Ramadani: Gruevski nuk i deshiron myslimanet ne Maqedoni
Albeu.com
Fakti që ndërtimi i xhamisë Burmali, nuk është parashikuar në projektin “Shkupi 2014”, tregon se kryeministri Nikolla Gruevski ka dërguar sinjal se për të, myslimanët në Maqedoni, nuk janë të dëshiruar.
Kështu vlerëson kryetari i këshillit iniciator për ndërtimin e xhamisë Burmali, Ramadan Ramadani i cili shtoi se këshilli i ka dërguar letër kryeministrit shqiptar Sali Berisha, e po ashtu, do ti dërgojë letër edhe Qeverisë së Turqisë.
“Myslimanët kanë marrë porosinë e tyre se ky kryeministër nuk mendon për ata. Ne si përshëndetje për këtë porosi duke filluar nga java e kaluar kemi filluar takime intensive me faktorin ndërkombëtar. Sot dita e hënë ne i kemi dërguar një letër kryeministrit Sali Berisha për ta alarmuar për këtë situatë dhe gjenocid kulturor që bëhet ndaj shqiptarëve dhe myslimanëve tjerë në Maqedoni. Ne duke filluar edhe nga autoritetet turke edhe më tej do ti informojmë”, deklaroi Ramadan Ramadani – kryetar i Këshillit për ndërtimin e Burmali xhamisë.
Lëvizja qytetare “Zgjohu” duke iu kundërpërgjigjur ministres së kulturës Elizabeta Kançevska Milevska se projekti “Shkupi 2014” nuk është i mbyllur dhe mund të pësojë ndryshime, do të nisin në ministri të Kulturës kërkesën për përfshirjen edhe të heronjve dhe monumenteve shqiptare në këtë projekt, në mënyrë që sheshi të rrezatojë frymën multietnike, multifetare dhe multikonfesionale.
“Organizata qytetare “Zgjohu” e mbështetur nga së paku 20 organizata tjera joqeveritare shqiptare të mbledhura në forumin “Zgjohu” kërkojnë nga ministrja e kulturës dhe qeveria e Maqedonisë të rindërtojnë shtëpinë e lindjes së Nënës Terezë në vendin ku gjendet pllaka përkujtimore, kërkojmë ndërtimin e Burmali xhamisë në vendin ku ka ekzistuar derisa është rrënuar dhe në sheshin e qytetit të ndërtohet një bust, monument, apo përmendore e heroit tonë kombëtar Adem Jasharit”, theksoi Bekim Hoxha – përfaqësues i lëvizjes qytetare “Zgjohu”.
Kërkesën për ngritjen e monumenteve dhe busteve të heronjve shqiptarë, lëvizja qytetare “Zgjohu” pritet ta dorëzojë në ministrinë e kulturës dhe Qeverinë e Maqedonisë, në fund të kësaj jave. (alsat-m)
Shtuar më 08/02/2010, ora 22:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori