Rama vë "sitën" në qeveri, çfarë pritet të ndodhë me 11 ministrat
Në një kohë kur të gjithë ministrat dhe kryebashkiakët socialistë do të raportojnë përpara bazës për punën e kryer gjatë këtyre 6-muajve, kryeministri Edi Rama ka shtuar kontrollet ndaj këtyre të fundit.

Procesi i llogaridhënies do të nisë nga data 15 prill deri në datën 15 qershor, ndërsa në fokus do të jenë punësimet.

Pak ditë më parë u shënua një përplasje brenda PS në Shkodër, ku baza socialiste i kërkoi llogari ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili njëkohësisht është deputet në këtë zonë, se përse i mbajnë në punë militantët e LSI dhe PD ndërkohë që anëtarët e PS vijojnë të jenë papunë, shkruan "Sot".

Por përveç kësaj, ministrat tani do të japin llogari nëse kanë qenë korrekt me ato pak punësime që kanë bërë. Në faqen zyrtare të Komisionerit për Shërbimin Civil është bërë publik plani vjetor i punës për vitin 2018, ku do të mbikëqyren dhe inspektohen të gjitha procedurat e rekrutimit, lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë në institucionet që punësojnë nëpunës civilë, në administratën shtetërore, institucionet e pavarura dhe në njësitë e qeverisjes vendore.

Për tu theksuar është fakti se skanerit për punësimet do t’i nënshtrohen pothuajse të gjithë ministritë.

Më konkretisht, janë 11 ministri që do të verifikohen për këtë çështje, të cilët vijojnë si më poshtë: Ministria e Financave dhe e Ekonomisë dhe institucionet e varësisë; Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e varësisë; Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucionet e varësisë; Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Brendshme; Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë; Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Kulturës; Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Të gjitha këto ministri do të mbikëqyren gjatë gjithë vitit. /albeu.com/

Shtuar më 10/04/2018, ora 10:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori