Salianji “bën bashkë” Ramën e Berishën: E shkuara nis në Kuvend e përfundon në disa “Foltore”

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka hedhur akuza të forta mbi kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Nga foltorja e Kuvendit, Salianji ngriti shqetësimin për ngjarjet e ditëve të fundit në vend. Ai iu referua raporteve ndërkombëtare, duke i cilësuar si lajme të zeza.

“Ka pasur vetëm lajme të zeza në raport me Shqipërinë. Rekord niveli i borxhit publik në 30 vitet e fundit. Ishte një prej lajmeve. Rekord negativ në perceptimin e përhapjes së korrupsionit, i TI që e vendos Shqipërinë nga viti më vit keq e më keq. Pamundësia për të siguruara jetesën, por edhe dorëzimi i shtetit dhe qeverisë për të siguruar ngrohje që fëmijët të shkojnë në shkolla normalisht.

Nga ana tjetër kemi një betejë jo për qytetarët, kanë zënë mediat një gjuhë banale e përfaqësuesit më të lartë të PS në bashkinë e Tiranës, që për shkak të interesave meskine, në të vetmin ishull pushteti pa kontroll ti turret me kuç e me maç. Ashtu si po ndodh këtu po ndodh edhe në vende të tjera, ku shqiptarë vriten në Ekuador për shkak të kontrollit të drogës. Vrasje shqiptari po ashtu në Belgjikë, për shkak të një projekti politik të kësaj maxhorancë që kanalizoi Shqipërinë”, tha ai.

Tallje me qytetarët shqiptarë e cilësoi Salianji nismën e Këshillimit Kombëtar të kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama del dhe thatë me një tallje ekstreme për këshillim kombëtar e quan. Del hapur si një autokrat tjetër që thotë populli e bën partia. Po zgjedh të tallet me qytetarët shqiptarë. Në gjithë këtë situatë shqetësimi më i madh i qeverisë është: a janë dakord shqiptarët për tu legalizuar kanabisi. Kjo është një ndër pyetjet e kryeministrit”, tha ai.

Fjalën e tij e përfundoi me Sali Berishën, që sipas Salianjit është shpallur non grata dhe nuk vjen asnjë ditë në Kuvend. Sipas tij ndarja nga e shkuara është thelbësore.

“Është nisur një betejë për një person që është shpallur non grata dhe nuk ka ardhur asnjë ditë në parlament. Këta që janë përgjegjësit e 30 viteve dhe tani na shfaqen si shpëtimtarë. Prandaj qytetarët shqiptarë janë të qartë për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara që nis këtu dhe përfundon në disa foltore të tjera”, u shpreh ai./albeu.com/