Rama: Zgjidhje ne 2 jave, kutite do hapen
Albeu.com
Kreu i PS-së, Edi Rama e ka cilësuar darkën në Strasburg si tryeza që u hap për të mbyllur krizën politike në Shqipëri, dhe sipas tij zgjidhja duhet arritur brenda 2 javësh, ose vendi do ketë pasoja të pamerituara.

Por nga ana tjetër, kreu i PS-së nuk ndryshoi qendrimin e tij, duke u shprehur i sigurt se kutitë do të hapen, duke shtuar se palët kanë ende debat për fletët e votimit. Kryesocialisti deklaroi se PS është e gatshme për kompromis për zgjidhjen. Ai theksoi se për zgjidhjen e ngërçit politik, javën e ardhshme do ketë negociata të ngjeshura, me përfshirjen e të dërguarve të komunitetit ndërkombëtar. "Tryeza në Strasburg ishte tryeza që u hap për të zgjidhur krizën politike dhe që duhet mbylluar brenda 2 javësh, në të kundërt Shqipëria do ketë pasoja të pameritura. Gjë që e nga ana jonë nuk e duam, ndaj jemi të angazhuar për një zgjidhje", pohoi ai.

Rama nënvizoi progresin që ka bërë çështja e opozitës duke u shtruar për zgjidhje në tryezën më të rëndësishme në nivel ndërkombëtar dhe u shpreh i sigurt se kutitë e votimit do hapen. "Falë sakrificës së grevës, ne sot jemi besimplotë duke u nisur nga fakti që kutitë do hapen. Mbetet për të diskutuar dhe zgjidhur se si do procedohet konkretisht. Tani është e qartë se të gjitha Ruzhdiet e Shqipërisë nuk do mbeten në errësirën e kutive të mbyllura. Hetimi parlamentar do ketë akses të plotë dhe mundësinë që të hedhë dritë mbi gjithçka që ka të bëjë me mekanizmin e Ruzhdies", u shpreh Rama.
Lidhur me fletët e votimit, Rama tha se ka një mekanizëm për të përcaktuar qasjen e tyre. "Ka një debat për fletët e votimit, dhe palët janë ende larg", saktësoi ai.

Kryesocialisti Rama pohoi se zgjidhja nuk do vonojë. "Palët nuk duhet të luajnë e ka kush e ka në kushtet kur është vendosur një afat ultimativ për t'i dhënë zgjidhje krizës që thellohet çdo ditë. Kjo zgjidhje lidhet me domosdoshmërinë që procesi demokratik të hyjë në një fazë më normale dhe proceset e integrimit të mos kërcënohen nga rreziku i bllokimit", tha Rama.
Shtuar më 22/05/2010, ora 19:13
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori