Ramush Haradinaj: Veprova drejt me dorëheqjen, nuk do të rigjykohem më!
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi për Çim Peka LIVE se ka vepruar drejt kur dha dorëheqjen si kryeministër dhe shkoi si qytetar në Hagë.

"Bindja ime është se kam vepruar drejt kur kam dhënë dorëheqje. Unë nuk kam dashur të dërgoj sovranin përpara hetuesve," tha Haradinaj.

"Dëshira ime është me u bë thirrje shqiptarëve kudo që janë: ne të gjithë i kemi të metat tona, por nëse flasim për luftën deri në qershor, është e padrejtë që shqiptarët me kalu nëpër pesë filtra dhe Serbisë i është besuar me gjyku krimet në Serbi,"-tha Haradinaj.

Po përse klasa politike e Kosovës nuk ishte e aftë që të kontrollohej ose të vetëpastrohej.

"Çfarë ju pengoi të vetëhetoheshit," pyeti gazetari Peka.

"Nuk qëndron ky konstatim. Ne deri në vitin 2008 jemi udhëhequr nga OKB. Nuk kemi pasur institucione në kompetencën tonë. nga 2008 deri në 2018 ne kemi pasur mision për rend dhe ligj EULEX-in. Vetëm në dy vjet jemi të pavarur. Nuk na është dhënë hapësirë për të hetuar.

Unë dua të pyes se përse nuk u hetua UÇK për kaq kohë sa të huajt kishin përgjegjësi? Kosova nuk i ka ikur drejtësisë. Ajo që them unë është se kemi njëfarë lodhje me këto procese të vazhdueshme," tha Haradinaj.

Sipas tij, çështja e tij nuk mund të rigjykohet më.

"Nga marsi 1998 deri në kohën kur ka ndërhyrë NATO, unë kam qëndruar përballë regjimit të Millosheviçit. Unë nuk do jem pjesë e proceseve gjyqësore pasi nuk ka mbetur gjë pa gjykuar. Kjo e fundit ishte një ftesë si i dyshuar që ka dijeni për zhvillimet gjatë luftës.

Instanca ku jam gjykuar është një instancë më e lartë, është një gjykatë ndërkombëtare. Askush nuk mund të kalojë mbi të. Unë kam kaluar nëpër filtrin e OKB dhe ato çështje nuk rigjykohen," tha Haradinaj./syri.net
Shtuar më 13/07/2020, ora 21:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori