Rama: Proces transparent për privatizimin e Albpetrol
I pranishëm në samitin dy ditor për energjinë, “Albania olil, gas & energy 2015”, Rama tha se në nisje të qeverisjes u gjet një situatë e komplikuar. Duke i'u përgjigjur interesit të investitorëve të huaj për burimet e Shqipërisë, Rama tha se Qeveria shqiptare do të ofrojë lehtësi për aksesin tek procesi i privatizimeve, si dhe transparencë për këtë proces.

“Shteti do të marrë të gjitha të drejtat që burojnë nga Albpetrol dhe ndërkohë Albpetrol do të ndahet nga blloqet e tjera të naftës që do të vihen në dispozicion të investitorëve.

Për ne ka qenë e qartë që Albpetrol është një atavizëm i një kohe të shkuar dhe një hibrid që nuk mund t’i rezistojë sfidës që vjen. Padyshim që mbetet një aset i vlefshëm dhe ne do të sigurojmë që të gjithë aktorët seriozë që do të shprehin interes të kenë një proces transparent përmes një gare të hapur dhe konkurruese, ku do të ftohen të gjithë të interesuarit. Jemi të bindur që jetojmë në një vend me mundësi unike për veten dhe për rajonin”, deklaroi Rama. Në fjalën e tij, kryeministri ka vënë në dukje se sektori i energjisë ka një hapësirë të posaçme në programin e kabinetit të tij.

“Sektorin e energjisë ne e shohim si një nga burimet më të rëndësishme të ekonomisë sonë. Orientimi ynë është përfshirja në politikat e energjisë të BE-së, ndërsa sa i takon rajonit tonë, fjalët kyçe duhet të jenë 'ndërlidhës' dhe 'ndërlidhje energjitike', për të bashkuar vendet e Europës jug-lindore”, shtoi Rama. “Është me rëndësi që Qeveria të luajë rolin e rregullatorit, që të kontrollohet konkurrenca dhe jo standardet”. /albeu.com/
Shtuar më 17/03/2015, ora 12:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori