Rama merr mandatin e tretë? Majko: Kemi marrë 3 goditje por opozita nuk na frikëson
Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko tha se qeveria duhet të mendojë edhe për mandatin e tretë, ndërsa shtoi se shoqëria shqiptare është ajo që do të vendosë nëse pala tjetër është apo jo gati.

“Identifikimi biometrik apo teknologjia besoj që nuk lë vend të thotë që PS po fut, 50 mijë apo 100 mijë nëpërmjet sistemit… Propozimet për ndryshimet e Kodit Zgjedhor i kam depozituar me firmën time. Gjithë ambiguiteti i mazhorancës në këtë drejtim është marrëveshja me opozitën.

Dhe ambiguiteti ka të bëjë me faktin që kemi dy opozita përballë njëra që kërkon ndryshime me Kushtetutën dhe tjetra që kërkon të forcojë pozitat e autokontrollit brenda sistemit ekzistues”, u shpreh ish-kryeministri socialist.

Në 30 vite plurarizëm, nuk ka mundur asnjë parti që të sigurojë tre mandate radhazi deri tani.

“Për momentin palët nuk po bëjnë veprime të jashtëzakonshme për organizimin e fushatës, nuk kemi hyrë në zonën gri”, tha ai.

Majko i ftuar në studion e “ABC News” duke qenë optimist për një mandat të tretë nga ana e socialistëve ka folur edhe për votën e emigrantëve. Gjithashtu ai komentoi edhe zgjedhjet e ardhshme.

"Në Shqipëri si rregull humbet qeveria. Unë mendoj që shoqëria shqiptare ka një sy dhe një vesh që shikon se nëse është gati pala tjetër apo jo. Në pikëpamjen e palës tjetër ne e kemi të detyrueshme të mendojmë për mandatin e tretë", tha Majko.

Më tej Majko tha se në politikë nuk të bën posti administrativ, por sipas tij rikthimi i figurave të ndryshme në PS nuk do të thotë se po dështojnë ata në qeveri.

“Mos të harrojmë që kjo qeveri ka marrë tre goditje. Në kushtet e tre tërmeteve dhe një covidi, sigurisht ka pakënaqësi, kjo është një krizë e pritshme. Shpresoj që njerëzit kur të shkojnë të kutia e votimit të vlerësojnë detaje që kanë të bëjnë me një menaxhim më specifik të jetës, për atë që po vjen. Besoj që nga pikëpamja elektorale do të jetë një situatë goxha e komplikuar, besoj që PD e ka marrë mësimin e saj”, theksoi ai.

Majko deklaroi se procesi i votës së Diasporës është një çështje që duhet diskutuar nga ekspertët.

“Ne do të ndjekim modelet funksionale, me shprehje vullneti. Me këtë proces duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos fillojmë të kërkojmë qimen në kashtë.

Kjo do të jetë një çështje që duhet diskutuar nga ekspertët. Kam thënë që ky është një tagër i komisionit të Reformës Zgjedhore. Sot jemi në një situatë të paprecedentë. Duhet gjetur një diskutim i ndërmjetëm", tha ai.

Mbi mundësimin e votës së emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme, Pandeli Majko shtoi se beson që kjo do të realizohet, edhe pse "jemi në afatin fundit të shtrëngimit të numërimit mbrapsht të kohës.

Jemi në kohë të shtrënguar, por nuk jemi vonë", theksoi ai. "Na ndihmon një fakt që përveç ligjit të regjistrimit të adresave kemi edhe përmbushjen e fatit 10-vjeçar të përdorimit të pasaportave dhe kartave të identitetit", shtoi Majko.

"Jemi në proces të ripërtëritjes së kartës së identitetit dhe pasaportës. Jemi në kushtet që mund të rregullojmë edhe në ndonjë gabim që mund të jetë bërë në regjistrimin e parë. Kjo histori do ketë ndarjen e shtetasve jashtë vendit dhe brenda vendit. Opozita fitoi çështjen e trajtimit biometrik”, u shpreh ministri për Diasporën.
Shtuar më 23/06/2020, ora 20:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori