Haradinaj kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës

Kryetari i subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendim që të shtyjnë zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.

Gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj tha se gjendja në veri të Kosovës nuk garanton që zgjedhjet e parapara për 23 prill të sjellin sukses.

“Unë i bëj thirrje Qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim për këtë situatë. Cili do të duhej të ishte ai vendim, unë besoj shumë [se do të duhej të ishte] shtyrja e zgjedhjeve”, tha Haradinaj.

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

“E dini se zgjedhjet e shpallura herën e parë, nuk arritëm t’i mbajmë. Dhe po ashtu e dini se procesi për të mbajtur zgjedhje tash në veri, nuk është i qëndrueshëm”, tha Haradinaj, duke iu referuar shtyrjes së zgjedhjeve në veri, që paraprakisht ishin paraparë të mbaheshin në dhjetorin e kaluar.

Haradinaj tha se është më mirë që Kosova të pranojë “çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër” sesa një “humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve”.

Lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në veri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka marrë vendim për listën e qendrave të votimit.

Deri më tani, për zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë, institucionet arsimore zakonisht janë shfrytëzuar si qendra votimi. Por, kjo praktikë mund të ndryshojë për faktin se shkollat në mjediset serbe në Kosovë punojnë sipas sistemit të Serbisë dhe drejtorët mund të mos lejojnë shfrytëzimin e shkollave për votime.

Një prej opsioneve që është përmendur është që votimit të zhvillohet në stacione policore dhe Haradinaj u shpreh kundër diçkaje të tillë. Ai madje tha se mbajtja e zgjedhjeve në njhë situatë të tillë do të mund të “thellonte pasojat” për Kosovën.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, ka refuzuar që të marrë pjesë në zgjedhje.

Në zgjedhjet e 23 prillit për kryetar të komunave do të garojnë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb./rel/