Raporti i ODIHR: Qeveria, shirita elektoralë
Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, shihen gjerësisht si një test i rëndësishëm për aspiratat e Shqipërisë drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian. KQZ-ja aktualisht operon me vetëm katër anëtarë, gjë që pengon aftësitë për të administruar procesin siç e kërkon ligji.

Kështu thuhet në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it sipas të cilit mjedisi politik ka qenë i tensionuar që prej zgjedhjeve të fundit parlamentare në vitin 2009, zgjedhjet e para të mbajtura nën një sistem zgjedhor proporcional rajonal.


"Çështja e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka qenë në qendër të vëmendjes dhe shqetësim. Pas ikjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) nga koalicioni qeverisës në prill të vitit 2013, parlamenti shkarkoi anëtarin e propozuar nga LSI, i cili u zëvendësua nga një përfaqësues i Partisë Republikane (PR) në koalicion me PD. Ky shkarkim çoi në dorëheqjen e tre anëtarëve të propozuar nga opozita, të cilët ende nuk janë zëvendësuar.
Klima politike është e karakterizuar nga polarizimi dhe mosbesimi mes PD-së dhe PS-së. Shumica e partive pjesëmarrëse janë bashkuar me një nga dy koalicionet për zgjedhjet e ardhshme: 25 parti janë në Aleancën për Mirëqenie, Punësim dhe Integrim, kryesuar nga PD e kryeministrit, Sali Berisha dhe 37 parti janë bashkuar me Aleancën për Shqipërinë Europiane, e udhëhequr nga PS-ja dhe kreu i saj Edi Rama. Të gjitha partitë aktualisht në parlament kandidojnë brenda këtyre koalicioneve" thuhet ne raport.

Ndër të tjera, raporti thekson se disa vendime të KQZ-së janë kritikuar për mungesë të bazës ligjore. Vendimet e KQZ-së nuk janë publikuar menjëherë në faqen e saj, siç kërkohet nga ligji.

Raporti vëren se fushata zgjedhore në përgjithësi është e qetë, por thekson se vëzhguesit e OSBE-ODIHR kanë vërejtur se disa aktivitete të qeverisë janë përdorur për qëllime elektorale.

“Përurimi i rrugëve të reja apo projekteve në infrastrukturë, thekson raporti ODIHR, janë shoqëruar me flamuj të PD që mbajnë sloganin e saj elektoral.

“Në faqen zyrtare të kryeministrit në internet publikohen aktivitete elektorale ku ai ka marrë pjesë. Më 13 maj kryeministri publikoi një urdhër ku thuhet se zyrtarëve të lartë u ndalohet të përdorin fonde publike për qëllime elektorale”, thekson raporti. /albeu.com/
Shtuar më 08/06/2013, ora 09:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori