Rama në Beograd: Kosova e pavarur, më shumë stabilitet
Albeu.com
“Kjo konferencë është mbledhur në një moment shumë të rëndësishëm për rajonin tonë që përkon me përcaktimin e statusit të Kosovës. Partia Socialiste e Shqipërisë mbështet paketën Ahtisari dhe është në pritje të një vendimi, i cili do të sjellë më shumë stabilitet dhe begati në rajon, si dhe do të rrisë bashkëpunimin rajonal”.Kjo ishte deklarata e Kryetarit të PSSH, Z. Edi Rama, mbajtur gjatë konferencës së Partisë Socialiste Europiane që po zhvillohet në Kryeqytetin e Serbisë, Beograd me temë “Ballkani Perendimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian”. Z. Rama shoqërohej në këtë konferencë nga Sekretarja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Znj. Arta Dade.

Duke iu referuar integrimit rajonal dhe sfidave të përbashkëta për integrimin e ballkanit perendimor në Bashkimin Evropian, Z. Rama theksoi se: “bashkëpunimi rajonal është sot një vektor shumë i rëndësishëm i diplomacive rajonale. Shqipëria ka ofruar prej kohësh vullnetin dhe kontributin e saj, për ndërtimin e një familjeje të madhe të të gjitha vendeve të rajonit. Pjesëmarrja në nismat rajonale, adoptimi i instrumenteve që rrjedhin nga marrëveshjet me Bashkimin Evropian për lëvizjen e lirë dhe heqjen e barrierave doganore, janë vetëm disa nga drejtimet, në të cilat është fokusuar energjia dhe kapacitetet tona, me synimin e përshpejtimit të procesit të afrimit mes vendeve tona.

Duke qenë të ndërgjegjshëm se bashkëpunimi mes nesh është hapi i parë që sjell natyrshëm bashkëpunimin dhe afrimin me BE-në, më lejoni të shpreh vullnetin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, për të influencuar me të gjitha mjetet e mundshme për nje rol aktiv të Shqipërisë në rajon dhe një angazhim serioz të saj për t’i dhënë permasa konkrete këtij bashkëpunimi me vendet fqinje”.

Gjatë kësaj konference merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të partive të majta pjestare në Internacionalen Socialiste dhe Partinë Socialiste Europiane. Z. Rama ka zhvilluar takime me Z. Hannes Swoboda dhe Z. Poul Nyrup Rasmussen, President i PES, Z. Boris Tadic, Presidentin e Serbisë si dhe personalitete të tjera të së majtës evropiane.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e partive të majta evropiane, kanë nënshkruar “Paktin Ballkanik për Socialdemokracinë, Integrimin Evropian dhe Bashkëpunimin Rajonal” me qëllim bashkërendimin e përpjekjeve të përbashkëta për të nxitur integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Evropian si dhe për të zhvilluar socialdemokracinë dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkan. start
Shtuar më 17/05/2007, ora 10:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori