Rama: Skanim profileve të mësuesve, në fund të vitit nis akreditimi i universiteteve
Pëlqej
Gjatë një konference për politikat dhe reformën në arsim, kryeministri Rama u shpreh se sistemit të arsimit në Shqipëri i kishte humbur busulla.

Më tej ai nënvizoi se pas një viti pune intensive është rigjetur busulla dhe janë vendosur pika të qarta orientimi, duke nisur nga themeli. Sipas tij, mbetet domosdoshmëri sigurimi i burimeve financiare, për të vendosur standartet në realitet dhe për të zbatuar standartet e arsimit që janë në dokumenta.

“Jemi në një fazë transformimi edhe te arsimi i mesëm, lidhur me maturën shtetërore dhe nga ana tjetër, jemi duke hedhur bazat e një transformimi te futjes së një teknologjie të re në arsimin e mesëm.

Kemi filluar ndërtimin e disa projekteve me kompani të mëdha ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe me Google”, tha më tej ai.

Në një sërë problematikash, ai përmendi mospërputhjen e mësuesve me lëndët që japin. Lidhur me reformën në arsimin e lartë, ai tha se ligji për arsimin e lartë do kalojë në filtrin e Kuvendit. Kryeministri bëri me dije se reforma për arsimin e lartë është në proces, në bashkëpunim me një ndihmë ndërkombëtare, duke cilësuar si sfidë të vërtetë procesin e akreditimit. Rama u ndal edhe tek mbyllja e universiteteve. Ai tha se tashmë të gjitha universitetet që e kanë kapërcyer kontrollin e ligjshmërisë me sukses, do të përballen me testin e akreditimit, test i cili do të bëhet në bashkëpunim me një kompani prestigjioze ndërkombëtare britanike.

Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Rama citoi se procesi i akreditimit nis në fund të vitit, ndërsa e cilësoi si një sfidë më vete jo vetëm për institucionet e arsimit të lartë të financuara nga privatët, por edhe për institucionet e arsimit të lartë të financuara nga shteti. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2014, ora 11:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori