Ndryshon rezultati në Maqedoni, këtë raund e vështirë të zgjidhet presidenti (FOTO
Raporti i SHBA: Shqiperia kryeson shkallen e lirise ekonomike ne Ballkan
Albeu.com
Të gjitha vendet e Ballkanit me përjashtim të Bullgarisë janë më mirë sot, dhe më të lirë ekonomikisht sesa ishin një vit më parë, sipas vëzhgimit më të fundit botëror të Heritage Foundation dhe Wall Street Journal (WSJ) mbi lirinë ekonomike, të botuar muajin e kaluar.
Edicioni i 16-të vjetor i Indeksit, që e rendit Shqipërinë si vendin më të lirë ekonomikisht në Ballkan, mbulon 183 vende.

Treguesit përfshijnë lirinë e biznesit, të tregtisë, lirinë fiskale, shpenzimin qeveritar, lirinë monetare, lirinë e investimit, të drejtat e pronës, lirinë nga korrupsioni dhe lirinë e punës.

Raporti i 20 janarit ishte këmbëngulës se të gjithë vendet e Ballkanit duhet të bëjnë një punë më të mirë për të luftuar për të drejtat e pronës si dhe për të luftuar korrupsionin, nëse do të bëhet përparim i përgjithshëm ekonomik.

Ndërsa Mali i Zi bëri përparimin më të madh në botë më 2009, ai mbetet shumë pas Shqipërisë, ekonomia më e shquar e rajonit në Indeksin e Lirisë Ekonomike. Përparimi i shquar në shtatë nga dhjetë fushat e lirisë ekonomike e lejoi Malin e Zi që të përmirësojë vlerësimin e tij me 5.4 pikë që nga viti i kaluar.

Bazuar në një pikavarazh prej 63.6, republika adriatike u rendit e 68-a në botë këtë vit, nga e 94 që ishte më 2009.

Vendeve iu dhanë klasifikime nga 0 në 100 në dhjetë faktorë të hapjes ekonomike. Me pikavarazhe nga 60 në 69.9 pikë secila, pesë vende ballkanike: Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Rumania, ranë në grupin e ekonomive "mesatarisht të lira".

Bosnjë dhe Herzegovina (BiH), Kroacia dhe Serbia ishin midis 55 vendeve të renditura "më së shumti jo të lira", me pikavarazh midis 50 dhe 59.9.

Raporti përmendi "rritjet në lirinë e tregtisë, të drejtat e pronës, lirinë nga korrupsioni dhe lirinë e punës" si faktorët kryesorë për 2.3 pikë më shumë që Shqipëria shënoi nga një vit më parë. Liria fiskale e vendit u rendit në 92.6 pikë, më e larta dhënë ndonjë vendi në Ballkan.

"Pavarësisht prej rënies ekonomike botërore, Shqipëria ka qenë në gjendje të mbajë relativisht të pacënuar stabilitetin makroekonomik" dhe ka marrë hapa për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve në vend, thanë dy organizatat me qendër në SHBA në studimin e gjatë të tyre.

Pesëmbëdhjetë vende, duke përfshirë Maqedoninë, Kroacinë dhe BiH, fituan së paku 2.5 pikë në klasifikimet e lirisë ekonomike të tyre.

Pavarësisht prej vështirësive ekonomike, shumë vende nuk i braktisën parimet e lirisë ekonomike dhe kanë vazhduar të futin masa për të liberalizuar dhe hequr kontrollin shtetëror ndaj veprimtarive fiskale.

"Tetëdhjetë e një vende, pothuajse gjysma e të gjithë atyre të renditur në Indeks, treguan përmirësime në klasifikimet e përgjithshme të tyre këtë vit," vuri në dukje raporti. "Niveli i lirisë ekonomike në 90 vende, siç matet në Indeksin 2010, ka rënë."


Maqedonia përmirësoi pikavarzhin e saj të përgjithshëm me 4.5 pikë dhe lëvizi me 22 vende për të zënë vendin e 56-të këtë vit. Pikët e Kroacisë për lirinë ekonomike u rritën me 4.1 në 59.2, ndërsa klasifikimi i ri i BiH prej 56.2 është 3.1 pikë më lart se vitin e kaluar. Të dy vendet kërcyen me 24 vende në listë, Kroacia u rendit e 92-a dhe BiH e 110-a.

Bullgaria humbi 2.3 pikë në lirinë ekonomike të saj më 2009 për shkak të "humbjeve në lirinë e investimit dhe lirinë nga korrupsioni dhe rritjes së shpenzimeve të qeverisë", vuri në dukje raporti. Me pikavarazhin e tanishëm prej 62.3, vendi ra me 19 vende, në atë të 75-in në Indeksin 2010.

Bazuar në klasifikimin e përgjithshëm prej 64.2, që është një pikë më shumë se vitin e kaluar, Rumania u rendit e 63-a ekonomi e lirë këtë vit. Serbia fitoi 0.3 pikë dhe lëvizi me pesë vende, në atë të 104, me pikavarazh 56.9.

Hong Kong, pasuar nga Singapori, mbetën ekonomitë më të lira të botës për të 16-in vit me rradhë. Nga 179 vende të të renditura këtë vit, vetëm pesë të tjera u klasifikuan si "të lira" me një pikavarazh 80 e lart. 23 të tjera me pikavarazhe nga 70 në 79.9 u renditën në "kryesisht të lira". (setimes)
Shtuar më 04/02/2010, ora 16:49
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori