Hoqën nga priza ventilatorin për të vënë freskuesen, vdes pacienti

Një pacient që dyshohej për koronavirus ka vdekur në Indi pasi familjarët besohet se ia hoqën nga priza ventilatorin për të vënë një freskuese.

Incidenti i çuditshëm ndodhi të hënën e kaluar në spitalin “Maharao Bhimsingh” në rajonin verior indian, Rajasthan, shkruan “Daily Mail”.

Pacienti ishte një burrë 40 vjeç, i cili ishte duke përdorur ventilator në një sektor për izolimin e pacientëve me koronavirus pasi ishte ankuar për vështirësi në frymëmarrje.

Megjithatë, ai vdiq pasi familjarët e tij e larguan nga priza ventilatorin për ta futur freskuesen që e kishin sjellë nga shtëpia për shkak të temperaturave të larta.

Sipas raportimeve të medieve indiane, ventilator kishte funksionuar për rreth 30 minuta me energjinë e baterisë para se të fikej.

Familjarët më pas i informuan mjekët, të cilët i ofruan ndihmë të shpejtë, por më vonë e shpallën të vdekur.

Ky person doli negativ për koronavirus gjatë testit që iu bë pas vdekjes.

Është e paqartë se si kishin arritur familjarët ta vizitonin të afërmin e atyre në repartin e kujdesit nën izolim.


Shtuar 23.06.2020 10:26