Rama lavdëron punët e Veliajt, kryebashkiaku: Do të ndërhyjmë në çdo lagje
Njësia Administrative Nr. 5 është një nga zonat ku Bashkia e Tiranës ka investuar në një sërë projektesh, të cilat e kanë transformuar tërësisht atë. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputetin e PS, Pandeli Majko dhe kryetarin e PS për Tiranën, Saimir Tahiri, zhvilluan një bashkëbisedim me banorë të kësaj njësie në zonën e njohur si “Pallati me Shigjeta”, në të cilën bashkia ka investuar për rehabilitimin e disa blloqeve të banimit.

Kryeministri Rama vlerësoi ndryshimet që ka pësuar e gjithë kjo zonë, ndërsa siguroi se falë fuqisë së votës, investimet do të shumëfishohen në vijim. I pyetur nga Rama për projektet e Bashkisë së Tiranës nëpër lagje, Veliaj deklaroi se çdo vit Bashkia e Tiranës ndërhyn në rehabilitimin e 50 blloqeve midis pallateve. Ai garantoi qytetarët se ky ritëm do të vijojë edhe në të ardhmen, duke ndërhyrë në çdo lagje dhe rrugicë të kryeqytetit. Kreu i Bashkisë u bëri thirrje qytetarëve që të zgjedhin administratorët e pallateve në mënyrë që të përfitojnë nga “Fondi për Komunitetin”, ku Bashkia siguron 50% të vlerës së investimit që banorët kërkojnë të investojnë për rregullimin e lagjeve të tyre.

Më pas, Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj inspektuan investimet e Bashkisë së Tiranës në këtë zonë, ku është ndërtuar edhe këndi i 16-të i lojërave për fëmijë, i cili e ka shndërruar të gjithë këtë hapësirë në një mjedis çlodhës për banorët, ndryshe nga më parë kur ishte e mbuluar nga balta dhe inertet.

Një tjetër investim i rëndësishëm është edhe ai për rikonstruksionin e rrugës së “Zallit”, duke zgjidhur përfundimisht problemin disa vjeçar të rreth 20 mijë banorëve të zonës së Selitës. Nga një rrugë me gropa, baltë, pluhur dhe ujëra të zeza, tashmë pas ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha apo edhe në sinjalistikë, ajo është shndërruar plotësisht. Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se ky investim integron edhe këtë pjesë informale të Tiranës me pjesën tjetër të qytetit, sa i përket infrastrukturës rrugore.

Një nga investimet më të rëndësishme në Njësinë 5 do të jetë ndërtimi i rrethrrotullimit në Rr. “Medar Shtylla”, i cili do t’i japë zgjidhje problemit të trafikut të kësaj nyje tepër të rëndësishme për zonën.

Kryeministri Edi Rama siguroi qytetarët se pavarësisht se janë kryer shumë investime, të tjera projekte edhe më të mëdha do të realizohen në vazhdim. “Me këto transformime që kanë ndodhur, kjo është për t’u thënë të gjithëve se s’keni parë gjë akoma, jo vetëm në këtë njësi, por edhe në çdo njësi tjetër”, tha Rama, duke theksuar rëndësinë që ka vota e 25 qershorit për të ndryshuar jetën e të gjithë qytetarëve.

Edhe kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin masivisht me votë kryeministrin Rama për një mandat të dytë. “Gjërat janë të lidhura, po nuk patëm një mandat të fortë, t’i harrojmë punët në Tiranë, sepse njerëzit e kanë të qartë që edhe për një shpronësim apo aplikim, jemi të lidhur me qeverinë qendrore”, përfundoi ai.

Në këtë zonë, Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë duke rikonstruktuar 7 segmente rrugore që shtrihen dhe kufizohen me Rr. “Sulejman Delvina” - ”Medar Shtylla” - ”Skënder Luarasi” - “Grigor Heba” - “Gjik Kuqali”, përfshirë edhe ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore, ndriçimin, sinjalistikën dhe gjelbërimin. Gjithashtu, ka nisur puna për një ndërhyrje të plotë në Rr. “Medar Shtylla” për zgjerimin e saj me gjerësi 15m me trotuare deri në 3m në të dyja anët, si dhe ndërtimin e rrethrrotullimit, për rregullimin e trafikut që krijohet në zonë.

Shtuar më 14/06/2017, ora 14:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori