Raporti i KE: Rrëzohen PS dhe PD për kohën televizive në zgjedhje
Këshilli i Europës rrëzon propozimin e maxhorancës dhe opozitës së bashkuar, të formuluar në një draft të dakordësuar, që monitorimi i fushatës zgjedhore në media të mos bëhet nga një organ që ngrihej pranë KQZsë, por nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.reforma

Gazeta ''Panorama'' ka publikuar dokumentin e rekomandimeve të Këshillit të Europës për Reformën Zgjedhore. Sipas këtij dokumenti, këshilli politik ka rënë dakord për disa pika që lidhen me politikat financiare në zgjedhje, për të cilin ka kërkuar mendimin e KiE-s. Ndërkohë, ky i fundit, më datë 11 maj, ia ka dorëzuar komentet dhe rekomandimet përkatëse këshillit politik për Reformën Zgjedhore.

Monitorimi i fushatës

Sipas një drafti të dakordësuar, palët kanë propozuar që monitorimi i fushatës zgjedhore për kohën e vënë në dispozicion në media të bëhet nga autoriteti i mediave. Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit, kjo është bërë nga një bord që krijohej në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Monitorimi i fushatës zgjedhore në radio dhe televizion bëhet nga enti rregullator, i cili rregullon dhe mbikëqyr shërbimet e transmetimit audio dhe vizuale. Monitorimi do të bëhet në të gjithë territorin zgjedhor. Enti rregullator që rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë e operatorëve radiotelevizivë monitoron respektimin e rregullave të këtij ligji dhe akteve të natyrës legjislative të nxjerra nga KQZ nga transmetuesit radio dhe televizivë, si dhe subjektet zgjedhore. Jo më vonë se 3 muaj para datës së zgjedhjeve, KQZ miraton dhe boton Metodologjinë e Monitorimit të Mediave”, ka propozuar këshilli politik në draftin e dakordësuar.

Por, sipas Këshillit të Europës, ky propozim sjell paqartësi sesi do të bëhet monitorimi i pavarur i transmetimit në media të fushatave zgjedhore në një kohë që ka akuza për pavarësinë e AMA-s. “Kjo dispozitë përcakton që monitorimi i mbulimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore do të bëhet nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) në vend të Bordit të Monitorimit të Mediave (MMB), një organ që, sipas Kodit aktual Zgjedhor, është krijuar posaçërisht për këtë qëllim.

MMB ishte një organ i emëruar nga KQZ nga një listë e propozuar nga ‘organizatat jofitimprurëse të mediave’. Nëse nuk sigurohet pavarësia e AMA-s, nuk është e qartë se si ndryshimi i propozuar do të sigurojë monitorim të pavarur të mbulimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore”, shkruhet në rekomandimin e KiE-s.reforma-zgjedhore

Shpërndarja e fondeve publike

Një tjetër pikë ku Këshilli i Europës sugjeron palët që të bëjnë kujdes është shpërndarja e fondeve publike për partitë. Sipas dokumentit që tryeza e Reformës Zgjedhore i ka vendosur në dispozicion KiE-s, 90% e fondeve shtetërore shkojnë për partitë, të cilat kanë marrë në zgjedhjet e kaluara jo më pak se 0,5% të votave. Nga ky buxhet, dy të tretat do t’u jepen këtyre palëve paraprakisht.

“Fondi i përcaktuar me vendim të Kuvendit, sipas pikës 1 të nenit 87 të këtij ligji, u shpërndahet partive që janë regjistruar si subjekte zgjedhore si më poshtë: a) 90 për qind e fondit do t’u shpërndahet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, të cilat kanë marrë jo më pak se 0.5 për qind të votave të vlefshme në zgjedhjet e mëparshme.

Dy të tretat e këtij fondi do t’u jepen këtyre palëve paraprakisht, ndërsa një e treta do të shpërndahet pas zgjedhjeve të mbajtura dhe dorëzimit të raporteve përkatëse financiare në KQZ; b) 10 për qind e fondit do t’u shpërndahet partive politike dhe kandidatëve të pavarur”, sanksionohet në nenin 70 të dokumentit.

Ndërkohë, sipas KiE-s, është e vështirë që të vlerësohet nëse ky ndryshim do të sjellë përmirësim në rregulloren aktuale. “Sigurohuni që ndarja në shpërndarjen e fondeve publike për fushatën elektorale të bazohet në një analizë të qartë dhe të justifikuar në raportin shpjegues për ligjin”, rekomandon KiE.

Korrupsioni

Ndërkohë, te nenet që lidhen me korrupsionin zgjedhor, Këshilli i Europës i rekomandon Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore që të përfshijë në dispozitat për blerjen e votave, edhe organizimin e transportit të votuesve për në qendrat e votimit. “Përfshini në dispozitat për blerjen e votave një ndalim për sigurimin e parave të gatshme për votuesit në çdo rrethanë, kufizime të qarta në materialet/përfitimet që mund t’u ofrohen votuesve dhe ndaloni organizimin e transportit të votuesve në qendrat e votimit”, rekomandon KiE.

Rekomandimet e KiE

Neni 70

Është e vështirë të vlerësohet nëse ky ndryshim do të ishte një përmirësim në rregulloren aktuale apo jo. Rekomandim: Sigurohuni që ndarja në shpërndarjen e fondeve publike për fushatën elektorale të bazohet në një analizë të qartë dhe të justifikuar në raportin shpjegues për ligjin.

Neni 66

Monitorimi i fushatës zgjedhore në radio dhe televizion bëhet nga enti rregullator, që rregullon dhe mbikëqyr shërbimet e transmetimit audio dhe vizuale. Monitorimi do të bëhet në të gjithë territorin zgjedhor.

Enti Rregullator që rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë e operatorëve radiotelevizivë monitoron respektimin e rregullave të këtij ligji dhe akteve të natyrës legjislative të nxjerra nga KQZ nga transmetuesit radio dhe televizivë, si dhe subjektet zgjedhore.

Jo më vonë se 3 muaj para datës së zgjedhjeve, KQZ-ja miraton dhe boton Metodologjinë e Monitorimit të Mediave.
Enti Rregullator i paraqet gjetjet e tij në raporte të hollësishme, të paktën javore, të cilat ia paraqet KQZ-së për kompetencë. Raportet, kur është e përshtatshme, shoqërohen me propozime për sanksione administrative. Raportet e monitorimit të mediave do të publikohen në faqen e internetit të KQZ-së menjëherë pas paraqitjes në KQZ.
Rekomandime

Kjo dispozitë përcakton që monitorimi i mbulimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore do të bëhet nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) në vend të Bordit të Monitorimit të Mediave (MMB), një organ që sipas Kodit aktual Zgjedhor është krijuar posaçërisht për këtë qëllim. MMB ishte një organ i emëruar nga KQZ nga një listë e propozuar nga “organizatat jofitimprurëse të mediave”. Nëse nuk sigurohet pavarësia e AMA-së, nuk është e qartë se si ndryshimi i propozuar do të sigurojë monitorim të pavarur të mbulimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore

Neni 64

Në nenin 64, shkronja “e” me fjalinë e mëposhtme shtohet: a) Në deklaratën me shkrim të nënshkruar nga Kryetari i partisë politike, e cila përmend angazhimin solemn për të refuzuar përfshirjen në çdo praktikë të blerjes së votave, pranimin e financimit ose përfitimeve të paligjshme, veçanërisht ato që vijnë nga aktivitetet kriminale dhe angazhimin solemn për të garuar në zgjedhje me ndershmëri dhe integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet nga KQZ

Në nenin 78, paragrafi 6 me përmbajtjen e mëposhtme shtohet: “6. Subjektet zgjedhore do të ndalohen dhe mbajnë përgjegjësi penale nëse ofrojnë ose japin para, sende materiale, premtime për pune ose favore të tjera në çfarëdo forme zgjedhësve ose personave të tjerë të lidhur me të, me qëllim që të marrin premtimin për mbështetjen një kandidati për zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votim, ose të përfshihen në veprimtari të paligjshme për të mbështetur një kandidat ose parti politike.

Rekomandim: Përfshini në dispozitat për blerjen e votave një ndalim për sigurimin e parave të gatshme për votuesit në çdo rrethanë, kufizime të qarta në materialet/përfitimet që mund t’u ofrohen votuesve dhe ndaloni organizimin e transportit të votuesve në qendrat e votimit.
Shtuar më 26/05/2020, ora 15:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori