Ramë Maraj e bëri qeverinë në kafene
Albeu.com
Veprimtari i LDK-së në Skenderaj, Gani Geci, thotë se në Drenicë ka filluar të bisedohet “nga njerëzit me ndikim” për një Qeveri të Kosovës, ku do të jenë disa ministra nga Drenica. “Pa marrë parasysh se cilës parti i takojnë”.Së bashku me gjashtë vëllezërit e tij nga Llausha, ish- luftëtari i UÇK-së Gani Geci, që nga përfundimi i luftës e këndej, e ka mbajtur familjarisht frontin e LDK-së në Drenicë. Edhe pse nuk ka ndonjë pozitë në hierarkinë politike të LDK-së, duket se ai ka ndikim në rrjedhat e brendshme organizative të saj.
“Një qeveri ndryshe, me shumë ministra drenicakë”, paralajmëron ai. Që nga vdekja e presidentit Rugova, Gani Geci është i dëshpëruar me Kryesinë Qendrore të partisë së tij. Ai mendon se qeveria aktuale e koalicionit është krijesë e “kryeministrit në kafene” Ramë Marajt dhe ajo duhet të ristrukturohet

“Lajm”: Pse jeni të pakënaqur me Kryesinë Qendrore të LDK-së dhe mënyrën se si ajo po e drejton partinë?

Geci: Pas vdekjes së presidentit Rugova, u zgjodh presidenti i ri Fatmir Sejdiu, të cilin unë e kam përkrahur. Por, më vonë ndodhën disa ndryshime të tjera, ndryshime thuaja “kozmetike”, sidomos në Qeverinë e Kosovës. Po them “kozmetike”, sepse në Kryesinë e LDK-së ka ekzistuar frika se, nëse bëhen ndryshime rrënjësore, do të ndodhte një përçarje e madhe në LDK. Kryesia e LDK-së ka qenë nën presion të këtyre ndryshimeve edhe për faktin se, më parë, 19 degë të LDK-së kanë dalë me një propozim që për ministër të punëve të brendshme të propozohet Fadil Geci. Po ashtu, të njëjtat degë kanë përkrahur që për kryetar të FR të LDK-së të jetë Armend Zemaj. Në ndërkohë ka ndodhur një presedan i llojit të veçantë, kryesia e LDK-së haptas është vënë në përkrahje të Armend Zemajt, në ndërkohë që nuk e përkrahu Fadil Gecin, magjistër i kriminalistikës, të jetë ministër i Punëve të Brendshme, por që atë post ta marrë një inxhinier i makinerisë. Pra janë shfaqur kritere të dyfishta. Këto kanë qenë arsye pse ne nuk kemi qenë të kënaqur me ndryshimet kozmetike të Kryesisë së LDK-së.

“Lajm”: Pra ju nuk e keni përkrahur qeverinë Çeku, për shkak të kritereve të dyfishta të Kryesisë së LDK-së ?

Geci: Ne nuk i kemi mbështetur lëvizjet e fundit në Qeverinë e Kosovës, sepse ato kanë qenë dashur të jenë shumë më rrënjësore. Por, unë personalisht ia kam uruar Agim Çekut postin e kryeministrit. Mirëpo, mendoj se ka qenë dashur të ndodhin edhe ndryshme të tjera, sepse sipas kësaj del se vetëm Kosumi dhe Salihaj paskan qenë fajtorë! Kjo nuk është reale, sepse po ata ministra të Ramë Marës janë edhe tani në pozitat e mëhershme.

“Lajm”: Pse i quani ministra të Ramë Marajt?

Geci: Ne nuk e kemi përkrahur qeverinë e kaluar të Kosumit, sepse disa nga ministrat e saj nuk kanë qenë përfaqësues të denjë të LDK-së në qeveri. Ata kanë qenë anonimusa dhe janë bërë ministra për të qenë të dëgjueshëm të “kryeministrit në kafe”, që në këtë rast ka qenë Ramë Maraj. Ky ka qenë problemi kryesor, sepse ai ka dirigjuar qeverinë nga kafja. Dhe të njëjtit, me sa po dëgjoj, janë bërë shumë të dëgjueshëm edhe për Kryesinë e LDK-së.

“Lajm”: Kush është ky Ramë Maraj? Çfarë përfaqëson ai në LDK ?

Geci: Mendoj se shumë po flitet për këtë person. Mendoj se ai duhet t’i takojë së kaluarës, sepse periudha e tij ka përfunduar. Sa më tepër që flasim për të, aq më shumë e faktorizojmë. Por, ai ka qenë e keqja më e madhe e LDK-së.

“Lajm”: Duket se nuk e keni fort për zemër koalicionin LDK - AAK. A duhet të ndryshohet partneri?

Geci: Koalicioni është pjesë e interesave të partive politike dhe unë nuk do të mund të kërkoj që LDK-ja të ndërrojë partnerin e koalicionit. Mirëpo, duke parë moszhvillimin e Drenicës, lënien mënjanë të këtij rajoni shumë të rëndësishëm të Kosovës, të quajtur më herët edhe zemër të Kosovë, atëherë mendoj se elektorati në Drenicë duhet të vetëdijesohet dhe të votojë ndryshe dhe për ndryshime. Edhe sot mund të them se raportet politike edhe në Drenicë kanë ndryshuar pozitivisht. Ne tani mendojmë që ky rajon duhet t’i ketë përfaqësuesit e rangut të lartë ministror në institucionet më të larta qeveritare shtetërore të Kosovës në mënyrë që Drenica të dalë nga kolapsi ekonomik që është shumë i rrezikshëm për tërë Kosovën. Në këtë drejtim që nga “Qeveria e përkohshme”, deri tani asnjë strukturë qeveritare s’ka bërë asgjë për Drenicën...

“Lajm”: Pra do të pranoni të jeni në një qeveri me Hashim Thaçin?

Geci: Të them të vërtetën, ne për këtë çështje kemi filluar të bisedojmë me njerëz me ndikim në Drenicë dhe vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm me këta. Pra për hir të Drenicës dhe për hir të gjendjes së vështirë në këtë rajon, ne angazhohemi që në Qeverinë e Kosovës disa ministra të jenë nga Drenica pa marrë para sysh se cilës parti i takojnë. Ne nuk kemi biseduar me ndonjë parti konkrete, por jemi në kontakt të vazhdueshëm me njerëz me ndikim në Drenicë, me të cilët ndoshta do të vijmë deri te një pajtueshmëri që të krijohet një qeveri ku Drenica do të jetë denjësisht e përfaqësuar.
Kjo nuk nënkupton në asnjë mënyrë se ne jemi për një koalicion të drejtpërdrejtë me Hashim Thaçin dhe PDK-në.

“Lajm”: Për cilët njerëz me ndikim e keni fjalën?

Geci: Për njerëzit, prapa të cilëve PDK-ja fshihet dhe thirret në emrin dhe gjakun e tyre. Ne po flasim për Drenicën në përgjithësi.

“Lajm”: Pse po e mbështesni Nexhat Dacin?

Geci: Ne i përkrahim të gjithë akademikët e Kosovës dhe është fakt që në LDK i kemi disa akademikë; Dacin, Hamitin etj, të cilët do t’i dëshironte secila parti në radhët e veta. Duke pasur parasysh ndryshimet e fundit, ne mendojmë se do të duhej të bëhej një “test” pozitiv e jo negativ, siç ka ndodhur me Dacin. Dhe sot, po të anketohej anëtarësia e thjeshtë e LDK-së, akademik Daci do të ketë shumë më tepër përkrahje nga të anëtarësia e gjerë e LDK-së. Por, ne nuk do të kemi mundësi ta përkrahim Dacin, e askënd tjetër, nëse ai ose ata do të lidhen me “strukturat” e lartpërmendura të LDK-së (v.j. strukturat e Ramë Marajt), të cilat e kanë dëmtuar imazhin e partisë më të madhe në Kosovë. Por, unë mendoj se Nexhat Daci është një figurë e madhe e LDK-së me të cilën LDK-ja ka fituar mbi 65 % të votave në zgjedhjet e para në Prishtinë. Dhe ne dëshirojmë që LDK-ja t’i fitojë sërish zgjedhjet në Kosovë.

“Lajm”: Pse i keni ftohur marrëdhëniet me presidentin Sejdiu?

Geci: Unë personalisht menjëherë pasi është zgjedhur kryeministri Çeku në postin e ri, kam qenë te ai, dhe më ka pritur pa protokoll në mënyrën më nderuese për më shumë se 25 minuta në zyrën e tij, ku unë ia kam uruar postin dhe kemi diskutuar për çështje të ndryshme. Ndërsa tek Fatmir Sejdiu, prej që është zgjedhur, unë kam bërë 4-5 kërkesa për t’u takuar dhe për t’ia uruar postin, por deri më tani nuk më ka pritur. Por unë nuk i vardisem askujt.

“Lajm”: A ka bërë mirë Çeku që ka pranuar të jetë kryeministër ?

Geci: Agim Çeku ka qenë një oficer karriere, ka qenë një luftëtar në Kroaci dhe ndërrimi i tij nga karriera ushtarake në atë politike është e mirëseardhur për ne, nëse me këtë nuk i ka bërë dëm TMK-së. Ne mendojmë që në këtë fazë, Çeku mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm për Kosovën në prag të pavarësisë. Ne e kemi përkrahur Bukoshin, Rexhepin, Haradinajn, Kosumin dhe do ta përkrahim edhe Çekun, si përfaqësues të institucioneve.

“Lajm”: Shoku juaj i moçëm Sylejman Selimi, u vu në krye të TMK-së. A do të ketë sukses?

Geci: Kur është bërë demilitarizimi i UÇK-së, ne kemi qenë kundër, duke pasur parasysh kush e ka bërë atë demilitarizim. Por, ardhja e Agim Çekut në krye të saj ka qenë pozitive për ne. Unë i njoh një pjesë të madhe të udhëheqësve të TMK-së, sepse i kam pasur shokë lufte, e sidomos Sylejman Selimin. Atë e njoh që nga fëmijëria, që nga mosha 16-vjeçare. Në atë kohë ai ka qenë një djalë shumë i mirë, një futbollist i shkëlqyer, dhe dhashtë Zoti, që ai të ketë fuqi që të jetë një komandant i mirë e ta udhëheqë me sukses TMK-në.

“Lajm”: Në LDK ka pasur disa variante komentesh rreth vizitës së Sejdiut në Prekaz. Ju si e komentoni?

Geci: Edhe presidenti Rugova ka tentuar të shkojë te familja Jashari në vitin 2000. Por menjëherë pasi ai ka paralajmëruar se do ta vizitojë familjen Jashari, disa njerëz kanë dalë nëpër Skenderaj duke shpërndarë pamflete dhe duke përhapur fjalë kundër kësaj vizite të presidentit Rugova në Prekaz. Madje ka pasur edhe kërcënime me prita në rrugë. Presidenti Rugova ka qenë njeri i arsyes dhe i vlerësimit të situatës, ai nuk ka dashur që të ndodhin eksese të kësaj natyre dhe nuk e ka marrë rrugën për në Prekaz. Por, ju e dini se presidenti Rugova, ka shpallur tri ditë zie me rastin e flijimit të familjes Jashari, më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998 dhe e ka dekoruar komandantin legjendar Adem Jashari me Medalje të Lirisë. Ndërsa kryetari Sejdiu ka bërë mirë që ka shkuar te familja Jashari, sepse është obligim i çdo qytetari dhe çdo funksionari që të shkojë në Prekaz, por ia kam parë për të madhe pse i ka duartrokitur Rexhep Qosjes, i cili ka fyer personalitetin e Presidentit Rugova dhe përpjekjet dhe luftën 16-vjeçare të LDK-së.

“Lajm”: A duhet të ketë Drenica përfaqësues edhe në kryesi të LDK-së?

Geci: Po, Drenica duhet të ketë përfaqësues në çdo parti politike dhe institucion, sepse fuqia e të gjitha partive dhe institucioneve, në kohëra të caktuara, ka buruar nga Drenica.

“Lajm”: Shpesh e keni akuzuar Veton Surroin se po përzihet në punët e LDK-së?

Geci: Nëse LDK-ja ka vendosur që t’i dëgjojë udhëzimet e Surroit, atëherë nuk e di pse nuk vjen ai të bëhet kryetar i LDK-së. Ne po e shohim se ato që po thotë Surroi, po bëhen më vonë nga kryesia e LDK-së.

“Lajm”: Ndaj jush është bërë atentat më vitin 2001? Pse nuk është zbardhur deri më sot ky atentat?

Geci: Disa vrasje me motive politike nuk janë zbuluar as sot e kësaj dite. Në atentatin ndaj meje janë vrarë dy bashkëluftëtarët e mi, Besim Dajaku e Bekim Kastrati. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ne kemi kërkuar që nëpërmjet kyçjes së njerëzve kompetent në Ministri të Brendshme t’i kontribuohet zbardhjes së këtyre rasteve kriminale. Për atentatin tim ende nuk është arrestuar askush. Më herët është arrestuar dikush, por në mungesë të provave është liruar e tani ende nga policia nuk ka ndonjë të re në këtë drejtim, si për shumë atentate tjera. Edhe pse thuhet se disa persona janë në burgje për vrasje të ndryshme, por për rastin tim nuk ka asgjë të re.

“Lajm”: A jeni parë me ministrin e Punëve të Brendshme, çfarë i keni thënë?

Geci: Unë ia kam uruar postin ministrit Fatmir Rexhepi. Kryesia e LDK-së ka vendosur që ai të jetë ministër i Punëve të Brendshme, ne do t’i ndihmojmë atij nëse ka nevojë.
DRILON ZOGAJ
Shtuar më 17/04/2006, ora 09:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori