Rama si Erdogani, Robert Ndrenika akuzon kryeministrin për prishjen e Teatrit Kombëtar
Artistët nuk kanë hequr dorë nga mbrojtja e Teatrit Kombëtar pavarësisht se qeveria e ka ndarë mendjen për t'a prishur duke ia vënë truallin në dispozicion oligarkëve pranë saj.

Gjatë një takimi të improvizuar mbrëmjen e së dielës u bë thirrje për mbrojtjen e teatrit deri në grevë urie.

Aktori Robert Ndrenika e krahasoi Kryeministrin Rama me Erdoganin, ndërsa aktori Arben Derhemi tha se teatri do të mbrohet me gjak.

Aktori Neritan Liçaj tha me bindje se nuk do të lejohej asnjë pëllëmbë e truallit të teatrit, ndërsa u bëri thirrje deputetëve të votojnë me zemër dhe jo si numër apo teserë partie.

Regjisori Robert Budina akuzoi Presidentin e Republikës, kryetarin e Kuvendit, por edhe kryetarin e opozitës, se premtimet e tyre dhe mbështetja që u kanë dhënë, ishin gënjeshtra.

Robert Ndrenika: “Kjo që ka ndodhur ishte e papritur për komunitetin teatror. Ishte e papritur për mua. S’marr vesh çfarë po ndodh. Kemi qenë te Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit që na ka dhënë plotësisht të drejtë, opozita është me ne dhe jam shumë i bindur që ka shumë nga Partia Socialiste që janë me ne, por nuk flasin. Nuk flasin se kanë hallet e tyre. Këtu u bë puna si te ‘Tre Musketierët’, ku Kardinali Reshelje më vete dhe të mbretit më vete. Nuk ka lezet kështu, në vitin 2018. Unë them që edhe Prokuroria ta shohë këtë punë, ta hetojë. Përse duhet ta marrë “Fusha shpk”, se ka dhe “Kodra shpk”…, ç’janë këto preferenca? Të vjen keq që nuk e kanë përfillur fare komunitetin teatror, përveç Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit, kurse Kryeministria na ka përbuzur. Duhet të hyjmë në bisedime, nuk vazhdohet me gjëra arbitrare. Vetëm Erdogani i bën këto punë”.

Arben Derhemi: Nuk ka më vend për të qenë njerëzorë. Nuk ka më vend që të jemi ne që takojmë opozitën apo Presidentin e Republikës. Ne duhet të marrim në dorë fatet e këtij teatri. Ky teatër nuk do të shembet. Një diktator, një uzurpator ‘allalla o rezil, o katil allalla/ shtroni udhën me hithr’e me shtog turfanda’.

O kryeministër, që të gënjen mendja se je dikush dhe që mendon se mund të bësh ç’të duash me Teatrin Kombëtar. Të gjithë bashkë do shkojmë deri në grevë urie. Vetëm kur të kalojnë mbi trupat tanë do të shembet Teatri Kombëtar. Nuk e kuptoj ku janë aktorët e tjerë të teatrit. Çfarë prisni që t’ju bëjë më shumë drejtori juaj, çfarë prisni t’ju bëjë më shumë Kryeministri juaj? Deri ku do shkojmë? Do na përdhunojnë ndonjë ditë. Nuk ka më vend për tolerancë. E vetmja rrugë është lufta.

Merrni hunjtë dhe ky teatër do mbrohet me gjak, do apo s’do Kryeministri shqiptar. Do të mbrojmë të gjithë bashkë historinë e këtij vendi, atë që kemi dashur dhe do të duam gjithnjë, që të mos thonë maqedonasit që na thonë shpellarë. Populli i Tiranës të mbështesë Teatrin Kombëtar deri në akte sublime, deri në grevë urie”.
Shtuar më 11/06/2018, ora 11:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori