Rama nga Berati: Era e Rilindjes do zprapsë hijen e së shkuarës
Edi Rama
Nga Tirana ku u takua me banorët e Unazës së Re, kryesocialisti Edi Rama së bashku me skuadrën e tij e ka përmbyllur aktivitetin elektoral të së martës në një miting madhështor në Berat.

Gjatë fjalës së tij Rama kërkoi votën e beratasve në mënyrë që era e Rilindjes të fryjë fuqishëm edhe në Berat.

“Për rilindjen që duam për ëndrrën e qytetit të 1000 dritareve që më 23 qershor do të hapen për të futur brenda erën e rilindjes. Era e rilindjes do të hyjë në çdo shtëpi, në çdo rrugë, do prekë çdo fushë dhe rilindja do vijë me restaurimin e gjithë Beratit të vjetër, me kalldrëme në çdo pjesë të Beratit, me fushat e mbjella ku do të ketë ujë në çdo parcelë. Me prodhimin që do krijojë mirëqenie dhe jo mbijetesë. Me shkollat, kopshtet dhe sheshet që do rrisin qytetarët e lirë të BE. Kundër varfërisë, papunësisë kundër taksave që i marrin frymën shtresës së mesme do të fryjë e fortë era e rilindjes”, tha Rama.

Ashtu si edhe për zonën e tij elektorale Vlorën, edhe për Beratin kreu i PS ka premtuar se do bëhet puna që nuk është bërë në 20 vite.


“Era e rilindjes do shkulë të keqen që e ka mbërthyer prej fyti këtë popull. Rilindja që duam do ta lidhë Beratin jo vetëm me Tiranën me një rrugë ashtu siç e meriton, por me një rrugë që do mbushet më shumë me turistë, një rrugë që nuk do ndalet këtu për të dalë tek tre urat, do jetë Berati një qendër e re ku vijnë erërat e perëndimit, era e rilindjes do sjellë zhvillimin e ekonomisë së këtij qyteti, është e pa mundur që unë t’ju shpjegoj se çfarë fati është të gjendesh këtu dhe të shohësh atë që shikojmë nga kjo tribunë. Është tribunë e një përgjegjësie dhe privilegji të madh për t’i shërbyer gjithë njerëzve të këtij qyteti dhe qarku, nga Skrapari në Berat, në Kuçovë e në çdo fshat”, tha ai më tej.

Kryesocialisti Rama i ftoi qytetarët e Beratit të vendosin për Shqipërinë ku duan të jetojnë me votën e 23 qershorit.
Shtuar më 11/06/2013, ora 20:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori