Rama letër Berishës: Heto materialet zgjedhore
Pëlqej
Edi Rama
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zyrtarizon kërkesën për hetim të materialeve zgjedhore të 28 qershorit 2009 duke hequr dorë nga fletët e votimit. Selia rozë konfirmon se kryetari socialist i ka dërguar dje një letër zyrtare kryeministrit Sali Berisha, por nuk ka bërë publike përmbajtjen e saj.

Përmbajtja e letrës është publikuar sot në faqen online të Zërit të Amerikës seksioni në gjuhën shqipe ku thuhet se zoti Rama përsërit atë që e ka dhënë disa herë publikisht se “për hir të kompromisit të domosdoshëm që duhet t’i japë fund krizës politike të vendit” ata nuk i kërkojnë “fletët e votimit për këtë hetim”.

Në krye të letrës, zoti Rama shprehet se oferta e re opozitës bëhet “në emër të interesave të vendit dhe në funksion të axhendës europiane”. Ndër të tjera në letër Rama, vazhdon voa, lë të kuptohet se pavarësisht qëndrimit që do të mbahet me to, nëse ruhen apo digjen, socialistët “nuk e kushtëzojnë marrëdhënien e mëtejshme me parlamentin me fatin e fletëve të votimit”.

Kryetari socialist rikonfirmon se me nisjen e procesit të hetimit, opozita është e gatshme të nisë dhe dialogun për reformën zgjedhore. Rama shkruan më tej se këtë ofertë e përmban propozimi që ai vetë disa javë më parë i dorëzoi kryeministrit Sali Berisha.

Letra i është dërguar për dijeni edhe presidentit të komisionit europian Hose Manuel Barozo, komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle dhe drejtuesve të grupimit të së djathtës e së majtës në Parlamentin Europian.
Shtuar më 23/11/2010, ora 09:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori