Rama: Nese humb zgjedhjet, i hap rrugen nje drejtuesi te ri
Albeu.com
Kreu i opozitës, Edi Rama, deklaroi dje se për PS-në nuk ekziston një opsion i shtyrjes së zgjedhjeve. Në një intervistë për emisionin "Ora e Debatit", Rama u rrëfye për fushatën, marrëdhëniet brenda së majtës, infrastrukturën zgjedhore dhe qeverisjen e nesërme.Zoti Rama, ka një problem thelbësor, që është ndjekur nga media dhe ndërkombëtarët, lidhur me kartat e identitetit. Në thelb, cili ka qenë problemi dhe çfarë rrezikon kjo çështje për standardet e 28 qershorit?

Qeveria ka dështuar ta garantojë procesin, të garantojë transparencë dhe njëkohësisht edhe sigurinë në këtë proces. Ju e keni dëshmuar, të tjerë sy të vëmendshëm, të tjera burime të pavarura të informimit e kanë dëshmuar që ky proces është karakterizuar nga konfuzioni, është karakterizuar nga episode të papëlqyeshme dhe është karakterizuar nga mungesa e garancive se të gjithë do të mund të votojnë më 28 qershor me një kartë identiteti që do ta kenë në dorë. Nga ana tjetër, unë jam plotësisht i bindur që kjo është një shprehje e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie, por edhe e një vesi të vjetër të Sali Berishës, i cili nuk e ka në formimin e tij dhe nuk e ka në mundësitë e tij të të kuptuarit të botës, lirinë e të tjerëve për të zgjedhur. Megjithatë ne do të shkojmë përpara. Unë përfitoj edhe nga rasti që më jepni, t‘u bëj apel të gjithëve që të shkojnë të tërheqin kartat e identitetit dhe që t‘i japin vlerë aplikimit të tyre, duke e marrë kartën dhe për të votuar më 28 qershor për ndryshimin e madh, për të bërë të mundur që më në fund qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi të kenë jo vetëm kartat, por edhe pasaportat e tyre biometrike dhe ky vend të plotësojë të gjitha ato kushte që janë lënë jashtë paketës së fundit të liberalizimit të vizave, ku përfshihet edhe Serbia, e cila vetëm pak vite më parë ishte tërësisht e izoluar dhe ku ne mbetëm jashtë, jo për shkak se Europa nuk e mirëpret Shqipërinë, jo për shkak se shqiptarët dhe shqiptaret nuk e meritojnë që pas 18 vjetësh të lëvizin lirisht përtej kufijve të tyre, por sepse ne qeverisemi nga një Kryeministër dhe nga një oborr i cili sheh vetëm interesat e veta dhe nuk është në gjendje të garantojë kushtet që Shqipëria të heqë kufijtë me Bashkimin Europian dhe shqiptarët të lëvizin lirisht në Bashkimin Europian. Aq e rëndë është kjo, sa njerëzit duhet të kuptojnë që për shkak të keqqeverisjes dhe për shkak të paaftësisë, sot jemi përpara një perspektive të zymtë, pasi jo vetëm vështirësia për të shkuar në Itali, Greqi e gjetkë mbetet po ajo, por do të jetë po e njëjta vështirësi për të kapërcyer kufirin e Maqedonisë apo Malit të Zi, që janë përfshirë në paketën e re të liberalizimit, që do të duhet të plotësojnë të njëjtat standarde duke kërkuar të njëjtën procedurë për shqiptarët dhe shqiptaret. Tanimë gjenden në një ishull si një kurth për shkak të Sali Berishës dhe të oborrit të dështuar që ka vetëm një funksion, të bëjë interesin e biznesit familjar të Kryeministrit dhe t‘u hapë rrugë vetëm klientëve të pushtetit të kësaj familjeje.

Meqë ishim te kartat, a është më opsion shtyrja e zgjedhjeve për shkak të tyre?

Për ne, shtyrja e zgjedhjeve nuk ka qenë asnjëherë një opsion. Për ne, zgjedhjet duhet të mbahen në afatet kushtetuese. 28 qershori është dita kur njerëzit duhet të vendosin për t‘u ndarë nga kjo politikë e vjetër e së shkuarës, njerëzit duhet të vendosin për të dalë nga kurthi ku po i mbyll përditë e më shumë kjo politikë që tjetër thotë e tjetër bën, tjetër premton dhe tjetër realizon, për njerëzit flet gjithë ditën dhe për vete punon gjithë natën dhe për të pasur qysh vitin e ardhshëm një Shqipëri pa kufi; një Shqipëri ku drama e qindra e mijëra familjeve që vazhdojnë të jenë të ndara mes fëmijësh emigrantë dhe prindërish që nuk shkojnë dot te fëmijët e tyre, apo motra e vëllezërish që janë në emigracion dhe nuk vijnë dot kur e si të duan në Shqipëri dhe të tjerë që janë këtu dhe nuk shkojnë dot te motrat dhe vëllezërit e tyre, duhet të marrë fund. Nuk jemi më në kohën e mërgimtarëve të parë, të cilët komunizmi i ndalonte që të komunikonin me familjet dhe familjet e të cilëve e kishin të pamundur të bashkoheshin me prindërit apo bijtë e tyre. Jemi 18 vjet pas shembjes së komunizmit dhe është një padrejtësi e patolerueshme. Asnjë ditë më shumë përtej 28 qershorit, familjet shqiptare s‘mund të jenë të ndara dhe emigrantët e këtij vendi, të cilët janë shtylla që mbajnë ekonominë e këtij vendi dhe ekonominë e shumë familjeve, s‘mund ta kenë të pamundur një komunikim normal dhe një vajtje-ardhje normale mes vendit ku jetojnë dhe Shqipërisë, e po kaq të pamundur ta kenë dhe familjarët e familjaret e tyre.

Zoti Rama pse nuk kandiduat pwr mandatin e deputetit?

Sepse, siç e kam bërë të qartë, unë kam një kontratë të nënshkruar me vullnetin e dy anshëm, timin dhe të qytetarëve e qytetareve të Tiranës, dhe kjo kontratë nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme, por kërkon me patjetër konsensusin e palës tjetër, që është populli i kryeqytetit. Unë i kam kërkuar dhe u kërkoj përsëri banorëve dhe banoreve të Tiranës, një mandat për të qenë Kryeministri i Shqipërisë, në mënyrë që Shqipëria të ndryshojë nën shembullin e Tiranës dhe Tirana të transformohet me ritme akoma më të larta. Ritme të cilat do të kishin qenë të tilla nëse do të kishim pasur qeveri kombëtare, me një vizion për kryeqytetin e Shqipërisë, që duhet të jetë një pol zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Një pikë referimi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Arsyeja pse unë kërkoj të jem Kryeministri i Shqipërisë, ka të bëjë edhe me domosdoshmërinë për t‘i dhënë lokomotivës ndryshimin, Tiranës fuqi të reja, për t‘i dhënë këtij kryeqyteti që është bërë një pikë referimi për të gjithë, një ritëm të ri dhe një shpejtësi të re në rrugën e zhvillimit të ri, për të realizuar ato investime strategjike që kjo qeveri, por edhe qeveritë e tjera paraardhëse, jo vetëm i kanë konsideruar prioritete, por shpeshherë i kanë parë si një problem për shkak të nevojës që të frenojnë Tiranën, duke dashur të dëmtojnë bashkinë dhe të më dëmtojnë mua personalisht. Kjo është një politikë primitive e së shkuarës, që duhet të marrë fund. Ne jemi këtu për t‘u shërbyer të gjithë qytetarëve, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që kanë të drejtën e Zotit të kenë pikëpamje të ndryshme, por kanë po ashtu të drejtën e Zotit që të kenë shërbime të njëjta dhe të respektohen po njësoj nga shteti i tyre. Sot ne kemi një shtet, i cili është një vegël në duart e këtij pushteti, që është pushteti i një familjeje të vetme, i një oborri shërbëtorësh të kësaj familjeje dhe i një klientele që punon, duke përfituar nga aksesi i privilegjuar që u jep ky pushtet. Aq e vërtetë është kjo, saqë sot, të gjithëve atyre që janë në fakt shërbëtorët e këtij populli dhe që paguhen nga ky popull- duke filluar nga mësuesit dhe mësueset, duke kaluar te mjekët dhe infermierët, dhe të gjithë nëpunësit e administratës shtetërore janë vënë në një trysni kriminale, në një trysni psikologjike, që është e patolerueshme për një vend europian -u kërkohet me çdo kusht e me çdo çmim t‘i nënshtrohen pushtetit, u kërkohet të dalin me zor nëpër mitingjet e Partisë Demokratike, të Sali Berishës, të Jozefina Topallit dhe të kësaj kompanie të bukur. U kërkohet që të fotografojnë votën e tyre, për ta pasur të sigurt vendin e punës. U kërkohen gjithfarë gjërash që janë pjesë e një trysnie, e cila është absolutisht e patolerueshme.

Kjo fotografi e votës... Na duket sikur jemi në Palermo dhe Sicili...

Është në mënyrë absolute një e vërtetë e hidhur, e cila na vjen nga burime të shumta informimi, që sigurisht ruajnë të drejtën e konfidencialitetit për shkak të kësaj frike që ka kallur dhe po kall përditë në shpirtin e njerëzve Sali Berisha, duke dashur të mbajë me çdo kusht pushtetin. Por, në rast se ka një gjë që është në dritën e diellit, për të cilën keni folur edhe ju, kanë folur dhe media të tjera, që ndodh përditë, si shprehja më skandaloze dhe më abuzive e një shteti të vënë në gjunjë për interesat e pushtetit, është abuzimi që po bëhet me fëmijët, me prindërit dhe me shkollat. Hapen shkollat të shtunë e të diel për t‘i mbledhur fëmijët e mësuesit bashkë dhe pastaj për t‘i marrë si një kope dhe për t‘i çuar në mitingjet e partisë në pushtet, ose nxirren fëmijët dhe mësuesit nga mësimi gjatë ditëve të shkollës për të njëjtën arsye. Unë dua që kjo histori të marrë fund dhe ne do ta bëjmë këtë histori të marrë fund. Ne do t‘u japim mësuesve në të gjithë Shqipërinë mundësinë të jenë njerëz të lirë, të kenë pikëpamjet e tyre, të marrin pjesë në takimet që dëshirojnë, të kontaktojnë normalisht me opozitën, me kryetarin e opozitës, ashtu dhe me partitë e tjera dhe në kohën e tyre të lirë, jashtë procesit mësimor, të jenë qytetarë të lirë të këtij vendi. Kam parë dhe kam përjetuar nga momentet më të trishtueshme në gjithë këtë rrugëtim në opozitë, pikërisht për të lexuar mesazhet sa herë që shkoja për të bërë takimet me njerëz për Dialogun me Shqipërinë, kur ishte fjala për arsimin, mesazhe mësuesish dhe mësuesesh, që më uronin mirëseardhjen dhe thoshin që nuk mund të vijmë dot t‘u dëgjojmë dhe as t‘u themi se çfarë mendojmë se ju heqim nga puna. Ashtu siç ka pasur plot raste të heqjes nga puna pikërisht se ushtarët e vegjël dhe të verbër të këtij pushteti që nuk ka zemër për të ndjerë Shqipërinë, që nuk ka sy për ta parë shqiptarin e zakonshëm në vuajtjet dhe shpresat e tij, nuk ka veshë për të dëgjuar hallet dhe problemet e njerëzve, ekzekutonin për shkak të ushtrimit të trysnisë, duke nxjerrë njerëzit nga puna. Kjo histori duhet të marrë fund, Shqipëria duhet të jetë një vend i lirë për të gjithë, jo vetëm për disa. Shqipëria duhet të jetë një vend i lirë për të gjithë ata njerëz që nuk kanë mundësi të dalin në ekranin e televizionit për të dëshmuar historitë e tyre, që nuk kanë mundësi të kenë mikrofona përpara për të folur për hallet dhe problemet e tyre, që nuk kanë mundësi të ngrenë zërin për të drejtat e tyre. Për këtë Shqipëri të lirë, unë u kërkoj shqiptarëve votën e 28 qershorit dhe angazhohem solemnisht përpara tyre. Do të marrë fund kjo histori primitive, njerëzisht primitive, që e ka kthyer pushtetin e marrë me votat e popullit në një instrument primitiv, për të përfituar në kurriz të popullit.

Në fakt, në fund të fundit a e dëmton rezultatin e PS-së dhe të mbajë një përgjegjësi moskandidimi? A krijon ky një problem psikologjik te zgjedhësit?

Këto janë kritika që kanë ardhur nga ajo që, siç edhe ju e dini dhe e dëgjoni me buzëqeshje, është për mua Shqipëria e politikës së bulevardit, e politikës së vjetër të bulevardit. Ndërkohë që nuk e kam ndjerë këtë shqetësim askund nga qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi, aq më pak nga qytetarët dhe qytetaret e Tiranës, që jo vetëm e kanë respektuar këtë zgjedhje timen, por përkundrazi kanë parë te kjo zgjedhje e imja seriozitetin në respektimin e një kontrate.

Si mund të jetë Kryeministër i mirë një njeri që nuk është politikan? Është njësoj si të them që do të bëj një emision të mirë, pa qenë gazetar.

Nuk është e njëjta gjë, sepse politika është edhe profesion, por nuk është vetëm profesion dhe nga niveli shumë modest i pozicionit tim dhe në shkallën shumë modeste të raportit tonë me botën, më lejoni të them që një nga presidentët më të mëdhenj të Amerikës, i cili quhej Ronald Regan, ishte presidenti që e filloi dhe e mbylli qenien e tij në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i qytetarëve që refuzoi të pranonte se ishte politikan.

Pse nuk përfshitë në listat e kandidatëve politikanë si: Fatos Nano, Musa Ulqani, Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Shkëlqim Cani etj.?

Së pari, janë njerëz të ndryshëm dhe arsyet janë të ndryshme. Unë do të shprehja këtu respektin dhe mirënjohjen time më të thellë për këta njerëz përgjithësisht, për gjithçka që kanë bërë dhe për gjithçka kanë dhënë. Por, ndërkohë, siç e kam thënë dhe e përsëris edhe këtu, listat e deputetëve nuk janë lista që ndërtohen mbi bazën e kontributeve në të shkuarën, por janë lista që ndërtohen mbi bazën e angazhimit për të nesërmen. Por, ritheksoj, nuk përjashtoj në asnjë mënyrë, por përkundrazi e konsideroj absolutisht të rëndësishëm për shoqërinë tonë kontributin që vazhdon të japë Presidenti Mejdani, kontributin që kanë dhënë për Parlamentin e Shqipërisë Musa Ulqini, Ylli Bufi, apo kontributin për të cilin i jam mirënjohës Shkëlqim Canit si një nga njerëzit që asistuan me shumë dashamirësi dhe me shumë profesionalizëm në shkrimin e programit tonë të ri.

Harruat vetëm Fatos Nanon...

Lidhur me zotin Nano, unë besoj se arsyeja është më se e qartë për të gjithë qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi. Ne kemi nevojë për deputetë dhe deputete që të kryejnë detyrën karshi atyre që i votojnë 24 orë në 24, 4 vjet me radhë.

Një nga pyetjet që gjithmonë vërtitet është se sa mandate do të marrë Poli i Lirisë, PD, LSI? A do të arrini ta bëni të vetëm qeverinë më 28 qershor?

Jo të vetëm. Me koalicionin tonë ne do të kemi autonominë qeverisëse.

Nëse ju si kryetar i PS-së dhe koalicioni që ju drejtoni nuk arrini t‘i merrni 71 votat për të krijuar qeverinë, a do të pranonit të bënit aleancë me LSI-në dhe koalicionin e saj?

Sot ne jemi në një betejë për t‘i dhënë Shqipërisë një qeveri, e cila do të realizojë angazhimet që ne po marrim. Të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret që duan ndryshimin, që besojnë te ndryshimi, që dëshirojnë të bëhen pjesë e ndryshimit, që kanë vullnet për të riorganizuar shtetin dhe Shqipërinë, duhet që votën e tyre ta vendosin te kutia ku shkruhet PS, Edi Rama. Kjo, sepse çdo votë që shkon në drejtime të tjera, është një votë në drejtimin tanimë të ditur, të politikës së vjetër të këtyre 18 viteve. Në rast se duan një Parlament, i cili të ketë një mazhorancë që të bëjë ligje të mira dhe të marrë vendime të drejta për ta, nuk duhet t‘u japin mundësinë forcave të tjera që ta mbajnë Parlamentin peng.

A do jepni dorëheqjen nga kryetar bashkie, nëse do të bëheni Kryeministër?

Besoj që kjo është pjesë e rrugës që kam nisur. Pra, në rast se qytetarët dhe qytetaret e Tiranës do të vendosin që unë të jem Kryeministri i tyre, atëherë patjetër do të na duhet që të mendojmë së bashku për një zgjedhje të re, për Bashkinë e Tiranës. E kam thënë në vijimësi, por gjithmonë është krijuar si ekuivok, ndoshta me dëshirën e mirë për të bërë lajm.

Nëse humbni, a do ta jepni dorëheqjen nga kryetari i PS-së dhe a do të vazhdoni deri më 2011-ën të jeni kryetar i Bashkisë së Tiranës? Kush do t‘ju mbështesë politikisht?

Nuk i hyj fare këtij diskutimi se çfarë do të ndodhë më pas. Thjesht është e qartë që e kam thënë dhe e përsëris. Unë nuk jam politikan, jam një qytetar në një mision. Pjesë e këtij misioni është kjo mundësi që unë u jap njerëzve, duke iu ofruar të gjitha energjitë, idetë dhe vullnetin tim për të qenë në dispozicion të tyre. Në rast se njerëzit do ta refuzojnë këtë, pa asnjë dyshim unë nuk kam arsye që të mos i krijoj mundësinë PS-së t‘u japë njerëzve një mundësi të re.

Çfarë raporti do të keni pas kësaj mundësie të re që ju do t‘i jepni PS-së, që të ketë një kryetar të ri?

Atë që kam pasur gjithmonë, raportin e një qytetari të angazhuar. Por, sigurisht, misioni im ridimensionohet. (Marrë me shkurtime nga "Oranews.tv")
Shtuar më 19/06/2009, ora 18:08
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori