RAPORTI SEKRET/ Alfred Moisiu po na saboton. Zien raki në kapanonet e ushtrisë
Vetëm pak javë pas ngjarje së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur Kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit në rrethana misterioze, të cilat dhe sot mbeten ende të tilla, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vendin, u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej, nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, mbi “Tablonë Sinoptike” për “armikun e poliagjentin” Mehmet Shehu.

Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentesh me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetëra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë etj.

Po kështu, këto mbledhje u intensifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua edhe ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu (i cili për gati tri dekada kishte mbajtur postin delikat të Ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij u përsërit e njëjta tablo, si me shefin e tij, Shehun. Dhe pas zhvillimit të kë- tyre mbledhjeve, komitetet e partive të rretheve përkatëse kanë hartuar një përmbledhje me problemet “më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, duke i siguruar shokët e udhëheqjes se: “ajo punë do të vazhdonte përsëri edhe në të ardhmen”, duke i mbajtur në korrent, “për gjithçka që do të dilte lidhur me armikun Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij”.

Për të gjitha këto mbledhje, disponohen një numër i madh dokumentesh, me siglën “Tepër sekret” dhe publikimin e tyre po e fillojmë me mbledhjet e rrethit të Durrësit, ku ish-sekretari i parë i Komitetit të Partisë së atij rrethi, Muho Asllani, ka informuar udhëheqjen e Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me problemet dhe gjithçka tjetër ka dalë dhe është diskutuar në atë rreth.

Dokumenti në fjalë, si dhe ato në vijim, do të publikohen të plota dhe pa asnjë ndryshim, apo shkurtim.

PARTIA E PUNES SHQIPERISE

Sekret
KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT
Ekzemplar
“Sektori ushtarak”

Durrës, më 4.11.1982
Nr. 2120. Prot.

Lënda: Informacion mbi punimet e materialeve të Plenumit të 5-të të KQ të PPSH në organizatat bazë të disa reparteve ushtarake që janë dislokuar në rrethin tonë

KOMITETIT QENDROR TE PPSH
TIRANE
Nga të dhënat që kemi, gjatë punimit të materialeve të Plenumit të 5-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, në organizatat bazë të Partisë të disa reparteve ushtarake që janë dislokuar në rrethin tonë, kanë dalë probleme për të cilat po informojmë sa më poshtë.

Për gatishmërinë luftarake:
Kalimi në gatishmëri nr. 2 të reparteve ushtarake në muajit korrik-gusht, nuk e konsiderojmë të drejtë, pasi ajo nuk përcaktohet vetëm në dy muaj. Gjithashtu, nuk ka qenë i drejtë urdhri për heqjen e fishekëve të rojeve luftarake në reparte dhe vendosja e rezervistëve të kategorisë së fundit në pikat e hapjes, gjë që ka ulur gatishmërinë dhe vigjilencën në kryerjen e shërbimit. Vendosja e disa kuadrove me moshë të madhe, në SHLU (Shkolla e Lirë Ushtarake, shënimi ynë), si dhe caktimi në disa shkolla i kuadrove që janë shkarkuar nga detyra për mungesa në punën e tyre, nuk është i drejtë, si është vepruar me Fatmir Shehun, Faik Kolasin, Jonuz Çyrben etj. Në këtë kuadër do parë edhe vendosja e kuadrove të SHLU-ve me dy funksione, pasi kështu shpërndahet përgjegjësia, dhe nuk kryhet mirë detyra funksionale.

Lypset të shikohen:
Urdhri i dhënë për të mos qëlluar kundër shkelësve të kufirit detar apo ajror, fryrja e organikave të kohës së paqes, dhënia e kompetencave të shumta zv.ministrave të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore në dokumentin e gatishmërisë, sidomos për të ngritur në alarm disa njësi, pa miratimin e Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, sanksionimi më i mirë i normave të gatishmërisë, pasi ka defekte dhe mosrealizime, kompletimi me kuadro të nevojshëm, të batalioneve të Këmbësorisë.

Disa reparte që janë pajisur me radio-stacion dhe do të veprojnë në distanca të mëdha, në prapavijat e armikut, nuk hyjnë dot në lidhje, sepse kanë rrezen e veprimit të shkurtër. Urdhri i dhënë në vitin 1979 për heqjen nga organika të komisarëve të reparteve të gatishmërisë luftarake në Grupet e Artilerisë dhe vendosja në vend të tyre të shefave të Zbulimit, është koncept armiqësor i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut, për punën e komisarit.

Në këtë kuadër të shikohet edhe kompletimi me komisarë aktivë i baterive që kanë mbi 40 ushtarë aktivë, sipas porosisë së shokut Enver. Disa nënreparte të Artilerisë Kundërajrore me mjete radio-teknike janë lënë të pakompletuara me ushtarë aktivë, gjë që nuk siguron gatishmërinë në momentet e para. Mbrojtja nga Desanti Ajror është futur në korniza dhe vetëm në disa zona të quajtura “Zona Desantimi” dhe jo në të gjithë sistemin kodrinor dhe në thellësi.

Ngrihet problemi i shikimit të kuadrove të Zbulimit të Jashtëm, për arsye se janë drejtuar për një kohë të gjatë nga armiku Kadri Hazbiu. Gjithashtu, kanë mendimin që në Artin Ushtarak Popullor flitet pak për udhëheqjen politike të partisë. Kapitulli i fundit lypset të shikohet me kujdes, pasi bën fjalë për kalimin nga lufta e shkallës së parë me front të rregullt, në atë të shkallës së dytë të luftës partizane, duke zbatuar në mënyrë të kamufluar “Teorinë e Rrëshqitjes”, të armiqve të Partisë, të shikohet më mirë edhe shpërndarja e Artilerisë Kundërajrore në korridoret e futjes së avionëve, sipas drejtimeve kryesore, kështu efektivisht kanë nevojë të mbrohet të paktën nga një bateri e kalibrit të vogël.

Për stërvitjen:
Ka mendime se është sabotuar përgatitja luftarake e trupës, nëpërmjet zhvillimit me përparësi të stërvitjeve të mëdha, duke i zhvilluar ato për bujë e për t’u dukur, në një kohë kur mungesat i kemi në stërvitjen e vogël, janë nënvleftësuar dhe minimizuar orët e stërvitjes në disa specialitete, e sidomos në përgatitjen xheniere.

Për vitin 1983, Këshilli i Mbrojtjes ka caktuar dhjetë ditë stërvitje, ndërsa në udhëzimet e ministrit të Mbrojtjes thuhet se gjysma e tyre të përdoret për punime, po ashtu edhe koha e caktuar për përgatitjen e kuadrove rezervistë ka mendime se është e pamjaftueshme. Gjithashtu të studiohet më mirë pesha e materialeve që merr ushtari, ka mendime se ajo është rënduar shumë, dhe bëhet pengesë për lëvizje të shpejta dhe të shkathëta.

Për fortifikimin:
Në këtë fushë vërtetohen shumë mangësi, siç janë dërgimi i projekteve të fortifikimit nga drejtoria e Xhenios me mjaft mungesa, se në vitin 1975-1976 qendrat e zjarrit në vijën e parë dhe në fushë janë groposur me porosi të armikut Mehmet Shehu dhe Alfred Moisiu, me pretekstin e maskimit të tyre dhe se “lufta nuk është dasmë, por do të luftohet dhe në ujë”. Në bregdet ka akoma të zbuluara, kur në të njëjtën kohë fortifikimi vazhdon të bëhet në thellësi. Gjithashtu ka mendime se fortifikimi në zonën e Veriut është sabotuar, sepse ai ka filluar më parë në skalionet e dyta, e të treta, duke lënë bosh brezin e sigurimit të Korpsit se në mjaft rajone të fortifikuara nuk është zgjidhur drejt sigurimi i rrugëve të kalimit për sigurimin luftarak.

Për problemet ekonomike:
Në këtë kuadër ka mendime se është dëmtuar padrejtësisht ekonomia, duke lyer qendrat e zjarrit me bojë vaji, në një kohë që ato mbulohen me dhe. Praktika e deritanishme ka treguar se provat e gatishmërisë në njëfarë mase pengohen dhe se rezervistët futen në forcë pas 24 orësh. Kështu, me të marrë sinjalin, ata nuk nisen menjëherë në pikën e hapjes, por shkojnë për t’u furnizuar me ushqim në shtëpi. Për këtë problem është krijuar dhe diferencimi, midis kuadrit rezervist, i cili futet në forcë menjëherë. Lypset të shikohet dhe njësimi i çmimeve për materialet luftarake, kur ato dëmtohen ose humbin për ushtarin efektiv dhe rezervist.

Për figurën morale:
Armiku Kadri Hazbiu, funksionin e sekretarit dhe të komisarit nuk e ka vlerësuar. Kështu, gjatë udhëzimeve që ka dhënë për riorganizimin e ushtrisë, ftoi vetëm komandantët dhe rikonicionin e bëri po me këta në rajonin e mbrojtjes të secilës brigadë. Ai ka sabotuar në drejtim të stërvitjes, duke organizuar dhe dhënë përparësi stërvitjes së madhe.

Thuhet se Kadri Hazbiu dhe Diftir Hysi kanë vajtur në Karaburun te babai i oficerit Dalan Bizhga dhe mbasi kanë ngrënë drekë, Diftir Hysi i ka thënë Kadri Hazbiut: “Kur të vijë koha, ti Kadri jepi dhe këtij një copë”. Gjithashtu, Kadri Hazbiu për 11 ditë rresht, në kohën që aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së zhvillonte seminare me sekretarët dhe komisarët e ushtrisë në Durrës, takonte armikun tjetër Mihallaq Ziçishti dhe nuk u kthye asnjëherë në këtë seminar. Gjithashtu, kur e ka pyetur armikun Kadri Hazbiu një kuadër për Mihallaq Ziçishtin, ai është nxirë dhe nuk ka folur fare.

Për Veli Llakën:
Shokët që kanë diskutuar thonë se ka qenë njeriu i Mehmet Shehut dhe kur ishte në kursin e lartë ka mbrojtur “Teorinë e rrëshqitjes” para Petrit Dumes dhe Hito Çakos. Ai nuk ka qenë asnjëherë dakord për vendosjen e propagandistit në brigadë, duke nënvleftësuar me qëllim funksionin e shokëve që merreshin me punën e Partisë, ka qenë njeri me gabime dhe gjithashtu njeri i Petrit Dumes dhe se ka pasur shfaqje të theksuara të lokalizmit. Të gjitha këto dobësi e shfaqje të huaja të tij kanë dëmtuar rëndë punën e Partisë, për këtë ai duhet të japë llogari para saj.

Për Maliq Sadushin:
Ka qenë dhe ky njeriu i Mehmet Shehut, dhe ka zbërthyer me zell të madh materialet e tij. Ai nuk është marrë me punë, por me sport, duke shkuar kudo që luante Partizani, është një njeri i dhënë shpesh pas futbollit dhe lë pas punët e shtetit.

Për Alfred Moisiun:
Në vitin 1975-1976 me urdhër të tij janë groposur qendrat e zjarrit të vijës së parë dhe në fushë, duke e justifikuar gjoja “maskimin e tyre”. Ai vinte shpeshherë në Kavajë dhe takonte vetëm Mustafa Dervishin (komandantin e batalionit të urave) dhe asnjëherë nuk ka shkuar të takonte kuadrot dhe ushtarët e reparteve të tjera që ka në Kavajë. Nga të dhënat që kemi, ai ka zier raki për vete në batalionin e urave dhe ka sabotuar ndërtimin e pikës së drejtimit të një reparti ushtarak në Kavajë.

Për Diftir Hysin:
Nga të dhënat që disponojmë, del se Diftir Hysi ka anashkaluar punën dhe detyrat e tij dhe se ka dy dajo të arratisur në Greqi.

Për shokun Ali Vukatana:
Midis të tjerave thuhet se ai kur ka qenë në Korçë dhe në Akademi ka anashkaluar punën e Partisë dhe të shtetit, e megjithatë u emërua sekretar i Komitetit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Gjithashtu, ai mban përgjegjësi para Partisë e duhet të japë llogari për punën e zëvendësministrave të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.

Disa probleme të tjera:
Në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme lypset të bëhet qarkullimi i disa kuadrove të implikuar, duke çuar në to shokë të rinj nga baza dhe kryesisht nga klasa punëtore, sepse në këto dy ministri është bërë një politikë personale në zgjedhjen dhe emërimin e kuadrove, duke ngritur në përgjegjësi njerëz në bazë të lidhjeve fisnore e shoqërisë me armiqtë e Partisë në kundërshtim me orientimet e Byrosë Politike të KQ të Partisë.

Këto dhe veprime të tjera të gabuara janë kryer sepse nuk janë zbatuar plotësisht porositë e Partisë dhe mësimet e çmuara të shokut Enver Hoxha që të fshihen me fshesë të hekurt armiqtë, prandaj është e nevojshme të rishikohen të gjitha dokumentet e organizatave bazë të Partisë të vitit 1974 për dënimin e grupit puçist të ushtrisë. Nga sa jemi të informuar, del se në disa kuadro të ushtrisë është bërë metodë dhe është ngulitur thellë ndjenja e karrierizmit. Këtu e kanë burimin dhe degjenerimi e borgjezimi i mjaft prej tyre, të cilët janë mbajtur 10-20 vjet e më shumë në MMP e MPB.

Prandaj del domosdoshmëria e qarkullimit të tyre sepse koha ka vërtetuar se në këto dy ministri asnjë zëvendësministër nuk ka vajtur në bazë, por ata o kanë dalë në pension, ose kanë degjeneruar dhe janë bërë armiq të Partisë. Këto janë disa nga problemet që kanë dalë nga diskutimi që u bë në organizatat bazë të Partisë të materialeve të Plenumit të 5-të të KQ të PPSH-së të disa reparteve të dislokuara në rrethin tonë, këto probleme i kemi në thellim dhe për çfarëdo të dalë do t’u informojmë përsëri.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË

Muho Asllani
/Panorama/
Shtuar më 03/02/2017, ora 10:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori