Rama premton reformë të thellë: Sistemi i drejtësisë turp kombëtar
Pëlqej
Kryeministri Edi Rama ka shprehur sërish sot vendosmërinë për të çuar përpara reformën në drejtësi, qoftë edhe pa opozitën. Duke folur në konferencën kundër korrupsionit të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka drejtësinë më të korruptuar në Europë, një turp kombëtar që sipas tij duhet të marrë një orë e më parë përgjigje.


“Ne kemi drejtësinë më të korruptuar në Europë. Kemi një sistem drejtësie që është një turp kombëtar botërisht i njohur. Dhe këtu bie dakord me Ambasadorin gjerman dhe gjithë ata që ngrenë supet përballë ndjesisë së një impotence shoqërore kur vjen puna tek përballja me aktet dhe vendimet e gjykatave. Dhe më të drejtë pyesin si ka mundësi që asnjë gjykatës nuk është ballafaquar me ligjin për shkak të shkeljes së ligjit nga ana e tij.
Dhe sigurisht kjo pyetje kërkon një përgjigje konkrete që do ta japin institucionet dhe është e pashkëputur nga përpjekja për modernizimin e sistemit, jemi zotuar për të ndërmarrë një reformë të thellë në drejtësi dhe e kemi filluar. Do ta çojmë përpara me vendosmëri dhe pa parë majtas –djathtas dhe as pa u ndalur për ti mbushur mendjen kujt nuk e do reformën apo kujt e do me ritmet e breshkës” tha Rama.


Si kryefjalë të reformës në drejtësi, Kryeministri sheh modernizimin. E ndërsa rezultatet e kësaj reforme do duan kohë të preken nga qytetarët e thjeshtë, Rama thotë se afrimi i tyre lidhet më ndëshkimin e të gjithë njerëzve të drejtësisë që përdorin çekiçin e gjyaktësit për të shkelur ligjin.


“Reforma në drejtësi është reforma e modernizimit që rezultatet konkrete do të dojë kohë për ti sjellë për qytetarin. Ndërkohë afrimi i rezultateve lidhet direkt me ndëshkimin e të gjithë atyre njerëzve të drejtësisë që çekiçin e gjykatësit e përdorin për të shkelur liri dhe të drejta njerëzish të pafuqishëm.
Në këtë aspekt ne nuk kemi alibi, secili duhet të bëjë detyrën e vetë dhe ne do bëjmë detyrën si qeveri. Reforma në drejtësi është një reformë shumë më komplekse sesa përfshirja e qeverisë, por ne do ta udhëheqim si shumicë parlamentare” tha me tej ai. /albeu.com/

Shtuar më 23/09/2014, ora 11:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori