Rama: Mbështetje për prokurorinë për të kryer deri në fund punën e nisur
Pëlqej
Pas arrestimit një ditë më parë të Guvernatorit Fullani, vjen edhe reagimi i parë i kryeministrit Rama, i cili thuhet se ka nisur kontaktet për të diskutuar mbi situatën e krijuar.

Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit, sipas së cilës që herët në mëngjes Rama ka patur një sërë telefonatash me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë të qeverisë dhe me pas një takim me përfaqësuesit e FMN, të cilët i ka garantuar se qeveria është e gatshme të mbështesë prokurorinë e drejtësinë që të çojë deri në fund punën e nisur si dhe të garantojë pavarësinë e BSH, e kapërcimin e kësja situate.

“Mbështetja për prokurorinë e drejtësinë për të kryer deri në fund punën e nisur dhe garantimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë për të kapërcyer situatën me autoritet të plotë moral e profesional duhet të jenë dy pika të palëvizshme referimi për qeverinë në trajtimin e këtij problemi madhor”, citohet të jetë shprehur Rama.

Rama ka thënë ndër të tjera se, “Kryeminsitri e qeveria në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin do të ndërmarrin me përgjegjshmëri të lartë morale e përgjegjësi të plotë ligjore të gjithë hapat e nevojshëm që Banka e Shqipërisë të dalë më e fortë moralisht, më e sigurit institucionalisht, më transparente administrativisht dhe padyshim më e pavarur, nga një situatë si kjo që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen”.

“Kryeministri Edi Rama dëshiron të shprehë respektin dhe mbështetjen e qeverisë të gjithë teknicienëve të Bankës së Shqipërisë, aftësitë e spikatura dhe puna e përkushtuar e të cilëve janë një bazë shumë e sigurt për qëndrueshmërinë e padiskutueshme të institucionit, pavarësisht situatës së krijuar në majën e drejtimit të tij. Kontaktet e Kryeministrit do të vazhdojnë”, thuhet më tej në deklaratë.
Shtuar më 06/09/2014, ora 20:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori