A ka shqiptarë të vdekur nga tërmeti në Turqi? Përgjigjet Xhaçka

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, i është përgjigjur pyetjes nëse ka shtetas shqiptarë të vdekur nga tërmetet shkatërruese që kanë goditur Turqinë që prej mëngjesit të së hënës.

Në komunikimin e saj për mediet, Xhaçka tha se nuk ka asnjjë informacion për qytetarë shqiptarë që të kenë humbur kontaktet me familjarët e tyre në zonat e prekura nga tërmeti.

Xhaçka: Është situatë e dhimbshme. Sot që flasim nuk kemi asnjë informacion për qytetarë shqiptarë që të kenë humbur kontaktet me familjarët e tyre në zonat e prekura nga tërmeti.

Sot mbërriti në Stamboll ekipi i dytë shqiptar i kërkim shpëtimit pas tërmetit tragjik që deri më tani ka shkaktuar mbi 8 mijë viktima.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. 75 forca po punojnë ditë e natë për të shpëtuar jetët nën rrënoja.

Kujtojmë se ekipi i parë shqiptar prej 53 personash, mjekë dhe specialistë të grupeve të kërkim-shpëtimit, ka mbërritur në Turqi paraditen e djeshme, për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Nuk duhet të harrojmë se gjatë kohës së tërmetit në Shqipëri, më 26 nëntor 2019, Turqia solli ekipet e saj për ndihmë.

Ndërkohë, sot presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vizitoi pjesën jugore të shtetit për të parë nga afër shkatërrimin e shkaktuar nga tërmetet e fuqishme, teksa është rritur zemërimi i banorëve lokalë, të cilët kanë akuzuar autoritetet për përgjigje të ngadalshme për operacionet e kërkim-shpëtimit.

Nga tërmetet masive të së hënës prej 7.8 dhe 7.5 shkallësh, në Turqi dhe Siri janë vrarë mbi 11.000 persona.

Numri i viktimave pritet të rritet, pasi janë shembur qindra viktima në shumë qytete.

Erdogan, që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në 10 qytetet më të prekura nga tërmeti dhe ka dërguar atje ushtrinë për t’iu dalë në ndihmë banorëve, vizitoi qytetin e Kahramanmarshit për të parë nga afër dëmet dhe përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e pranoi se ka pasur probleme në përgjigjen fillestare ndaj tërmeteve masive.

Duke folur për gazetarët në Kahramanmarash më 8 shkurt – rajon që gjendet afër epiqendrës së tërmetit – Erdogan tha se ka pasur probleme me rrugët dhe aeroportet, por shtoi se tani gjërat po përmirësohen dita-ditës.

“Në ditën e parë kemi pasur disa probleme, por në ditën e dytë dhe sot, situata është nën kontroll”, tha ai.

/albeu.com/