Raporti i KE: Shqiperia progres; Lohan: Me rendesi zgjedhjet 2009
Pëlqej
Albeu.com
Për Shqipërinë gota është gjysmë plot, por edhe gjysmë bosh- në këtë frazë e thënë nga ambasadori Lohan, përmblidhet i gjithë raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2008, ...... çka do të thotë se shpresat për lehtësim vizash në vitin e ardhshëm mbeten ende të vakëta. Raporti i përvitshëm voluminoz i Komisionit Evropian është dorëzuar sot në tavolinën e kryeministrit Sali Berisha, nga ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan. Ashtu sikurse edhe pritej, raporti ka sjellë kritika në drejtim të qeverisë, por edhe vlerësime si në fushën e zhvillimit ekonomik.

Raporti thekson se duhet më shumë punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Progres-raporti i përvitshëm, që zakonisht shpërndahet për vendet e Ballkanit Perëndimor në çdo 5 nëntor, është i ndarë në tre kapituj, si kriteret politike, kriteret ekonomike dhe standardet evropiane. Pas dorëzimit të raportit, ambasadori Lohan dhe kryeministri Berisha folën rreth raportit në një konferencë për gazetarët.

Ambasadori Lohan, tha se në Shqipëria ka pasur ecuri për sa i përket konsolidimit të procesit të demokracisë. “Në raport thuhet që Shqipëria po luan një raport konstruktiv në stabilitetin e rajonit”-tha Lohan, teksa shtoi se progres i rëndësishëm është shënuar në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

“Në progres Raportin e këtij viti nuk përdoret e njëjta gjuhë që është përdorur një vit më parë. Zgjedhjet parlamentare në vitin 2009, duhet të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare”-theksoi Lohan.

Për sa i përket ekonomisë, progres raporti thekson se ekonomia shqiptare ka pasur rritje në mënyrë të shpejtë. Përmendet gjithashtu ruajta e nivelit të inflacionit, klima e mirë në fushën e privatizimeve si dhe lehtësirat në biznes.

Por Lohan theksoi se “në të ardhmen do të ketë nevojë për reforma të konsiderueshme në mënyrë që ekonomia shqiptare të përballet me kërkesat e Bashkimit Evropian”

“Nën qoftë se këto vende të Ballkanit Perëndimor arrijnë disa kushte të caktuara, atëherë komisioni mund të propozojnë që të hiqen detyrimet e vizave në 2009”-tha më tej Lohan.

Ndërsa kryeministri Sali Berisha tha se ky raport përbën vlerësimin më objektiv të zhvillimeve në Shqipëri gjatë këtij viti. “Nëse është një marrëveshje bilaterale, unë do ta firmosja pa ndryshuar asgjë, për shkak të objektivitetit”-tha Berisha.

“Përbën një hartë rruge shumë të gjatë, e cila në çdo kërkesë që paraqet, ka një qëllim: Interesin e qytetarëve shqiptarë për integrim”-tha më tej kreu i qeverisë shqiptare, i entuziazmuar jo pak raportin pozitiv që i është adresuar Shqipërisë, por që është notë vlerësimi për qeverinë që ai drejton. (start)
Shtuar më 05/11/2008, ora 21:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori