Rama nis "hakmarrjen" pas disfatës me BE: Një plan i ri me Kosovën
Sot Rama paralajmëroi se pas refuzimit të përsëritur nga Brukseli, ka një plan të ri me Kosovën, por u kursye të japë shumë detaje.

Shefi i qeverisë tha se këto ditë do të takohet me kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se ka një nevojë për një shtysë të re në raport me marrëdhënien mes dy qeverive dhe në raport me marrëveshjet e bëra.

"Mendoj që duhet të shkojmë përtej marrëveshjeve të bëra dhe shpresoj që me qeverinë e re të mund të plotësojmë boshllëqet që u krijuan me qeverinë e mëparshme, e cila, faktikisht, në këtë fushë nuk arriti të bëjë shumë".

Në këtë pikë Rama foli për disa propozime të reja, që tha se do t’ia bëjë Albin Kurtit.

"Është momenti për të konsideruar vendosjen e një ministri Shteti në dy anët, ministri i Shtetit për Bashkëpunimin me Kosovën nga Shqipëria dhe ministri i Shtetit për Bashkëpunimin me Shqipërinë nga Kosova dhe për të patur një pikë referimi institucional që merret çdo ditë me procesin e bashkëpunimit, me ndjekjen e marrëveshjeve dhe me gjithë çfarë mendoj se duhet bërë më tutje dhe ka shumë për të bërë", tha Rama pa specifikuar se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm.
Shtuar më 18/10/2019, ora 23:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori