Rama ne Greqi, premtime per emigrantet
Albeu.com
Kryetari i Partisë Socialiste ka qenë në Veri-Perëndim të Greqisë aty ku ka një përqendrim të lartë shqiptarësh që kanë emigruar, e jetojnë e punojnë në tokën greke.Rama është ndalur dhe në takime me autoritet greke atje ku ka takuar kryetaren bashkisë së Volosit dhe prefektin e qarkut, si dhe deputetë të rajonit Volos. Rama ka falënderuar autoritet atje për ndihmën që u japin shqiptarëve për integrimin e tyre në Greqi.

Në një takim me emigrantët në Trikala, Edi Rama ka premtuar se PS në qeverisje do të bëjë më shumë për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe përmes një kanali të dytë të televizionit publik në gjuhën shqipe. Rama ka zhvilluar një tjetër takim masiv në Veria ku ka folur për shërbime konsullore dhe ambasada në shërbim të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, Itali e gjetkë. Kreu i PS ka premtuar shërbime në ambasada sipas standardeve evropiane, ku dinjiteti i emigrantit nuk do të nëpërkëmbet më.

“Marrëveshje dypalëshe mes Greqisë, Italisë e Shqipërisë për njohjen e periudhës së sigurimeve, për efekt pensioni- ka qenë një tjetër premtim që Edi Rama u ka bërë shqiptarëve që punojnë jashtë atdheut nga Greqia. Kryesocialisti u ka bërë thirrje shqiptarëve të vijnë në atdhe në 28 qershor e të japin kontributin e tyre për të ardhmen, duke u premtuar se kjo është hera e fundit që ata do të jenë të detyruar ta bëjnë këtë, pasi qeverisja e PS e pas 28 qershorit do të miratojë në Kuvendin e ri një Projektligj për votën e emigrantëve.

“Ne nuk ju premtojmë, por angazhohemi që duke i dhënë fund ecejakeve tuaja dhe radhëve të pafundme në kufij për të marrë një copë letër këtu dhe një copë letër atje. Duke i dhënë më në fund mundësinë çdo kujt prej jush që të hyjë dhe të dalë nga Shqipëria sa herë të dojë”-theksoi Rama.
Shtuar më 26/05/2009, ora 03:24
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori