Kryemadhi nxjerr provat: Inceneratorët do të djegin mbetjet politike të këtyre viteve (FOTO LAJM)

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është shprehur se Inceneratorët do të djegin mbetjet politike të këtyre viteve.

Kryemadhi shton se përgjegjësia për aferën korruptive të Inceneratorëve ka emër, fytyrë, firmë dhe vulë.

Ajo thekson se çdo ditë që kalon po shohim presion mbi prokurorët e SPAK për të mos hetuar.

Deklarata e Monika Kryemadhit:

Inceneratorët që u nisën për të djegur mbetjet urbane, do djegin mbetjet politike në krye të Rilindjes!

Përgjegjësia penale për inceneratorët ka fytyrë, emër, firmë dhe vulë! Çdo ditë që kalon po shohim sesi presioni mbi prokurorët e SPAK po shtohet, ndaj do vijojmë të zbardhim çdo përgjegjës, me prova e fakte ku rezulton se janë konsumuar vepra penale, me qëllim që nesër të mos ketë askush dyshim, se e vërteta ishte e pamundur për t’u zbuluar.

Ftoj edhe njëherë prokurorët e SPAK, që të hetojnë thellësisht në zbardhje të së vërtetës, si dhe publikun të shikojë dokumentat që kanë firmosur zyrtarët e shtetit të tyre.

Po evidentoj sot para jush përgjegjësinë e Edi Ramës, Engjëll Agaçit, ish Ministrit Koka, në miratimin e një koncesioni të paligjshëm, duke shkelur çdo parashikim të ligjit.

Shikoni sesi, zoti Eduard Ahmeti, në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë së Prokurimit Publik, e ka njoftuar zyrtarisht Ministrin Koka dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, se procedura e përzgjedhur “negocim pa shpallje” për inceneratorin e Elbasanit, NUK PARASHIKOHET në legjislacionin e koncesioneve.

Sekretari i Përgjithshëm, Agaçi, i cili është personi përgjegjës në bazë të ligjit 9000/2003 “Për Organizimin dhe funksioninim e KËSHILLIT TË MINISTRAVE”, për organizimin e rendit të ditës së mbledhjeve të Këshillit të Ministrave, si dhe është personi përgjegjës për verifikimin e përputhshmërisë ligjore të akteve që futen për miratim në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ME VETËDIJE KA VAZHDUAR PROCEDUREN E MIRATIMIT TË VKM PËR FINANCIMIN E NJË KONTRATE TË PALIGJSHME, edhe pas njoftimit nga AGJENCIA E PROKURIMIT PUBLIK.

Mjafton ky fakt për të kuptuar se këta nuk pyesin as ligjin dhe as agjensitë e tyre kur bëhet fjalë për të vjedhur shqiptarët.

Këshilli i Ministrave financon me VKM, një kontratë që rrjedh nga një procedurë e paligjshme (sipas ligjit 125/2013 dhe shkresës së APP). Dhe nuk ndalemi këtu.

Është vetë kupola që kujdeset për lejen e ndërtimit, po po, ai i gjati që nuk firmos kurrë, ai që të gjithë ja punojnë pas krahëve. Është ai që këtë herë nuk ka alibi, pasi me firmë dhe vulë të tij ka firmosur leje ndërtimi për një procedurë të paligjshme.

Faktet janë, le të inkurajojmë të gjithë drejtësinë e re, që t’i shohë siç duhet dhe të veprojë siç ja parashikon ligji!/albeu.com/