Papa Françesku u lan dhe puth këmbët 12 të burgosurve të mitur

Këmbët e 12 të burgosurve të rinj, burra dhe gra, u lanë nga Papa Françesku, i cili shkoi në ceremoninë e larjes katolike të së Enjtes së Madhe në burgun e të miturve Casal del Marmo.

Gjatë fjalës së tij, kreu i kishës katolike romake reflektoi mbi kuptimin e zgjedhjes së Jezusit për të larë këmbët e dishepujve të tij, duke theksuar se mësimi që mund të mësohet është se duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Papa Françesku, i cili u shtrua në spital për tre ditë javën e kaluar, mbërriti në burg me një makinë Fiat të bardhë. Ai hyri në kapelë me karrocë, ndërsa gjatë liturgjisë kryesisht qëndronte ulur.

Më pas ai eci me ndihmën e një bastuni për të larë këmbët e 10 të rinjve dhe dy vajzave të reja, të cilët ishin ulur në një platformë të ngritur pranë altarit.

Platforma e lejoi Papën të lante dhe puthte këmbët e tyre pa u përkulur në tokë, siç kishte bërë në vitet e mëparshme.

Para zgjedhjes së Françeskut, ceremonia e së Enjtes së Shenjtë katolike mbahej gjithmonë në Bazilikën e Shën Gjon Lateranit në Romë. Megjithatë, kur u zgjodh, ai vendosi të ndryshojë traditën dhe të arrijë tek njerëzit që vuajnë dhe ndihen të margjinalizuar. /albeu.com


Shtuar 7.04.2023 15:07