Rama: Nuk do ta padis Bashën, vajmedet PD ku të lamë e ku na mbete!
Kryeministri Rama i është kundërpërgjigjur menjëherë deklaratës së Bashës, me të njëjtën monedhë. Në rrjetin social Facebook, ai i është referuar akuzave duke i cilësuar si shpifje.

"Kur shpif ndaj tjetrit, thua gjëra që i ke bërë apo je në gjëndje t'i bësh vetë!", thotë Emmanuel Kant-i, i cili më kujtohet sa herë i dëgjoj lehaqentë të shpifin ndaj meje.

Dhe kur lehaqenia vjen prej atyre që kanë qënë tetë vjet në pushtet, kryeministër, ministra të brëndshem apo kanakare të spikatur të pushtetit që iku, thënia e Kantit bëhet tronditëse. Shpifin duke na akuzuar, duke më akuzuar, për çfarë kanë bërë vetë!

U duket se ne jemi njësoj si ata dhe tanimë që jemi në qeveri, bëjmë atë që bënin ata vetë; bashkëqeverisim me krimin; e përdorim policinë si urë lidhëse me krimin; përdorim kriminelët për të trembur opozitën.

Eshtë e dokumentuar se individi me rekorde kriminale për të cilin na akuzojnë, më akuzojnë-me shpifje për të cilat dy padi penale e civile janë rrugës-, ka qënë aktiv në prishjen e aktiviteteve tona elektorale në betejën e famshme të 2011 për Tiranën.
Gjatë këtyre ditëve të kësaj ofensive shpifjesh, kam menduar vetëm një gjë: Sa shumë, o Zot sa shumë mirë ka bërë vota e 23 qershorit për këtë vend!

Ka shkulur nga pushteti një skotë të lidhur fort me krimin dhe ka hapur rrugën për ta çliruar policinë nga kthetrat e krimit! Ajo votë historike i ka dhënë krahë përpjekjes më serioze e më të qëndrueshme antikrim që një qeveri shqiptare ka bërë ndonjëherë.

Nuk do t'i kërkoj zyrës sime juridike të shkruajë padinë e dyfishtë edhe për Lulëzim Bashën, njësoj si për dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në lidershipin e PD - vajmedet PD ku të lamë e ku na mbete!

Sepse, ndryshe nga ata dy prototipat e rrugaçërisë politike që ka në krah, kryetari i sotëm PD është peng i trishtueshëm dhe i shumëfishtë që meriton vetëm keqardhje.

Ndërkohë, padyshim, mospaditja prej keqardhjes e Lulëzim Bashës, nuk do të përbëjë asnjë pengesë në zbardhjen e çështjes. Le të japin dy shquparakët e tij të vajmedetshëm një provë të vetme për lidhjet për akuzat e këtyre ditëve nga foltorja e PD, dhe Kuvendi le të zgjedhë një kryeministër tjetër. Por në të kundërt, ky është rasti që kjo politikë e shpifur e lehaqenies ndaj kundërshtarit vetëm për të çoroditur opinionin, të ndëshkohet ligjërisht në mënyrën më shembullore. /albeu.com/
Shtuar më 10/01/2015, ora 14:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori