Rama: Me djegien e fletëvotimeve, Berisha faktoi vjedhjen
Edi Rama
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe mazhoranca kanë qenë në shenjestër të kreut të opozitës Edi Rama i cili i quajti lëvizjet më të fundit të kryeministrit, si simbol të faktit se zgjedhjet e 28 qershorit janë manipuluar, çka sipas tij është konfirmuar edhe nga refuzimi i Berishës për të lejuar transparencën.

Në takimin me gauetarët Rama mes tjerash tha:
"Tha një vit rresht s’do djeg fletët, mori vendim për t’i djegur. Tha një vit rresht jam gati të hetojmë materialet zgjedhore, mori vendim për të ndaluar hetimin. Tha një vit rresht mund t’i merrni listat e zgjedhësve në arkiv, mbrëmë vendosi t’i burgosë në arkiv për 25 vjet. Por, kujdes! Në kod kemi shkruar bashkërisht se pa kundërfirmën e përfaqësuesit të opozitës në KQZ, zëvendës kryetarit të KQZ, çdo akt i KQZ që mban vetëm firmën e kryetarit të vet është i pavlefshëm. Nëse edhe ky akt final i vetëdemaskimit të Saliut si kusar votash hyn forcërisht në fuqi, jo vetëm prania e opozitës në KQZ-në e dhunuar nga një lolo i Saliut humbet çdo kuptim, por edhe veprimi opozitar merr një përmasë edhe më të kushtëzuar nga pesha e dhunës së paligjshme qeveritare".

“Në kod kemi shkruar bashkarisht se pa firmën e përfaqësuesit të opozitës në KQZ, zëvendëskryetarit të KQZ-së, çdo akt që përmban vetëm firmën e kryetarit është i pavlefshëm. Nëse edhe ky akt final i vetëdemaskimit të Saliut si kusar votash hyn forcërisht në fuqi, jo vetëm prania e opozitës në KQZ-në e dhunuar nga një lolo i Saliut, humbet çdo kuptim, por edhe veprimi opozitar merr një përmasë më të kushtëzuar nga pesha e dhunës së paligjshme qeveritare”, është shprehur Rama.

Ai bëri të ditur se Partia Socialiste do të vijojë proçedurat për shkarkimin e kryetares së kuvendit Jozefina Topalli, e bërë pergjegjëse sipas tij drejtëpërdrejtë edhe në raportin e Komisionit Europian në drejtim të keqpërdorjes se institucionit të kuvendit.

“Ne do ta çojmë përpara siç e kishim paralajmëruar nismën për shkarkimin e kryetares së kuvendit, pavarësisht numrave që sot për sot e bëjnë të pamundur një gjë të tillë aritmetikisht. Kjo nismë do të vlejë për të konsumuar çdo mundësi demokratike të opozitës parlamentare në rrugën e përpjekjes tonë për normalizimin e jetës së parlamentit që kushtëzohet nga sjellja primitive dhe kultura shumë e mangët e zonjës Jozefinë”, tha Rama.

Kreu i Partisë Socialiste tha se opozita nuk do të frenojë edhe përsa i përket protestave të cilat do të vazhdojnë me intensitet në emër të asaj që zoti Rama e quajti betejë për rikthimin e demokracisë.

“Ne do të vazhdojmë me të gjitha energjitë që ta mundësojmë largimin e kësaj qeverie. Nga transparenca e veprimtarisë korruptive tek protestat dhe deri tek zgjedhjet që nuk do të lejojmë që të jenë përsëritja e krimit elektoral të 28 qershorit 2009”, theksoi Rama.

Kreu socialist foli edhe për aferat korruptive të ministrave të qeverisë, duke u ndalur në rastin e ministrit Genc Ruli, çështjet në ngarkim të të cilit tashmë janë evidente dhe kërkoi vënien menjëherë në lëvizje të Prokurorisë.
Shtuar më 07/01/2011, ora 20:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori