Rama: Protesta nese tryeza e Presidentit nuk jep rezultat
Albeu.com
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama nuk tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive duke deklaruar se është i gatshëm të ulet për zgjidhjen e krizës në tryezën e Presidentit, por duke vendosur si kusht themelor transparencën e zgjedhjeve.Në një takim me gazetarët e Durrësit duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse do ketë zgjidhje të krizës pas takimit me Presidentin Rama theksoi se PS është e gatshme për t'u ulur në tryezën e Presidentit, në mënyrë që kriza të marrë zgjidhje, por duke hapur kutitë e votimit. Ai pohoi se nëse tryeza me kreun e shtetit nuk jep rezultat, atëherë opozita do i rikthehet protestave.
"Sot jemi në kushtet kur kemi paralajmëruar përshkallëzim të protestës në kohën kur është hapur mundësia e një dialogu falë ndikimit të komunitetit ndërkombëtar që është shprehur për hetim të zgjedhjeve duke pranuar tezën themelore të protestës tonë. Jemi të gatshëm të ulemi në kohën që Presidenti të thërrasë tryezën dhe të kërkojmë zgjidhjen në tryezë, një zgjidhje që është e pamunduar pa hapjen e kutive të votimit", theksoi ai.

Rama pohoi se PS nuk e ka filluar protestën me bojkotin e parlamentit, por me një sërë kërkesash për palën tjëtër në raport me Kuvendin.
"Para se parlamenti të konstituohej në shtator në kërkesën tonë prej një sërë pikash kemi parashtruar arsyet pse kushtëzojmë marrëdhëniet me parlamenitn dhe kemi kërkuar që pala tjetër të shprehë vullnetin për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe për të pranuar disa masa paraprake lidhur me barazinë para ligjit duke theksuar se në rast se kërkesat tona merren parasysh ne hyjmë menjëherë në Kuvend", shtoi ai. Kreu i PS-së tha se pala tjetër vendosi bojkotin dhe përshkallëzimin e protestës duke bërë vesh të shurdhër për kërkesat e PS-së. Kryesocialisti theksoi edhe një herë se PS nuk ka asnjë synim për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në tavolinë .

Duke folur për mandatet e deputetëve të PS-së Rama nënvizoi se mandatet nuk do të digjen. "Mandatet tona nuk digjen. Ne jemi të vendosur t'i shkojmë deri në fund kësaj beteje. Mandatet tona janë mandate të popullit opozitar dhe ato as nuk digjen dhe as nuk transformohen në mjet i Fatosit, Saliut apo Metës për të shkatërruar PS-në", theksoi ai.

Kryesocialisti theksoi se hyrja e deputetëve të PS-së në Kuvend pa zgjidhur rrënjët e krizës, do thellonte krizën. Ai shtoi se garanti i zgjedhjeve duhet të jetë sislemi elektoral i çliruar nga korrupsioni.

Ky është bashkëbisedimi i dytë që Rama bën me gazetarët, pas takimit ë parë zhvilluar në Tiranë.
Shtuar më 06/02/2010, ora 20:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori