Rama zbutet në Serbi, përballë Vuçiç nuk e përmend asnjëherë Kosovën
Kryeministri Edi Rama ndryshe nga herët e tjera, nuk e ka përmendur as edhe një herë Kosovën gjatë konferencës së përbashkët në Novisad të Serbisë.

Rama nuk reagoi aspak edhe kur Vuçiç tha se mosnjohja e këtij shteti nuk do ta pengojë të vazhdojë planin e inicuar prej tij për shengenin ballkanik.

Kryeministri Rama u mjaftua të thotë vetëm se "kemi rënë dakord që të takohemi në Ohër përsëri dhe po ashtu kemi rënë dakord që do të ftohen të gjithë të tjerët".

Konferenca e plotë për shtyp

Presidenti Alexander Vuçiç: Kemi rënë dakord, pasi punuam shumë fort gjatë këtyre dy ditëve, t’ju drejtohemi shkurtimisht, jo vetëm sepse kemi disa gjëra për t’ju thënë, por për t’ju përcjellë thelbin e kësaj gjëje.

Shumë do ta quajnë këtë takim, një takim revolucionar dhe në fakt nuk dua të përdor këtë lloj fjale, por mendoj se ky takim është me rëndësi maksimale për të tri vendet tona e përtej çdo dyshimi për Serbinë. Çfarë kemi bërë sot, çfarë kemi nisur, dokumenti që kemi nisur mbështetet në zbatimin e 4 lirive kryesore, që janë të gjithëpranuara ndërkombëtarisht dhe të nxitura nga BE-ja, që është liria e qarkullimit të mallrave, kapitalit, shërbimit dhe njerëzve.

E bëjmë këtë për të mirën e madhe të qytetarëve tanë e po kështu, pse jemi të bindur që njerëzit, qytetarët në vendet tona meritojnë një të ardhme të mirë, meritojnë standarde më të mira jetese e po kështu meritojnë norma pakrahasueshmërisht më të ulëta papunësie. Me reformat që kemi zbatuar më parë kemi arritur disa nivele, por duhet një mënyrë më e suksesshme për të organizuar marrëdhënie të ndërsjella, për të rritur mundësinë e një rritjeje të përshpejtuar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të secilit prej vendeve tona dhe të veprojmë sëbashku në shumë fusha.

Synimi ynë është që deri në fund të vitit 2021 të krijojmë kushtet, duke shfrytëzuar maksimalisht ID-në për të kaluar kufirin me Shqipërinë. Nuk e kemi këtë mundësi sot, por kam përshtypjen se takimet e mëtejshme nuk do t’ju duhen pasaportat për të kaluar kufirin me Shqipërinë dhe anasjelltas. Nga ana tjetër, ne mund të shkurtojmë edhe atë që, sipas analizës së Bankës Botërore, janë 26 milionë orë që kamionët tanë humbasin gjatë kalimit kufitar nëpër Ballkan.

Pse? Sepse kjo do të jetë më shumë para për ekonominë tonë, do të ketë më shumë kushte për qytetarët tanë dhe gjithashtu paga më të larta, nëse i heqim këto barriera.

Këto barriera mund t’i heqim edhe duke krijuar… [e pakuptueshme] të posaçme me të cilat do të lejojnë një kalim 10 herë më të shpejtë të kufirit, natyrisht do të lehtësojnë kalimin e mallrave, të njerëzve, të shërbimeve, pra, siç e thashë. Ndoshta nuk do të jetë kaq e thjeshtë me kapitalin, por në vitet që vijnë jam i sigurt se mund ta ndryshojmë këtë, në mënyrë që edhe këtë ta ndreqim apo ta rregullojmë.

Përtej kësaj besoj se ka rëndësi thelbësore që ne të punojmë në mënyrë konkrete dhe të luftojmë për interesat e vendeve tona respektive dhe do ta vazhdojmë këtë punë. Ky nuk është vetëm një takim i vetëm dhe nuk është se do të presim një takim tjetër që ndodh pas një viti. Dua t’ju informoj se më 10 nëntor kemi takimin tjetër në Ohër dhe do të vijmë atje me masa më konkrete.

Duam që në Ballkanin Perëndimor të ulim normën e papunësisë. Jemi plotësisht të hapur me partnerët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjithkush është i mirëseardhur. Të gjitha vendet tona janë në rrugëtimin drejt Bashkimin Europian dhe me këtë rast dua të shpreh pritshmërinë dhe shpresën që Bashkimi Europian duhet të hapë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Kjo është shpresa, pritshmëria, dëshira dhe kërkesa jonë për BE-në, sepse ata e meritojnë këtë gjë.

Në të njëjtën kohë dua t’i them qytetarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri që, edhe në qoftë se nuk ndodh këtë herë, nuk është faji i tyre. Ata duhet të dinë se e meritojnë një gjë të tillë, por Bashkimi Europian ka arsyet e veta të brendshme për shkak të të cilave mund të marrë vendime të tjera të ndryshme.

Megjithatë na takon ne të merremi me çështje thelbësore, themelore. E jam i bindur se ajo që kemi bërë sot e do të bëjmë gjatë javëve në vijim e do të bëjmë më tutje, është me rëndësi tejet thelbësore për ekonominë tonë, por jo vetëm për ekonominë, edhe për çdo progres tjetër.

Edhe njëherë do të doja të falënderoja miqtë tanë që shpenzuan një ditë e gjysmë këtu dhe jam i bindur se bashkëpunimi ynë do të jetë edhe më i ngushtë, edhe më i mirë e për rrjedhojë, ne do të realizojmë shumë për qytetarët tanë. Imagjinoni që të kishim një treg të unifikuar pune. Imagjinoni përfitimet e këtij tregu. Ndoshta kjo do të bënte që në Serbi të mos sillnin punonjës nga Italia, Holanda, Azerbajxhani, apo nga vende të tjera në varësi të nivelit profesional që njerëzit arrijnë, pra, ideja është që mund të kemi një treg unik pune, mund të rritet konkurrenca, mund të arrijmë zgjidhje më të lehta dhe mund të reduktojmë problemet. P.sh., ata që kanë punuar në Shkup, mund të punojnë në Beograd, në Tiranë. Mendoj që është një lajm fantastik dhe në qoftë se arrijmë ta zgjedhim një gjë të tillë dhe ky është plani ynë, që ta përfundojmë këtë deri në 2021-in.

Faleminderit shumë miq të dashur! Faleminderit shumë të ftuarit e mi!

Nuk dua të më thonë që koha ime ka mbaruar, do ta përmbyll këtu. Do të keni Deklaratën e Përbashkët në anglisht dhe ndërkohë do të jemi edhe në gjendje ta përkthejmë në serbisht edhe për gazetarët tanë.

Faleminderit shumë që erdhët! I kërkoj kryeministrit shqiptar që të marrë fjalën!

Kryeministri Edi Rama: Së pari, dëshiroj të shpreh falënderimet për Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Zaev për këtë takim të vlefshëm me një rezultat domethënës. Kemi rënë dakord që të mbështesim parimet e një deklaratë të përbashkët, titulli i së cilës i thotë të gjitha: Implementimi i katër lirive themelore të Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ky takim nuk ka ardhur nga hiçi dhe dëshiroj ta bëj shumë të qartë, nuk synon asnjë eksluzivitet, përkundrazi është një hap me synimin për një proces gjithëpërfshirës dhe në deklaratë do të mund të lexoni lehtësisht të flitet gjatë gjithë kohës për Western Balkan Six.

Por nga ana tjetër ka një rrugë që na ka sjellë deri këtu. Ka një proces që na ka angazhuar të gjithëve, me mbështetjen e partnerëve tanë europianë, nga ku kemi mundur të mësojmë se duhet të bëjmë më shumë, pa pritur më shumë nga të tjerët. Më shumë në funksion të njerëzve tanë, në funksion të lëvizjes së lirë në këtë territor, në funksion të lëvizjes së mallrave dhe të shërbimeve, por edhe të kapitaleve në këtë territor. Mjafton vetëm një shembull për të kuptuar sesa e nevojshme është të shtyjmë fort përpara. 26 milionë orë në vit pritje në kufijtë respektivë.

Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj se pavarësisht se e dimë botërisht që ka çështje të hapura në zemër të këtij rajoni, kjo nuk duhet të na pengojë që, duke rënë dakord, të mos biem dakord për këto çështje, të dakordësohemi për atë që na bashkon në funksion të qytetarëve të gjithë këtij rajoni.

E fundit që kam, pa dashur të zgjatem më tutje, dua të theksoj se në vitin 2017, në takimin e radhës së Procesit të Berlinit në Trieste ishim dakord për një plan veprimi në funksion të zonës rajonale ekonomike dhe dy vjet prej asaj dakordësie nuk është se kanë ndodhur mjaftueshëm gjëra që janë përkthyer në më shumë rritje ekonomike, më shumë punësim, më shumë integrim dhe ndërveprim. Pra, në thelb, qëllimi që na ka bashkuar në këtë format është të shtyjmë përpara me shumë më tepër energji, me shumë më tepër koordinim procese që në letër janë shkruar dhe janë miratuar më shumë se një herë dhe të mos presim që këtë ta bëjnë të tjerët për ne, sepse, në fund të fundit, ne në shqip kemi një proverb: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta.”

Kryeministri Zoran Zaev: I nderuar Presidenti Vuçiç! I nderuar kryeministri Rama! Të nderuar miq nga BP6 që ndjekin këtë nismë që është lançuar nga Presidenti Vuçiç.

Do të doja t’u falënderoja për këtë nismë. Ashtu siç e përmendën kolegët, asnjëherë nuk është mjaft. Na duhet një punë më intensive, duhet të punojmë më tej dhe të mos kënaqemi me atë që është arritur deri tani. Pra, duhet në rajon që të përmirësohet bashkëpunimi kur bëhet fjalë për këto liri themelore, siç njihen në Bashkimin Europian. E kjo është diçka që qytetarët tanë e dëshirojnë dhe kjo ka të bëjë me qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve e natyrisht lëvizjen e lirë në kuptimin e transportit.

Besoj që kjo do të krijojë atë çfarë ne presim sëbashku, që është një Ballkan që do të respektohet definitivisht më shumë nga të gjitha rajonet e tjera të botës, si një rajon që do të jetë shumë herë më konkurrues me të tjerët në botë, një rajon që do të jetë shumë herë më tërheqës për qytetarët tanë që të qëndrojnë këtu, të punojnë këtu, të planifikojnë jetën e tyre këtu.

Natyrisht, kjo do të na bëjë dhe më tërheqës për investimet e huaja të drejtpërdrejta, për të përdorur burimet e mëdha që kemi për të dhënë.

Pra, kemi mjaft potencial të madh të pashfrytëzuar, që mund të shfrytëzohet dhe me këtë bashkëpunim, kjo do të na çojë që të kemi edhe më shumë respekt nga Bashkimi Europian. Po kështu do të kemi dhe me tepër mundësi që së bashku me vendet tona të përmbushim pritshmëritë.

Qoftë Presidenti Vuçiç, ashtu dhe Kryeministri Rama thanë se sa e thjeshtë dhe sa mirë do të ishte që të udhëtohej nga Durrësi nëpërmjet Tiranës, Shkupit dhe pastaj të udhëtohet nëpërmjet Shkupit, Nishit, Beogradit e kështu me radhë. Ajo çfarë është e rëndësishme për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, do të doja të ftoja të gjitha vendet e tjera, të cilat duhet të bashkohen me ne, në mënyrë që të përmirësohet bashkëpunimi mes të gjithëve ne. Kjo është një nismë që sëbashku ne po e hapim dhe po e nisim këtu edhe për të sjellë një mesazh që marrëdhëniet politike në rajon po lehtësohen dhe është shumë e rëndësishme, sepse Ballkani nuk është më fuçi baruti e viteve 1900.

Jemi në shekullin e 21-të, i cili i është dedikuar integrimit në Bashkimin Europian dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Kjo nismë është e hapur edhe për të tjerë që duan të bashkohen me të. Kemi përcaktuar tashmë takimin e ardhshëm që do të zhvillohet në 10 nëntor në Ohër. Do të vijojmë me ndërmarrjen e hapave specifike dhe shpresojmë që do të shpallim rezultate konkrete nga kjo marrëveshje dhe të nënshkruajmë marrëveshje të reja, që do të çojnë në përmirësimin e investimeve, të cilat do të vijnë si rezultat i lëvizjes së lirë të mallrave, të shërbimeve, kapitalit e njerëzve.

Ne si vende kandidate për integrim në Bashkimin Europian do të kemi edhe mundësi të bashkëkryesojmë sëbashku me Republikën e Bullgarisë, Procesin e Berlinit, që do të rrisë bashkëpunimin e përgjithshëm në rajon që në fakt është aspiratë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kam kënaqësinë të them që jemi në rajon të kënaqur për këtë dhe gjithashtu të kënaqur për potencialin që shtrihet para nesh.

Natyrisht, ajo që është bërë deri më sot nuk është mjaftueshëm, pra, kemi një dëshirë të jashtëzakonshme që të hedhim hapa të mëtejshëm. Mendojmë që nëpërmjet kësaj do të fuqizojmë qytetarët tanë dhe do të nxitim të bashkëpunojmë, por po kështu do të nxitim edhe BE-në dhe të gjitha rajonet e tjera që të bashkëpunojnë me rajonin tonë, duke e parë si një potencial të shkëlqyer.

Shohim tre prej jush në këtë takim, sot. Pse mungojnë përfaqësuesit e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës dhe kur pritet të jeni të 6 sëbashku, pa praninë e përfaqësuesve të Bashkimit Europian?

Presidenti Alexander Vuçiç: Kjo është shumë e rëndësishme për Serbinë, për shkak të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe me Bosnje-Hercegovinën. Pra, qysh prej CEFTA-s nuk e kemi këtë problem, megjithatë duam që të kemi marrëdhënie sa më ngushta që të jetë e mundur dhe nuk duam që të kemi kufi, pengesa administrative dhe jemi të gatshëm për këtë.

Ky nuk është problem për ne, sepse fakti që kemi dallime, në raport me marrëdhënien me Kosovën dhe Metohinë. Vendet e tjera e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe Serbia nuk e ka njohur këtë, kjo është një çështje tjetër. Por, kur bëhet fjalë për lirinë e qarkullimit të shërbimeve, njerëzve, kapitalit e kështu me radhë, kjo është me rëndësi kyçe për ne.

Kjo është arsyeja pse ne këmbëngulëm për heqjen e tarifës. Jo vetëm që nuk duam të kemi probleme, por gjithashtu duam që të vendosim disa rregulla që ta kemi këtë si sistem, pra, presim me padurim që të gjithë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, apo sido që t’i quani, të mblidhen bashkë, pavarësisht dallimeve që kemi ndaj statusit që njohim apo nuk njohim, por unë besoj që kjo është me rëndësi themelore për zhvillimin e të gjithë rajonit. Kur flas për këtë besoj se në qoftë se duam ta krijojmë vërtetë një gjë të tillë deri në 2021-in, njerëzit duhet të përpiqen që t’i lenë mënjanë emocionet e tyre dhe në këtë pikë pastaj rezultatet do të jenë të jashtëzakonshme për qytetarët tanë.

Kjo do të nënkuptojë më shumë investime të huaja direkte, njerëz që vijnë në rajon dhe të shohin rritjen e ndjeshme ekonomike. Pra, ta shohin këtë vend si një vend ku mund të gjejnë krah pune jo në një hapësire të kufizuar. Në këtë moment, nëse arrijmë ta realizojmë këtë mes 12 milionë qytetarëve dhe në të ardhmen mes 20 milionë qytetarëve, kjo do të ketë avantazhe të jashtëzakonshme. Natyrisht kjo ka të bëjë me ekonominë, me përmirësimin, me progresin e vendeve tona, por gjithashtu ka të bëjë me marrëdhënie të përgjegjshme me të ardhmen tonë, sepse gjithkush do të duhet të kujdeset për atë që thotë, të respektojnë njëri-tjetrin dhe unë mendoj se ky është reflektimi më i mirë.

Në Bashkimin Europian kemi vendet skandinave të BENELUX. Ky është parimi ynë dhe në qoftë se prezantohemi sëbashku, gjithashtu paraqitemi sëbashku në rrugëtimin drejt BE-së dhe në qoftë se veprojmë si bllok, do të jetë shumë më e vështirë që kërkesat tona të refuzohen, krahasuar me çfarë ka qenë më parë.

Ju do ta lexoni në Deklaratë që gjithkush do të jetë i ftuar dhe ne nuk kemi asnjë problem me këtë.

Kryeministri Zoran Zaev: E përmenda në disa vende në Deklaratë thuhet se nisma është e hapur për këdo. Natyrisht, fakti pse jemi mbledhur këtu të tre, është edhe për shkak të situatës, Kosova është për të krijuar qeverinë, ndërkohë Bosnje-Hercegovinë po kështu ka të tillë situatë me qeverinë e saj, Mali i Zi pastaj duhet të bashkohet. Ideja është që ky rajon ka një PBB më shumë sesa 100 milionë euro, e cila krahasuar me BE-në është më e vogël. Ideja është që duhet të përshpejtojmë e të nxisim përpjekjet për të rritur ekonominë në rajon e për ta bërë një destinacion më tërheqës qoftë për qytetarë tanë, edhe për investimet e huaja të drejtpërdrejta. E kemi përmendur në deklaratë që ka 5% më shumë papunësi, pra, papunësi shumë herë më të madhe në rajonin tonë krahasuar me Bashkimin Europian dhe gjithashtu edhe me rajone të tjera dhe natyrisht kjo ngre alarmin për rajonin tonë, në mënyrë që t’i vendosim në funksion kapacitet tona dhe gjithashtu të krijojmë gjëra e një rajon që do të jetë në të mirë të qytetarëve dhe të krijojmë një hapësirë shumë herë më të respektuar që do të jetë në fokusin e gjithë partnerëve tanë.

Kryeministri Edi Rama: Nëse do të keni mirësinë të lexoni Deklaratën e Përbashkët nga fillimi deri në fund, deklarata nënvizon natyrën gjithëpërfshirëse të kësaj iniciative. I vetmi ndryshim është që nuk na ka mbledhur këtu ndonjë kujdestar nga Brukseli, apo nga vende mike dhe partnere jashtë nesh, por na ka mbledhur këtu nevoja për të rritur ekonominë, nevoja për të ulur papunësinë, nevoja për të luftuar krimin e organizuar transnacional, nevoja për të luftuar emigracionin e paligjshëm, nevoja për të përmirësuar kushtet e jetesës së të gjithë qytetarëve, nevoja për të rritur shpejtësinë e shkëmbimeve dhe për të garantuar në këtë rajon katër liritë themelore, të munguara sot e gjithë ditën, që janë në bazë të Europës së Bashkuar. Kjo na ka mbledhur këtu.

Nga ana tjetër e kemi bërë shumë të qartë në deklaratë se nuk do të presim dhe nuk do të rimë në vendnumëro në funksion të çuarjes përpara të të gjitha atyre pjesëve të një plani të përbashkët, të miratuar në kuadër të Procesit të Berlinit, që sot e gjithë ditën ka mbetur në letër. Nuk do të presim, do të shkojmë përpara dhe patjetër që do të bëjmë gjithçka na takon që kjo të ndodhë për të gjithë sëbashku, për të gjitha vendet e rajonit, jo thjesht për tre vende.

Synimi ynë i përbashkët është e nënvizuar, të jemi pjesë e familjes së madhe të Europës së bashkuar, por ndërkohë që familja e madhe e Europës së bashkuar ka problemet e veta të brendshme, ne nuk mund të jemi peng i të shkuarës dhe as peng i mosdakordësive të qarta në dëm të fëmijëve që po rriten në të gjithë këtë rajon dhe që meritojnë nesër të jetojnë në një zonë ku të katër këto liri janë të garantuara dhe ku i gjithë rajoni, jo thjesht individualisht, por edhe si i tërë, jep një shembull të qartë që nuk është zonë e kategorisë së dytë, nuk jetojnë qytetarë të kategorisë së dytë dhe nuk është asnjë fidanishte për të bërë eksperimente në pritje që familja europiane të jetë gati të na përqafojë dhe të na ulë në tavolinë.

Është gjithçka në funksion të së ardhëm europiane, në funksion të së ardhmes së fëmijëve tanë, por, duke e parë të tashmen, jo si një kohë që duhet kaluar në pritje, por si një kohë që duhet punuar intesivisht.

Kemi rënë dakord që të takohemi në Ohër përsëri dhe po ashtu kemi rënë dakord që do të ftohen të gjithë të tjerët, pa diskutim. Ama nuk diskutohet gjithashtu, që një situatë e njohur përsëritjesh së probleme këtu dhe atje na mbajnë peng që të gjithëve. Duhet të shkojmë përpara, sepse mund të jetë më e lehtë që të rrimë nëpër barrikada dhe të evokojmë të shkuarën në funksion të simpative të momentit, por është më e keqja që mund t’i bëjmë fëmijëve tanë. Pra, asnjë shqetësim në asnjë aspekt.

E rëndësishme është që të garantojmë atë që kemi marrë përsipër. Brenda vitit 2021, ky territor, pra, territori që mbulohet nga vendet e Ballkanit Perëndimor të jetë një territor ku të katërta liritë të mos jetë më një aspiratë, por të jetë një realitet, ku, mbi të gjitha, liria e lëvizjes së të gjithëve të bëhet njësoj si në Zonën e Shengenit.

Miqtë tanë europianë duan të kenë copyrite të emrit dhe kur unë them “Shengen”, thonë “ç’është ky Shengen”, mund t’i gjejnë një emër, s’ka problem, por do të jetë e njëjta gjë. Kush hyn nga në një nga vendet tona do të jetë i lirë të qarkullojë në të gjitha vendet ngado që të vijë. Garancia do të jetë bashkëpunimi për sigurimin e gjithë perimetrit të jashtëm.

Në ndërkohë, kjo është e dakordësuar, vullneti është i plotë për ta bërë me të gjitha vendet. Nuk ka asnjë veto, – këtë e them për audiencën shqiptare, – nga ana e Presidentit, apo nga ana e Serbisë për askënd dhe për asgjë.

Ky është një moment kapërcimi historik, sepse, kur unë flisja për Shengenin dhe kufijtë e hapur, menjëherë ngriheshin lloji-lloji hipotezash nga të gjitha anët. Ja pra ku erdhëm në këtë ditë, tani duhet ta bëjmë realitet, që njerëzit në këto territore të mos pengohen nga 26 milionë orë pritje në vit për të kaluar një kufi. Shikoni dhe një shifër tjetër, është 5-fish kostoja e qytetarëve, krahasuar me Bashkimin Europian, për të kaluar nga një kufi në tjetrin. Këto kostot nuk kanë pse t’i paguajnë qytetarët. Historia boll na ka lënë mbrapa, por nuk mund të vazhdojë të taksojë të ardhmen tonë. Taksat i vendosin parlamentet e zgjedhur, taksat nuk i vendos historia. Faleminderit!

A ka ndonjë parashikim nga aspekti ekonomik lidhur me përfitimet ekonomike që ne si qytetarë të thjeshtë do të nxjerrim prej kësaj dhe kur?

Presidenti Alexander Vuçiç: Ajo çfarë ju po pyesni zoti Brankovviç është një pyetje thelbësore. Kjo është diçka për të cilën jemi mbledhur këtu.

Jemi mbledhur këtu, duke treguar respekt për njëri-tjetrin, nuk po flasim për dashuri, por me këtë respekt, kjo ka lidhje me përftimet e qytetarëve. Nuk është se jemi mbledhur këtu për të ndenjur, por kemi sjellë gjëra fantastike për vendin tonë dhe po përpiqemi të jemi konkretë. Kemi disa ekspertë këtu, të cilët do të përgatitin një studim tërësor deri në 10 nëntor që do takohemi në Ohër. Ne besojmë që ajo çfarë duhet të bëjmë në këtë 1 vit e gjysmë, nëpërmjet këtyre masave, mund të rrisim me 20% nivelin e tërheqjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta, për të patur së paku 20% më tepër investime në secilin prej vendeve tona. Përmirësimi i përgjithshëm i mjedisit ekonomik, punimi në hapësira dhe kushte të njëjta dhe hapja e kufijve, siç u dëgjua edhe nga kolegët e mi, pra, po flas për nivelin e investimeve të huaja dhe vlerësimi ynë, siç iu thashë, është që të rritet minimalisht me 20%. Natyrisht kemi fabrikat e automjeteve në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut dhe ato kanë probleme me gjetje të krahut të punës. Kështu që duke vepruar sëbashku në disa prej pikave kufitare, atëherë ata mund të shkojnë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut e kështu me radhë. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me Shqipërinë, duke vendosur rregulla të përbashkëta për subvencionet. Kjo do të japë gjithashtu përfitime.

Ideja është që kjo është diçka që do t’u bëjë mirë të gjithëve dhe kjo është thelbësorja për ne. Kostot tona operative janë 7-9 % më të larta sesa çmimi i mallrave dhe shërbimeve. Kjo 7-9 % janë para që janë për punonjësit, për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kjo mund të përfshihet, të bëhet pjesë e pagës së tyre. Dhe kjo vetëm nga koha e pritjes së kamionëve. Kjo do të sjellë edhe përfitim, rritje të fitimeve.

Nuk dua të flas sesa shumë dëgjohet zëri ynë, kur nuk jemi secili më vete, kur unë s’jam më vetë dhe kur të tjerët nuk janë më vete. Kur jemi sëbashku themi kjo është kërkesa jonë, kjo është thirrja jonë. Në fakt, kur ke persona, të cilët përfaqësojnë 12 milionë është zëri më i fortë, seç mund të jetë zëri individual i vendeve të tjera më vete. Pikë së pari, gjithçka që bëj është për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve në mënyrë që ata të kenë paga dhe pensione më të mëdha dhe pa këto nuk e bëjmë dot një gjë të tillë.

Duke qenë se zoti Rama foli për këtë dhe ndjesë që po marr kaq shumë kohë, kemi pritur gjatë gjithë kohës për një gjykim, kemi pritur të na thonë çfarë mund të bëjmë apo jo. Jemi të gjithë në rrugëtimi drejt Bashkimit Europian, mbështesim njëri-tjetrin, por ne vendosëm të bëjmë diçka për vete, të vendosim për fatin tonë dhe të vendosim vetë se çfarë mund të bëjmë për qytetarët tanë dhe jo të presim të tjerët se çfarë mund të bëjmë. Të presësh për dikë e të presësh se çfarë vjen, na humbet ditë dhe çdo ditë ka rëndësi. Përse të mos e bëjmë vetë dhe përse të mos bëjmë më shumë, kush na ndalon?

Kështu që jam shumë i lumtur për këtë dhe për çdo gjë që mund të bëjmë. Të gjithë ata që e lexojnë këtë deklaratë nuk besoj se do ketë ndonjë që të ketë ndonjë që të ketë ndonjë gjë kundër, nuk besoj se ka ndonjë agrumet kundër këtij projekti. Së fundmi ne vendosëm që ta marrim fatin në duart tona dhe ndjesë që fola kaq gjatë.

Kryeministri Zoran Zaev: Faleminderit për pyetjen! Është shumë rëndësishme që përmes kësaj pyetjeje, qytetarët të jenë në gjendje që të kuptojnë frymën dhe objektin e kësaj deklarate në një fjali. Objektivi kryesor është standard më i lartë ekonomik për qytetarët tanë, më shumë para për qytetarët tanë, fuqi më të madhe ekonomike për qytetarët tanë dhe po kështu, një ekonomi më e qëndrueshme, punësim, vende pune të reja, më shumë vende pune e kështu me radhë. Në nivel mikro, kjo nënkupton e drejta për të rinjtë që të studiojnë lehtësish në çdo pjesë tjetër të rajonit, nënkupton që ata ta kenë shumë herë më të lehtë që të punësohen në vendet e tjera të rajonit, nënkupton që për ato shoqëri që kanë doktorë, inxhinierë në Shkup, në Tiranë mund ta bëjnë këtë dhe mund t’i punësojnë ata nëpër të gjithë rajonin. Kur investohet në fabrika, apo kur hartohen plane për forcën e punës, atëherë mund të merret në konsideratë i gjithë rajoni, ose pastaj dikush që prodhon speca jeshilë, apo një produkt tjetër, apo ka një plan të vetin si prodhues, ne, p.sh, kemi shembullin e prodhuesve që kanë prodhuar në Bitola që mund t’i shesin vetëm në Kumanovë apo Shkup, ndërkohë që me këtë që po bëjmë, ata mund t’i shesin në Beograd, Sarajevë, Tiranë. Pra, do të jemi 6 vende, nuk jemi vetëm ne tre vende që jemi bërë sëbashku me 12 milionë qytetarë. Nëpërmjet kësaj nisme, ne do t’u delegojmë besimin institucioneve tona respektive në vendet tona, p.sh, në qoftë se agjencia veterinare dhe e ushqimit certifikon një produkt nga cilësia, atëherë kjo cilësi do të njihet në të gjitha tregjet e Bosnjës, të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e kështu me radhë, të gjitha vendet tjera do ta marrin si të mirëqenë. Kjo do të çojë në një rritje më të madhe edhe të PBB-së, do të hapë vende të reja pune, do të rritë sigurinë e punësimit në vendet tona, do të sigurojë qarkullimin e lirë të shërbimeve, mallrave dhe kapitaleve në gjithë rajonin.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, është shumë e qartë që kostot e kësaj situate shumë e shumëvjeçare janë në sytë e kujtdo që do të shikojë. Kostot e pritjes me shekuj në një vit në kufi, kostot e çdo qytetari që kalon kufirin. Shikoni vetëm çfarë kostosh ka një qytetar që nga ana tjetër e kufirit tonë vjen për në Shqipëri që jemi ngjitur dhe pastaj llogarisni se çfarë do të sjellë ulja e gjithë këtyre kostove. Por, natyrisht, pyetja është legjitime dhe kjo na ka mbledhur, jo thjesht të ulim kostot, por të sjellim më shumë ekonomi, më shumë punësim, më shumë të ardhura dhe patjetër një rritje më agresive të pagave dhe pensioneve në gjithë territoret tona. Për këtë kemi angazhuar edhe një grup pune me ekspert të vendeve tona dhe me një ekspertizë të mirënjohur botërisht, pra, ndërkombëtare dhe në takimin e Ohrit do jemi në gjendje që të japim më konkretisht se çfarë të mirash ka i gjithë ky proces.

Dua ta përsëris, nuk ka asgjë në takimin e sotëm që është e panjohur dhe është e pamiratuar bashkërisht nga gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë gjithë Procesit të Berlinit, apo gjatë gjithë ndërveprimeve të tjera. Ka vetëm një gjë të re, vullneti për t’i dhënë një shtysë përpara të gjitha atyre për të cilat kemi rënë dakord dhe kanë mbetur në letër dhe për të mos pritur që këtë ta bëjnë të tjerët për ne, për të mos pritur që të gjejmë për çdo gjë dakordësinë e të tjerëve, – kur them të tjerët, kam parasysh miqtë dhe partnerët tanë që janë të mirëseardhur të kontribuojnë, – por ne nuk kemi më mundësi të presim si rajon dhe kjo është ajo që po themi sot.

Ndërkohë që tre vendet që sot nuk janë këtu të pranishme, nuk janë absolutisht as të përjashtuar dhe as të vendosur në një korsi tjetër. Janë të mirëpritura qysh në takimin e radhës të na bashkohen. Ndërkohë të gjithë ne këtu jemi në dispozicion të një projekti të përbashkët, për të krijuar një hapësirë të përbashkët. Kam dëgjuar lloj-lloj kritikash lidhur me këtë hapësirë, të gjitha janë – me gjithë respektin – kritika që nuk sjellin alternativë, por thjesht nisen nga status quo dhe e shkuara. Ne nuk mund të mbyllim sytë përpara fakteve, përpara shifrave dhe përpara mundësive. Janë mundësi të jashtëzakonshme.

Po i tregoja mbrëmë Presidentit dhe Kryeministrit se në një guidë turistike të mbretërisë shqiptare, një guidë fare primitive e kohës, e printuar me mjetet e kohës, oferta turistike i tejkalonte kufijtë e sotëm dhe kushdo që vinte në atë numër të vogël në Shqipëri, në atë kohë, për të vizituar Shqipërinë, merrte në dorë një guidë turistike që shkonte përtej territorit të Shqipërisë. E pra, çfarë na pengon që 2 milionë, apo më shumë se 2 milionë turistë që vijnë vizitojnë kryeqytetin e Serbisë të kenë akses të shpejt dhe të menjëhershëm në mrekullitë e natyrës së Shqipërisë, apo të Maqedonisë së Veriut, apo dhe më gjerë? Na pengon vetëm burokracia dhe pengmarrja e historisë. Ndërkohë që fëmijët tanë na kërkojnë të bëjmë këtë, pikërisht këtë, t’i japim mundësi vetes dhe njëri-tjetrit që duke i bashkuar forcat, duke bashkuar pjesët tona të ofertës, sepse ju keni një vend të bukur, por s’keni një vend me det, ne kemi një vend të bukur, por, nëse bashkohemi me ju, atëherë kemi një ofertë shumë më të gjerë për të bashkëpunuar në funksion të rritjes ekonomike, të rritjes së punësimit, të hapjes dhe të integrimit. Po kështu për investimet. E tha Kryeministri, e tha Presidenti dhe po i marr Presidentit kohën që ai kurseu. Është e pamundur që ne të atraktojmë investime të mëdha të huaja, në rast se nuk shikojmë se tregjet tona janë shumë të vogla dhe shumë të mbyllura. Serbia është sot me një pozicion lidershipi në rajon për investimet e huaja, por edhe për Serbinë ka ardhur një moment që është shumë e vogël për të pretenduar më shumë, ose aq herë më shumë, sa do duhet për t’ju përgjigjur sot njerëzve, jo për t’u thënë mbas 100 vjetëve do rroni më mirë. E pra, hapja dhe krijimi i mundësive për investitorët që të investojnë në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por tregun ta kenë të lirë, jo të mendojnë që po prodhoj këtu, por për të shkuar për të shitur prodhimet në anën tjetër më duhet të rri me mijëra vjet në doganë, në pritje.

Janë gjëra shumë të thjeshta, nuk po them asgjë që është e panjohur, thjesht kjo sot është shprehja e vullnetit për të çuar përpara një proces, të cilit tanimë i ka ardhur koha të implementohet. Viti 2021është objektivi ynë për të garantuar që ky rajon të jetë i hapur dhe në ndërkohë, patjetër, çështjet e hapura janë çështje që duhen zgjidhur, por edhe ky proces do të lehtësojë procesin e zgjidhjes së çështjeve të hapura, sepse, në fund të fundit, zhvillimi është ai që i bën më të lehta mendjet e njerëzve dhe i bën më të thjeshta komunikimet mes tyre. Shumë faleminderit!

Sot jeni pa përfaqësuesit e BE-së këtu, është më e lehtë, apo më e vështirë për të arritur dakordësi midis jush?

Presidenti Alexander Vuçiç: Jemi të gjithë në faza të caktuara, por në rrugëtimin tonë drejt BE-së, jemi miq, por përfaqësojmë vende sovrane të përgjegjshme dhe serioze. Asnjëri prej nesh nuk është i papjekur, pra, si vende për të kërkuar mentor apo tutor, pra, për aq sa më takon mua, të gjithë miqtë nga BE-ja janë të mirë se ardhur, por, siç e keni parë vetë, besoj në 10 nëntor do jemi në gjendje të flasim po kështu, sërish hapur e në mënyrë konstruktive, pra, do të vazhdojmë në rrugëtimin tonë drejt BE-së, do kujdesemi për qytetarët tanë, për popullin tonë, për vendet tona dhe askush nuk mundet dhe nuk duhet ta marrë këtë të drejtë nga ne.

Mos harroni që në Kombet e Bashkuara, kur dhashë fjalimin, theksova se cila është agjenda e programit të Serbisë dhe kam përshtypjen që të gjithë ata që e kuptojnë se çfarë po ndodh në Europë dhe në botë e kuptojmë që popujt e Ballkanit duhet të marrin fatin e tyre në dorë për të vijuar proceset e tyre, por duhet të marrin fatin në duar e tyre, për t’u dhënë një jetë më të mirë qytetarëve të tyre. Në qoftë se rrimë pa bërë gjë, atëherë s’do bëjmë asgjë. Duhet që të marrim një rol aktiv dhe do të bëjmë gjithçka dhe kjo që do të bëjmë, nuk do të shqetësojë askënd nga Europa dhe natyrisht do të kursejmë edhe ca para, sepse ata nuk do të sjellin njerëz shtesë, si të thuash, këtu.

Kryeministri Zoran Zaev: Do doja të falenderoja miqtë e mi, që kanë qenë të mrekullueshëm dhe shpresoj fort që mikpritja ka qenë e kënaqshme. Asnjëherë nuk ka qenë e vështirë që të bashkëpunojmë, apo të diskutojmë diçka pa partnerët tanë nga Bashkimi Europian, thjesht ka ardhur koha të bëjmë diçka vetë, të bëjmë diçka më shumë, që të organizohemi e të biem dakord vetë për disa gjëra. Natyrisht përfaqësuesit e Bashkimit Europian janë të mirëpritur, por kjo nisëm që ne po e lançojmë sot synon që t’u sjellë përfitime të mirëfillta të gjithë qytetarëve në rajon, por po kështu edhe në raport me Bashkimin Europian, si dhe në kuadër të integrimit, apo përpjekjes tonë për integrim nëpërmjet Procesit të Berlinit dhe nëpërmjet agjendës tonë të reformës ekonomike. 80% e kohës shpenzuar në kufijtë tanë, apo koha që shpenzojnë mjetet e transportit në këtë kuadër çon në humbjen e 1 miliard eurove në pikat kufitare, kur bëhet fjalë për transportin e mallrave, qoftë edhe të udhëtarëve. 1 miliardë është PPB-ja e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është ndërkohë një përqindje e caktuar e një rajoni të tërë prej 20 milionë qytetarësh. Na duhet të bëjmë diçka për të ecur më përpara me këtë proces, është e lehtë të bashkëpunojmë dhe shpresoj që do jetë po kaq e thjeshtë edhe me vendet e tjera.

Kryeministri Edi Rama: Është ndryshe, nuk është as më e lehtë, as më e vështirë. Nuk ka një ndryshim agjende, në raport me të gjitha angazhimet e dakordësuara me partnerët tanë europianë në funksion të Ballkanit Perëndimor, por ka një ndryshim formati që është i ndërtuar mes nesh, pa pritur që Bashkimi Europian të ketë kohë për t’u marrë me ne. Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i Bashkimit Europian. Prioriteti i Bashkimit Europian është vetë Bashkimi Europian, është vetë procesi ku kanë hyrë për të reformuar Bashkimin Europian. Ndërkohë që ne nuk mund të presim që të bëhemi prioriteti i Bashkimit Europian, për të çuar përpara gjëra që i kemi dakortësuar me njëri-tjetrin në të gjashtë vendet, e përsëris jo vetëm në këto të tria, por dhe me Bashkimin Europian. Ne duhet të avancojmë, duke strukturuar një ndërveprim shumë më aktiv. Nuk është e rastësishme që për një muaj do të takohemi në Ohër, apo që një muaj më pas do të takohemi në Shqipëri, duke ftuar dhe patjetër shpresoj garantuar që të gjithë të jenë aty. Ky intensitet takimesh do të thotë nevoja për të krijuar një rrjet funksional ndërveprimi të ekspertëve të institucioneve për t’i vënë në jetë ato që janë shkruar dhe nuk janë zbatuar.

Para se të hynim këtu, po flisnim me Presidentin për një marrëveshje që duhet nënshkruar mes Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Serbisë për librat shqip për shqiptarët që jetojnë këtu dhe është një marrëveshje për të cilën po diskutohet prej kohësh, vitesh, do të finalizohet në takimin e Ohrit, do të jetë e mbaruar. Pra, shumë gjëra kanë mbetur nën radarin e lidershipit kudo, për arsye se njëmijë e një probleme të tjera na okupojnë çdo ditë dhe për arsye se mungon ky rrjet ndërveprimi. Kështu që nuk është më e vështirë, të jeni të sigurt, nuk e kemi më të vështirë meqë nuk janë miqtë tanë këtu, më e lehtë nuk është se nuk ka pse të jetë më e lehtë, është një sfidë e vështirë në vetvete, por është ndryshe. Padiskutim që ne do të ftojmë të gjithë ata që mund të na ndihmojnë me kontributin e tyre, por nuk do presim asnjë. Ky është thelbi".

Deklarata e përbashkët



nga

presidenti i Republikës së Serbisë, kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut

për

ZBATIMIN E KATËR LIRIVE TË BASHKIMIT EUROPIAN NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Ne, të vetëdijshëm për përgjegjësinë për të formuar fatet e vendeve tona, angazhohemi të forcojmë paqen, barazinë, shtetin e së drejtës dhe prosperitetin për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm në Europën Juglindore.

duke njohur rëndësinë e perspektivës sonë të përbashkët të pranimit në BE dhe angazhimin e plotë për mbështetje, respekt dhe ndihmë të ndërsjellë në rrugën europiane,

Ne ftojmë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të na bashkohen në këtë përpjekje.

duke shprehur gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin rajonal, për të gjeneruar rritje ekonomike, për të ulur papunësinë, për të luftuar migracionin e paligjshëm, për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe për të përmirësuar mirëqenien sociale të qytetarëve tanë si dhe për të rritur tregtinë, investimet dhe punësimin në zonën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor,

duke marrë parasysh procesin e krijimit të Zonës Ekonomike Rajonale (REA) në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor siç parashikohet nga “Plani Shumëvjeçar i Veprimit”, i miratuar në Samitin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në Trieste, në korrik 2017, si pjesë e Procesit të Berlinit,

duke përsëritur angazhimin për të realizuar Zonën Ekonomike Rajonale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor bazuar në gjithëpërfshirjen dhe në parimet e BE-së për "Katër Liritë": lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, duke u bazuar në angazhimet e bëra nga vendet e rajonit përfshirë gjithashtu CEFTA, OBT si dhe Marrëveshjen e OBT-së për Lehtësimin e Tregtisë, MAP REA e të tjerë,

duke rikonfirmuar angazhimin tonë ndaj Planit Shumëvjecar të Veprimit (MAP), ne mirëpresim progresin që është arritur deri tani në katër shtylla, në tregti, investime, lëvizshmëri dhe integrimin dixhital,

duke marrë parasysh dhe kërkuar përshpejtimin e zbatimit të "Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit midis komuniteteve europiane dhe shteteve të tyre anëtare dhe Republikës së Serbisë", "Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit midis komuniteteve europiane dhe shteteve të tyre anëtare dhe Republikës së Shqipërisë" dhe "Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit midis komuniteteve europiane dhe shteteve anëtare të tyre dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut", dhe angazhimet tona të pasqyruara në strategjinë e BE-së të shkurtit 2018 "Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor”

Si më poshtë vijon ne bëjmë me dije qëllimin tonë për të thelluar Zonën Rajonale Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Që nga Samiti i Selanikut (2003), procesi i bashkëpunimit rajonal u pa si një instrument i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Me fillimin e Procesit të Berlinit (2014) dhe Samitit të Triestes (2017), koncepti i bashkëpunimit rajonal u ngrit në një nivel më të lartë duke futur masa konkrete si në fushat e infrastrukturës, tregtisë, investimeve, lëvizjes dhe dixhitalizmit. Projekti i ndërtimit të një tregu të përbashkët dhe i një rajoni të integruar u reflektua edhe më vonë në Strategjinë e BE-së, në shkurt 2018, “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor”. Kjo përpjekje konsiderohet gjerësisht si thelbësore në krijimin e mundësive të reja të zhvillimit dhe rritjen e kapaciteteve të gjenerimit të niveleve më të larta të rritjes në rajon.

BE ka qenë shtytësja kryesore e transformimit të të gjithë rajonit, të paktën, që nga koha kur u premtua ky zgjerim. Në pritje të anëtarësimit në BE, vetë rajoni kërkon menjëherë një shtytje të konsiderueshme të rritjes. Prandaj, liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë më shumë të angazhuar në nxitjen e potencialit të zhvillimit që është akoma i pashfrytëzuar në Ballkan.

Është e nevojshme një qasje më aktive dhe krijuese ndaj qarkullimit të mallrave dhe kapitalit, lëvizjes së njerëzve dhe bashkëpunimit ndërkufitar, integrimit të shërbimeve dhe punës. Drejtuesit e rajonit duhet të marrin përgjegjësinë për të formuar të ardhmen e rajonit dhe të bëjnë politika që synojnë të sigurojnë lëvizjen e lirë të kapitaleve njerëzore dhe materiale. Kjo është thelbësore jo vetëm për ta bërë rajonin më të integruar, por edhe në nxitjen e zhvillimit të përgjithshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Procesi i integrimit evropian kalon nëpërmjet procesit të bashkëpunimit rajonal.

Të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pavarësisht kësaj, boshllëqet strukturore midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mbeten të konsiderueshme. PBB-ja, me çmimet e tregut, në 28 vendet e BE-së është më shumë se 100 herë më e madhe se ajo e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në vitin 2018 arriti në rreth 108 miliardë euro, ndërsa niveli mesatar i papunësisë në BE, për të njëjtin vit, është pothuajse tri herë më i ulët se ajo e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo tregon se liderët e Ballkanit Perëndimor përballen me një nevojë urgjente për të trajtuar këtë çekuilibër strukturor, që shumë lehtë mund të shndërrohet në pengesë për t’u anëtarësuar në BE në plan afatgjatë. Për më tepër, çështjet e pazgjidhura brenda Ballkanit Perëndimor Gjashtë po pengojnë zhvillimin ekonomik dhe ulin cilësinë e jetës së qytetarëve të saj.

Deri tani, procesi i bashkëpunimit rajonal ka treguar përfitime konkrete për njerëzit e Ballkanit Perëndimor. Që nga viti 2010, më shumë se 600 000 vende pune u shtuan në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe më shumë se 500 000 punëtorë me arsim të lartë hynë në forcën e punës. Kjo kontribuoi në një ecuri më të fortë të eksporteve, në një konkurrencë më të madhe dhe në një prani më të gjerë në tregjet ndërkombëtare. Procesi i bashkëpunimit rajonal siç parashikohet në kuadrin e Planit Shumëvjetor për Zonën Ekonomike Rajonale do të forcojë gjithashtu këto tendenca pozitive. Liderët e Ballkanit Perendimor duhet të veprojnë sipas situatës së re politike dhe ekonomike në rajon. Pjesa më e madhe e qytetarëve të Ballkanit Perendimor besojnë se bashkëpunimi rajonal mund të kontribuojë në mënyrë pozitive në ekonomitë e tyre. Drejtuesit e kompanive shprehen të shqetësuar për kufizimet burokratike, që pengojnë zgjerimin në tregjet rajonale. Janë të nevojshme angazhime politike më të forta për të krijuar kushtet e duhura që të arrihen nivele më të larta e më të qëndrueshme në rritjen ekonomike. Lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe e punës anëmbanë rajonit është mënyra më e mirë që një rajon i vogël të ketë rritje në një ekonomi të globalizuar dhe vazhdimisht në ndryshim. Kjo përpjekje do të bashkojë rreth 20 milionë njerëz në një treg të përbashkët dhe të unifikuar duke përmirësuar standardet e jetesës në të gjithë rajonin, duke siguruar mundësi për qytetarët tanë dhe duke e përgatitur të gjithë rajonin për anëtarësimin e ardhshëm në BE. Ky projekt frymëzohet nga modele tashmë ekzistuese dhe të suksesshme të rajoneve pa kufij si Benelux dhe Rajoni Nordik. Qëllimi përfundimtar i kësaj përpjekjeje është që të imitohen disa nga praktikat më të mira, që do t’i jepnin fund pengesave doganore në kufijtë tanë dhe që do të siguronte lëvizjen e lirë të personave, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor. Si hap i parë, ne angazhohemi të eliminojmë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më larg se viti 2021.

Sipas Bankës Botërore, kamionët harxhojnë afërsisht 26 milionë orë në vit në pikat e kalimit kufitar brenda Ballkanit Perendimor. Kjo lë vend për përmirësim të konsiderueshëm të qasjeve tona aktuale, që i bëjnë ekonomitë tona më të ngadalta dhe më të shtrenjta nga sa kërkohet për të konkurruar në ekonominë globale. Njerëzit do të jenë në gjendje që të udhëtojnë në rajon me një kartë identiteti të vlefshme. Do të jenë në gjendje që të punojnë kudo në rajon, sapo të kualifikohen për një vend pune. Diplomat do të njihet në gjithë rajonin. Ne do të shtojmë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe zotohemi të ndihmojmë njëri-tjetrin duke iu përgjigjur urgjencave të tilla si katastrofat natyrore. Kjo është një iniciativë e guximshme dhe ne do të punojmë për arritur rezultate dhe solidaritet praktik, që qytetarët tanë të kenë përfitime. Për këtë qëllim, ne do të takohemi sërish në Ohër, më 10 nëntor./albeu.com/
Shtuar më 10/10/2019, ora 21:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori