Liria e Evropës varet nga fitorja vendimtare e Ukrainës ndaj Rusisë

Nga Leonid Gozman “The Moscow Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Zhgënjimi më i madh i konferencës së vendeve aleate mbajtur në bazën ushtarake amerikane në Ramstein të Gjermanisë të premten e javës së kaluar, ishte dështimi i negociatorëve për të rënë dakord mbi dërgimin në Ukrainë të tankeve gjermanë “Leopard 2”.

Ndërsa një transferim i mundshëm i tankeve nuk u përjashtua tërësisht si mundësi, për këtë çështje nuk u ra dakord, ndërsa trupat ukrainas të vdekur në betejë vazhdojnë që të grumbullohen. Komuniteti ndërkombëtar duket se e ka kuptuar se Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë, ose të paktën se Putini nuk mund të lejohet të dalë fitimtar.

Ky mirëkuptim nuk ushqehet aq shumë nga simpatia për Ukrainën, por nga vetëdija se regjimi i Putinit përbën një kërcënim për të gjithë qytetërimin perëndimor. Nëse Putini e arrin synimin e tij për të shkatërruar Ukrainën, ai nuk do të jetë i kënaqur, por do të vazhdojë “të rimarrë atë që është e tija”.

Kjo do të thotë, se bota e ka kuptuar tashmë se asnjë lloj lëshimi nuk do ta bëjë ndonjëherë të mundur bashkëjetesën paqësore me Vladimir Putinin. E megjithatë një fitore vendimtare e Ukrainës, duket se e tremb Perëndimin, dhe frika e tij nuk është tërësisht e pabazë, pasi humbja e luftës nga Moska do të provokonte pothuajse me siguri një krizë të thellë politike brenda Rusisë.

Në atë skenar, Putini, të cilit i mungon mbështetja elektorale dhe bart “legjitimitetin” e një bosi mafioz, do të humbte plotësisht autoritetin mbi elitën e tij – një proces që tashmë është vënë në lëvizje – dhe bashkë me të edhe pushtetin e tij. Kjo s’do ta shqetësonte domosdoshmërisht Perëndimin, pasi do të jetë shumë më e lehtë të merresh me pasardhësin e tij sesa me vetë Putinin.

Por nga ana tjetër nuk ka asnjë garanci se tërheqja e Putinit nga pushteti do të ishte paqësore. Shumëkush pyet sot sesa e dhunshme dhe e përgjakshme do të ishte periudha e tranzicionit. Dhe është pikërisht potenciali që kjo valë dhune mund të përhapet në Evropë, ajo që shqetëson jo pak politikë-bërësit në Perëndim.

Por shqetësimi kryesor për liderët perëndimorë, është se një Putin i mbërthyer në “cepin e ringut” mund të nisë një luftë bërthamore. Ndërsa kjo frikë është sot më e vogël se disa muaj më parë – kanë ndryshuar vlerësimet si për kapacitetin bërthamor të Rusisë, po ashtu edhe për aftësinë e Putinit për të siguruar zbatimin e një urdhri kaq të çmendur – rreziku i Apokalipsit bërthamor nuk mund të shpërfillet fare nga udhëheqësit e përgjegjshëm botërorë.

Këto rreziqe të mëdha janë arsyeja kryesore pse disa në Perëndim e shohin si më tërheqës skenarin e një lufte të gjatë në Ukrainë sesa një fitore vendimtare të Ukrainës. Kjo bazohet tek ideja se një luftë e gjatë do ta dobësonte Putinin ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht, duke zvogëluar rrezikun që paraqet regjimi i tij.

Gjithashtu, Perëndimi mendon se ndërsa qëllimet e tij mund të mos arrihen aq shpejt sa në skenarin vendimtar të fitores së Ukrainës, skenari i luftës së gjatë ka shumë të ngjarë të minimizojë rreziqet për Evropën, pavarësisht nga vdekjet e panumërta shtesë që do të pasonin.

Ndërsa politikanët perëndimorë bien dakord se këto vdekje janë të trishtueshme, ata nuk do t’i shohin ato si aq tragjike sa të lënë në hije interesat e tyre kombëtare dhe fushatat e tyre të ardhshme elektorale për rizgjedhjen në detyrë. Kjo strategji nuk është vetëm imorale, duke qenë se sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më shumë njerëz do të vdesin.

Ajo është edhe e gabuar, pasi e ka origjinën tek një keqkuptim ndaj regjimit të Putinit. Natyrisht një luftë e pakuptimtë dhe e gjatë, do ta dobësojë Putinin, por nuk do ta detyrojë atë të kapitullojë apo të heqë dorë nga pushteti, qoftë me vullnetin e tij apo me forcë.

Ndërsa numri i të vdekurve po rritet dhe po bie cilësia e jetesës, popullsia ruse do të zhgënjehet gjithnjë e më shumë. Por për sa kohë që Putini i ka forcat për t’i shtypur protestat dhe gatishmërinë për t’i mbyllur gojën kritikëve, popullsisë ruse do të vazhdojë t’i mohohet çdo lloj mundësie për të ndikuar në politikën e qeverisë.

Sigurisht, dikush mund të shpresojë se forcat e Putinit mund të refuzojnë që t’i binden urdhrave. Por ky është një skenar që duhet marrë me rezerva. Pavarësisht kostos së luftës për ekonominë ruse, fabrikat e armatimit do të vazhdojnë të funksionojnë, dhe Putin do të preferonte që populli i tij të vdiste uria sesa të ndalonte prodhimin e armëve.

Ndërsa sanksionet do të bëjnë që çdo armë e prodhuar në Rusi të jetë e një cilësie të ulët, sërish nuk mund të neglizhohet fuqia e saj shkatërruese. Elita e Putinit do të revoltohet vetëm nëse gjithçka do të rrëzohet menjëherë. Vetëm përkeqësimi i ngadaltë i ekonomisë, siç po e vërejmë qartazi në këtë moment, nuk mjafton për t`i detyruar ata që të veprojnë.

E vetmja gjë që di të bëjë Putin, është të garantojë sigurinë e tij. Ndaj ne mund të presim që ai të mbetet në pushtet duke vendosur ligjin e përhershëm ushtarak në Rusi, duke siguruar stabilitetin e këtij vendi pavarësisht se ai do të jetë më i varfër, më i prapambetur dhe madje edhe më agresiv se sa është tani.

Megjithatë, herët a vonë, do të ndodhë frika kryesore e Perëndimit: një konflikt i drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe NATO-s. Prandaj, opsioni i konfliktit të zgjatur

nuk mund të jetë i suksesshëm. Përsa i përket rreziqeve që lidhen me një fitore të shpejtë të Ukrainës, sa më vendimtare të jetë fitorja, aq më të parëndësishme do të bëhen ato, pasi një fitore vendimtare do të zvogëlonte shanset e Putinit për të qenë në gjendje të urdhërojë një sulm bërthamor apo të sigurojë zbatimin e një urdhri të tillë.

Është e vërtetë që rreziqet nuk janë zero, por unë besoj se nuk ka rrugëdalje tjetër. Gjatë fjalimit të tij në Kongresin Amerikan, Zelensky u tha ndër të tjera ligjvënësve amerikanë: “Paratë tuaja nuk janë për bamirësi ndaj nesh, por një investim për të ardhmen”. Në fakt, ukrainasit po luftojnë jo vetëm për veten e tyre, por në emër të të gjithë botës, një botë, shpresa më e mirë e së cilës për neutralizimin e Putinit, është t’i japë Ukrainës armët që do të garantojnë fitoren e saj në këtë luftë. /albeu.com

Shënim: Leonid Gozman është një politikan i opozitës ruse dhe ish-bashkëkryetar i partisë politike Pravoye Delo (Kauza e Drejtë). Ai ka një doktoraturë në psikologji.


Shtuar 25.01.2023 23:16