Rama: Nuk ka rritje taksash dhe çmimesh
Dhe një herë tjetër kryeministri Rama i ka mëshuar faktit se nuk ka rritje taksash dhe çmimesh. Duke komentuar projektbuxhetin dhe paketën fiskale në Kuvend për vitin 2015, Rama tha se ky është viti i parë i uljes së taksave.

Ai shtoi se me buxhetin e ri, 97% e shqiptarëve do të përfitojnë nga ulja e taksave. “Kemi rritur taksën për naftën, e cila nuk ndikon direkt tek qytetarët. Kemi rritur taksën e duhanit, do ta rrisim prapë, deri kur dhe sa të mundemi. Jemi kundër konsumimit të duhanit sepse jemi pro shëndetit. Kemi rritur një taksë për të cilën 97% e popullsisë duhet ta përshëndesë, taksën për depozitat sepse është një taksë që rritet me synimin që paratë që flenë në banka, të investohen në ekonomi dhe të kthehen në financim për projekte për zhvillimin ekonomik”, deklaroi Rama, duke thënë se vetëm këto janë tre taksat e rritura.

Ai nënvizoi se janë ulur 15 taksa që ndikojnë në vazhdim, në nxitjen e prodhimit që lehtësojnë sipërmarrës dhe fermerë, taksa nxisin eksportet dhe çlirojnë frymëmarrjen e vendit. Sa i takon punësimit, Rama tha se është kryefjala e koalicionit që ai drejton. Sipas tij, nga investimet e reja janë hapur vende të reja pune, gjë që shumë punonjës janë shkëputur nga puna e zezë dhe janë regjistruar 81 mijë punonjës të rinj. /albeu.com/
Shtuar më 27/11/2014, ora 11:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori