Do mbetemi jashtë? A është gati Bashkimi Evropian për zgjerimin e mëtejshëm?

Carnegie Europe

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pushtimi rus i Ukrainës e ka shndërruar në një detyrim gjeopolitik zgjerimin e BE-së. Por ekspertët thonë se mund të nevojiten reforma të brendshme përpara se unioni të mund të integrojë në gjirin e tij anëtarë të rinj.

Dimitar Bechev, bashkëpunëtor i think-tankut “Carnegie Europe”:

Zgjerimi mbetet politika e jashtme kryesore e BE-së, por kjo e fundit është gjithnjë e më pak e gatshme që ta ndjekë atë. Pavarësisht nxitjes që krijoi lufta e Rusisë në Ukrainë, unioni nuk është në gjendje të pranojë anëtarë të tjerë nga Ballkani Perëndimor, e lëre më pastaj nga Evropa Lindore.

Po ashtu, asnjë vend kandidat nuk duket se është i përgatitur të përputhet me kriteret e anëtarësimit të BE-së apo të japë garanci se nuk do të ketë asnjë degradim të demokracisë, si ai që po shihet në Hungari dhe Poloni, sapo të arrihet anëtarësimi.

Mali i Zi, që po negocion që nga viti 2012, është ndoshta në pozitën më të mirë për t’u bashkuar me unionin. Me përjashtim të ndonjë të papriture, vendi i vogël ballkanik mund të hyjë në BE në fund të kësaj dekade. Por është e vështirë të parashikohet që një vend tjetër i Ballkanit Perëndimor të ndjekë të njëjtën rrugë.

Sigurisht Serbia, e cila duhet të zgjidhë fillimisht mosmarrëveshjen e Kosovës dhe t’i nënshtrohet një procesi të ri-demokratizimit radikal, i cili mund të jetë një pengesë edhe më e madhe. Një zgjerim “gjeopolitik” me Ukrainën nuk ka gjasa të ndodhë për sa kohë që atje vazhdon lufta.

Në rrethana të tilla, shpresa më e mirë që kemi, është që BE-ja të ecë përpara duke e thelluar integrimin në nivel sektorial, sidomos në çështje të tilla si energjia dhe klima, shërbimet dhe tranzicioni dixhital. Një model i tillë, do të sjellë disa përfitime ekonomike për të gjitha palët pa i rritur shumë pritshmëritë dhe pa rrezikuar një rënie të madhe të standarteve.

Kinga Brudzinska, studiuese në Institutin për Rajonin e Danubit dhe Evropën Qendrore me seli në Vjenë, Austri:

Do ishte mirë të jetë gati. Në rast se Evropa dëshiron të jetë një lojtare me peshë në skenën globale, BE-ja nuk ka zgjidhje tjetër veçse të rritet. Politika e zgjerimit ka qenë shumë pozitive për unionin gjatë viteve. Këtë e shohin edhe qytetarët e BE-së.

Mesatarisht më shumë njerëz janë sot në favor të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së (52 për qind) sesa kundër tij (38 për qind). Ndërkohë 4 vite më parë, qëndrimet ishin të kundërta: 45 për qind ishin kundër dhe 43 për qind pro. Sigurisht, djalli fshihet tek detajet.

Edhe një nga vendet më entuziaste për zgjerimin, si Polonia, e ka të vështirë të përballet me pasojat e mirëseardhjes së Ukrainës në klubin evropian, madje edhe para se procesi të ketë filluar realisht. Që të ndodhë zgjerimi i ardhshëm, duhet të jetë gati si BE-ja po ashtu edhe fqinjët e saj.

Sot, asnjëra palë nuk është gati. Arkitektura institucionale e BE-së është e rëndë dhe ka nevojë për rregullime. Siç vërejtën me të drejtë disa kritikë pas vitit 2004, Komisioni Evropian kishte më shumë anëtarë sesa punë serioze. Po kështu, politikë-bërësit nuk po tregojnë oreks për ndryshime traktatesh.

Për më tepër, BE-ja duhet të rregullojë shtëpinë e saj kur bëhet fjalë për respektimin e shtetit të së drejtës. Së fundmi ne kemi nevojë për një ndryshim mendor. Mund të jetë edhe thjesht semantike, por nëse Evropa Qendrore dhe Lindore, quhen si “anëtarë të rinj” pas 19 vitesh nga anëtarësimi, atëherë duhet të presim që ata të “rriten” përpara se të mirëpresim të rinjtë.

Federico Fabbrini, profesor i së drejtës së BE-së në Universitetin e Dublinit, Irlandë:

Në rast se zhvillimet gjeostrategjike, dhe sidomos Lufta në Ukrainë, nxisin një tërheqje të papërmbajtshme drejt një tjetër zgjerimi të madh drejt lindjes së Bashkimit Evropian, vetë BE-ja nuk është gati që ta menaxhojë këtë proces. Nga pikëpamja institucionale, vendimmarrja varet shumë nga votimi në unanimitet.

Dhe nëse kompromisi për shumë gjëra midis 27 vendeve anëtare ka qenë shpesh herë shumë e vështirë, edhe për shkak të përdorimit të vetos nga vende si Hungaria, rritja e numrit të shteteve anëtare vetëm sa do t’i përkeqësojë gjërat. Për më tepër, nga pikëpamja financiare, BE-ja ka ende një kapacitet fiskal të kufizuar.

Gjithsesi, nëse me këmbënguljen e disa vendeve – si Gjermania – eksperimenti i emetimit të borxhit të përbashkët si ajo me “Next Generation” ka përfunduar, është e paqartë se si BE-ja do të përballonte kostot e mëdha të rindërtimit të Ukrainës dhe integrimit të saj por edhe vendeve të tjera fqinje në tregun e përbashkët.

Konferenca mbi të Ardhmen e Evropës e majit 2022, i identifikoi shumë saktë këto probleme dhe bëri thirrje për reforma që duhet të rrisin efektivitetin institucional të BE-së dhe zgjerojnë fuqinë e saj financiare. Deri më tani, vetëm Parlamenti Evropian ka qenë aktiv në nxitjen e zbatimit të këtyre rekomandimeve nëpërmjet ndryshimeve të traktateve.

Thelbi i problemi është se shumica e shteteve anëtare, me përjashtime të dukshme si Franca, e kundërshtojnë idenë e reformave kushtetuese. Megjithatë, më shumë sesa në lëvizjet e mëparshme të historisë së integrimit evropian, thellimi i integrimit duhet t’i paraprijë zgjerimit të unionit. 

Denis Macshane, ish-Ministëri Evropës në Mbretërinë e Bashkuar:

Po, BE-ja mund dhe duhet që të pranojë përgjegjësitë e saj. Fillojeni me Ballkanin Perëndimor, ku Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara i dhanë fund një dekade masakrash dhe spastrimesh etnike nga serbët në vitin 1999.

Njëzet e katër vjet më vonë, asnjë nga vendete vogla të rajonit nuk është lejuar të anëtarësohet në BE. Përpjekjet e fundit të kota të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për ta larguar Serbinë nga të qenit një kukull e Putinit sapo kanë dështuar.

Kur u bashkua me Komunitetin Ekonomik Evropian në vitin 1981, Greqia konsiderohej një vendi varfër, i korruptuar dhe në konflikt me Turqinë. Sot, BE-ja mund të pranojë lehtësisht në gjirin e saj Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Përndryshe, ato do të mbeten peng i Komunitetit Politik Evropian të presidentit francez Emmanuel Macron dhe do të harrohen në “kalendat greke”. Ukraina ka nevojë për një marrëveshje të veçantë, pasi fermerët në Evropën Lindore do t’i detyrojnë politikanët të vendosin veton.

Gjeorgjia duhet të ndalojë së përndjekuri Saakashvilin. Edhe Moldavia mund të hyjë në BE, ashtu si Qipro. EEAS dhe tre përfaqësuesit e saj të lartë kanë bërë më të mirën. Tani ajo ka nevojë për udhëheqje të qeverisë kombëtare veçanërisht për t’i dhënë fund idiotizmit surreal në Athinë, Bratislavë, Bukuresht dhe Madrid se Kosova nuk ekziston.

“Zgjerimi” perceptohet si një fjalë e keqe. Në fakt ai do ta bëjë Evropën më të plotë, më të lirë dhe më demokratike. Të presësh për momentin perfekt është si të presësh Godonë. Ndaj unë them që BE duhet ta nisë valën e re të zgjerimit me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe më pas të vazhdohet një e nga një më të tjerët.

George Pagoulatos, drejtor i përgjithshëm i Fondacionit Helen për Politikën Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP):

BE-ja duhet të përmbushë angazhimet e saj ndaj vendeve kandidate. Disa vende, si ato në Ballkanin Perëndimor, kanë qenë në paradhomë për një kohë shumë të gjatë. Dhe disa, si për shembull Maqedonia e Veriut, kanë kryer lëvizje shumë të guximshme për të fituar anëtarësimin.

Rreziqet e shtyrjes së procesit në këtë rajon janë shumë të mëdha, si për sa i përket besueshmërisë së BE-së por edhe lënies së këtyre vendeve të cënueshme që të bien pre e  ndikimit të fuqive të treta si Rusia, Turqia apo Kina. Megjithatë, përmbushja e kritereve të anëtarësimit duhet të jetë reale dhe e qëndrueshme.

Pyetja nuk është nëse zgjerimi mund të jetë i padëshirueshëm për disa shtete anëtare, por si të sigurohemi që zgjerimi të mos e dëmtojë unitetin dhe kohezionin e BE-së, dhe që ai t’i shërbejë një bashkimi më të thellë dhe një Evrope më të fuqishme në botë.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán përbën një shembull se si çdo anëtar i keq-përshtatur mund të minojë unitetin e BE-së dhe ambicien e saj për të folur me një zë. Ne duhet të sigurohemi që zgjerimi të paraprihet nga thellimi i aftësisë për të marrë vendime të përbashkëta, sidomos në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes.

Për këtë arsye, BE-ja nuk është ende gati, dhe as të gjitha vendet kandidate. Një integrim i shkallëzuar, duke e lidhur qasjen me evropianizimin më të ngushtë të BE-së, është një mënyrë shumë pragmatike për të mbajtur vrullin e zgjerimit dhe reformave. /albeu.com


Shtuar 9.05.2023 10:01