Rama në Rrëshen: Nderojmë ata që dhanë jetën për çlirim
70-vjetori i çlirimit të Mirditës është përkujtuar sot në qytetin e Rrëshenit, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, Ministri i Mirëqenies sociale dhe Rinisë Erion Veliaj.

Fillimisht, Kryeministri inspektoi nga afër një sërë projektesh dhe ndërhyrjesh infrastrukturore të realizuara nga Bashkia e Rrëshenit, të cilat do t’u dhurojnë banorëve të tij më shumë lehtësi dhe komoditet në lëvizje dhe komunikimin mes tyre.

Vetëm me fonde të Bashkisë së Rrëshenit në hyrje të qytetit janë ndërtuar trotuaret e qytetit, si dhe një rrugë me dy kalime, e cila do të ketë trotuare në të dy anët e saj, me pemë dekorative dhe ndriçim.

Janë në funksion të qytetarëve edhe 8 lulishte me trotuare, ndriçim dhe stola, si dhe janë rikonstruktuar fasadat e 8 pallateve. Ndër të tjera janë sistemuar hapësirat mes pallateve, dhe janë vendosur në këto hapësira rreth 200 stola, si dhe janë mbjellë në tërësi më shumë se 1500 pemë dhe bimë dekorative.

Kryetari i Bashkisë së Rrëshenit Ndue Kola sqaroi se të gjitha investimet e bëra i kanë kthyer frymëmarrjen qytetit. Ndërkohë që një fond prej 80 milion lekësh është akorduar për Unazën e Qytetit.

"Ne jemi këtu për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre që vunë jetën në themelet e lirisë se kësaj zone por edhe për të përcjellë në gjithë këtë zone mesazhin e një rilindjeje që ka nisur përmes një sërë projektesh që tanimë janë përfunduar apo janë rrugës dhe projekte të tjera që kemi diskutuar sot me kryetarin e bashkisë, që do të vijojnë në funksion të transformimit në radhë të parë të infrastrukturës shkollore duke vendosur si pikë referimin gjimnazin e Rrëshenit dhe pastaj për tu shtrirë më tutje, por edhe të jetës kulturore dhe sportive", tha Rama.

Ndërsa kryebashkiaku i Rrëshenit, Ndue Kola ka deklaruar se "Ne kemi bërë disa punë por puna më e madhe është vlerësimi që na ka bërë qeveria, Kryeministri Edi Rama, duke na akorduar një fond të konsiderueshëm për Unazën e qytetit, krejt e shkatërruar".

Në varrezat e Dëshmorëve të Mirditës janë vënë kurora me lule, dhe është zhvilluar ceremoniali në përkujtim të të rënëve të kësaj zone.

Ndërkohë, festa tradicionale që Mirdita ia dedikon çdo vit ditës së çlirimit, mblodhi në qendër të qytetit veteranë, qytetarë, të rinj e të reja, përfaqësues të pushtetit vendor, dhe shumë të ftuar të tjerë. /albeu.com/
Shtuar më 26/10/2014, ora 15:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori