë problem këtë vit.”, thotë Florida për Faktoje.

Vajza e çiftit, disa ditë pas pickimit të mushkonjave

“Vendpickimet e insekteve shpesh mundet të mbiinfektohen nga mikroorganizmat e lëkurës si Streptokokët, Stafilokokët, Kandida, etj.,ose mikroorganizmat e mjediseve higjenikisht të papastra në vendpushimet tona buzë detit dhe jo vetëm.”, thotë për Faktoje mjeku infeksionist Tritan Kalo.

Situata është problematike kudo. Edhe Fatos Cerenishti, pronar i Hotel ‘Fafa’ në Golem thotë se mungesa e vazhdueshme e dezinsektimit është bërë shqetësim i madh për turistët.

“Katastrofë është me thënë të drejtën, menduam se sivjet do të kishte dezinsektim, se ai bëhet në mars, sipas ekspertëve të fushës. Kjo na shqetëson shumë, sepse mund t’i ofrosh çdo lloj shërbimi turistit, por nëse e pickon mushkonja në darkë ai i harron të gjitha të tjerat.”, thotë ai për Faktoje duke shtuar se këtë vit shërbimet e dezinsektimit po i bën privatisht.

“Edhe pse po i bëjmë vetë me kompani provate na kanë ‘çarë’ mushkonjat. Përveçse ka kosto shumë të madhe procesi nuk mund të realizohet dot nga vetë ne. Jemi përpjekur të bëjmë dezinsektime pjesërisht në zonat tona, por është shumë pak. Sërish kemi probleme, pasi procesi kërkon një operacion të mirëfilltë dhe jo me pjesë.”, shprehet i shqetësuar Cerenishti.

Apeli i mjekëve

Mjekët infeksionistë i bëjnë apel autoriteteve që dezinsektimin ta kryejnë në mars.

‘Fillimi i luftës ndaj tyre duhet të përkojë me Festimet e Ditës së Verës.’- thotë profesor Tritan Kalo, teksa shton se krahas dezinsektimit nevojiten edhe dy procese të tjera që lidhen ngushtë me sëmundjet infektive.

‘Dezinsektimi, krahas dezinfektimit dhe deratizimit, përbën kulmin e një trekëndëshi barabrinjës për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm për jetesën e një popullate urbane ose jo. Në këtë periudhë të vitit insektet, sidomos mushkonjat sjellin jo vetëm shqetësime irrituese fizike, por janë edhe vektorë potencialë të përhapjes së Infeksioneve jetëshqetsuese e jetëkërcënuese si Encefalitet, Malaria, Tsutsugamushi, etj.’, shprehet Kalo për Faktoje.

Edhe ekspertë të mjedisit këshillojnë që dezinsektimi të bëhet në fazën larvare të insekteve, që përkon me periudhën e fillim-pranverës. Por në Shqipëri, gjasat janë që ky proces të mos nisë as gjatë korrikut./faktoje