Aksident në hyrje të Klosit, drejtuesi i motorit gjendet i plagosur në mes të rrugës nga kalimtarët

Një aksident është regjistruar pasditen e sotme në hyrje të qytetit të Klosit. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur ish pazari i vjetër ku një person i cili po udhëtonte me motoçikletë është gjetur përmbys në rrugë i gjakosur.

Kanë qenë kalimtarët e rastit të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë duke telefonuar shërbimin e emergjencës.  Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur autoambulanca e qendrës Shëndetësore Klos dhe e kanë dërguar drejt spitalit.

Burime pranë qendrës shëndetësore Klos thanë se i plagosuri është gjetur në gjendje të rëndë pasi ka pësuar frakturë në pjesën e pasme të kokës. Pasi ka marrë ndihmën e parë në Qendrën Shëndetësore Klos është dërguar me urgjencë në spitalin e Burrelit.

Paraprakisht nuk dihet nëse personi me inicialet D.D është aksidentuar vetë me motorin e tij apo është goditur nga ndonjë automjet që më pas mund të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.

 


Shtuar 1.06.2023 18:10

Tags: ,