Rama: Para drejtësisë institucionet që nuk paguan kontributet
Në takimin e organizuar në Kryeministri për reformën e pensioneve, kryeministri Rama tha se do të vihen para drejtësisë të gjithë ata që nuk paguan sigurimet e punonjësve. “Nëse nuk bëhej shumë shpejt reforma e pensioneve, do ta çonim sistemin në gropë, siç vendi ra në gropat e firmave piramidale”.

“Qeveria paraardhëse preferoi jo vetëm ta shtynte, por edhe si në fusha të tjera të aktivitetit të saj, ta zgjidhte në mënyrën më hipokrite dhe më të pabesë me pensionistët, duke bërë disa rritje pensionesh si një frut suksesi të madh, duke hapur pas shpinës dhe në rrugën e të gjithë atyre që ishin drejt pensionit, një gropë të madhe, që pa as më të voglin ekzagjerim, ishin të kërcënuar, siç ranë si shtet në gropën e madhe të hapur nga rënia e piramidave”, tha Rama.

Gjatë deklaratës së tij, Rama ka paralajmëruar institucionet shtetërore dhe sektorët privatë që kanë abuzuar, duke mos i siguruar punonjësit e tyre. Për të, kjo nuk është gjë tjetër veçse një krim ekonomik, si pasojë e keqqeverisjes ndër vite të të djathtëve. “Punonjësit e siguruar me ligj po jo me Maliq, ktheheshin në punonjës në të zezë, dhe merreshin të tjerë në punë nga shteti, mbaheshin në të zezë, dhe kujtonin se paguheshin kontributet për pensionet e tyre.

Ky është një krim ekonomik, ashtu siç është edhe nje batërdi keqqeverisëse. Sepse natyra e kësaj grabitjeje të skemës është e shumëfishtë. Jo në të gjitha rastet është bërë për qëllime elektorale apo korruptive, edhe kur është bërë për verbërinë dhe paturpësinë e një qeverie dhe të një shteti që nuk respekton ligjet e veta, si me institucionet e ushtrisë.

Ne nuk do t’i ndahemi as atyre që kanë abuzuar, dhe ministria ka ngritur grupin për të depozituar pranë prokurorisë të gjitha të dhënat dhe pastaj prokuroria duhet dhe besoj do ta bëjë, të hetojë në të gjitha nivelet natyrat e kësaj grabitjeje. I bëj thirrje të gjithë sipërmarrësve që janë të listuar dhe që sot vazhdojnë të paguajnë punonjës në të zezë dhe rezultojnë debitorë me miliona e miliona dollarë në skemën e pensioneve, të vrapojnë të paguajnë borxhet që u kanë punonjësve të tyre, që kanë detyrimin të japin rrogën dhe ti sigurojnë pensionin, të cilit nuk i kanë skllevër”, tha Rama.

Ai u bëri apel punëmarrësve që të ushtrojnë presion ndaj punëdhënësve për deklarimin e pagës reale të tyre. “Ne nuk kemi ardhur në pushtet për të bërë amnisti. Nuk do të ketë amnisti, jemi të vendosur që ti shkojmë deri në fund këtyre reformave.

Ashtu sikundër po bëjmë me pagesat e energjisë, kur njerëzit e ndershëm të këtij vendi, pensionistë, kategoritë në nevojë, paguanin rregullisht edhe pse të varfër, edhe për ato që nuk paguanin. Kjo situatë dhe situata të tilla do të marrin fund”, shtoi më tej Rama. /albeu.com/

Shtuar më 13/01/2015, ora 12:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori