Rama: Kriminalizim me ligj për shpifjet, qëndrimi ndaj Tahirit i turpshëm
Kryeministri Rama ka deklaruar se do të bëhet një ligj, që do të kriminalizojë shpifjet për shkak të detyrës, ligj që do të detyrojë individët në politikë të provojnë përballë gjykatës akuzat. Në të kundërt, ata do të dënohen sipas ligjit.

"Do të kërkoj me ligj kriminalizimin për shpifjet për shkak të detyrës, për akuzat e bëra nga një parti apo përfaqësues kur ato janë shqetësuese penalisht për opinionin publik, e me ligj do të sanksionojmë detyrimin e Prokurorisë për të vepruar menjëherë, për të hetuar mbi bazën faktike të një akuze, ku për shkak të detyrës, dikush akuzohet se ka kryer vepër të rëndë penale ose ka bashkëpunuar me krimin.

Në mars kam një gjyq personalisht me Palokën dhe Ristanin. I kam akuzuar për shpifje për shkak të detyrës, dhe ju kam sfiduar ti provoni para gjykatës akuzat tuaja për lidhjet e mia me kriminelë. Do i shkoj deri në fund, e nëse provoni sadopak nga tërë ato hatara që ju ka nxjerrë hapësira që e quani gojë, do jap dorëheqjen dhe do ti vihem në dorë drejtësisë. Në të kundërt, ju do të paguani çmimin e politikës së turpshme dhe shqiptarët do ta dinë nga një palë e tretë të vërtetën", deklaroi ai.

Ai e ka cilësuar si një qëndrim të faqezezshëm reagimin e Partisë Demokratike në lidhje me sulmin me eksploziv të bërë ndaj farmacisë së babait të Saimir Tahirit.

“Dje u vendosën tre bomba, një prej tyre në ambientet e familjarëve të ministrit të Brendshëm. Sollën tre pasoja kryesore: E para ishte një kërcënim i rëndë në adresë të ministrit të Brendshëm; Së dyti solli ankth dhe pasiguri tek njerëzit dhe së treti përcjellin energjitë negative të qenies njerëzore për të bërë lidhjen e policisë me krimin.

Cilitdo qofshin urdhëruesit dhe ekzekutuesit e familjes së ministrit së Brendshëm si dhe gjithë qytetarëve pa dallim, të cilët janë cenuar nga ky karshillëk, frymëzim dhe mbështetje për ta është bërë edhe politika e ditës dhe ky Kuvend me fyerje që kriminalizojnë Qeverinë. Reagimi i faqezesshëm i PD ndaj sulmeve me bomba”, ka thënë Rama.

“Deklaratat tuaja janë kulmimi i një fushate fyerjesh e shpifjesh ndaj ministrit të Brendshëm. Ato deklarata, për fatin e keq të këtij vendi, janë fundi i fillit të çdo arsyeje. As në faqet e kanunit të motshëm nuk ka gërmë të shkruar mbi bashkëjetesën e qenieve njerëzore që justifikojnë ato reagime aq të ulëta.

Ju nuk pritët as 4 orë të bënit sulmin ndaj atij që ishte objekt i terrorit. Unë jam bashkuar me shqiptarët që tregojnë me gisht drejtësinë si të akuzuarin numër një në vend, ndaj pandëshkueshmërisë së autorëve”, shtoi Rama.

Ai tha se opozita e sotme, Shqipërinë e antishtetit, përçarjes dhe përbaltjes deshi dhe atë bëri, e i'a la qeverisë së sotme ta kthejë në rrugën e drejtë e të zotit. “Ndaj kërkoni të përfitoni sot me të njëjtin epsh antishtet, duke na tundur gishtin për çdo plagë që e hapët ju. E bëtë krimin partner dhe e kthyet Shqipërinë në shënjestrën e drogës dhe trafiqeve.

Policinë e akuzuat për terrorizëm shtetëror. Sot po tundin gishtin ndaj ministrit të Brendshëm sikur personazhet famëkeq të rrugëve të krimit u lindën dhe u rritën këtë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë”, tha Rama.

Duke folur për energjinë elektrike, ai akuzoi PD-në se pasi e kthyen ÇEZ-in në një faqe të zezë të keqqeverisjes, sot i tundin gishtin qeverisë pse po vendos ligjshmërinë në xhunglën e tyre të qeverisjes. “Na akuzoni se u kemi falur çekëve që i sollët ju, 600 milionë euro. Latë konsumatorë të shumtë me një faturë të paligjshme në derë që nga 2008, faturë që ERE e cilësoi të paligjshme në 2010. E bëtë Shqipërinë një realitet të mos o zotshëm Afrikan, duke prerë pyjet e duke ngrënë çdo shtrat të lumit. Sot na tundni gishtin pse ndodhi përmbytja e ditëve të fundit. Nuk ishit ju që sajuat dhe propaganduat tezën karagjoze: “Ndërtimi është bereqet, nderto ku të mundesh, ndërtimi vjen mbrapa”. Jemi i vetmi vend i Europës që ndërton në shtratin e lumit në shekullin XX, që as të parët tanë nuk e bënin. Këtë e bëtë ju. Ndërtim në zonën e përmbytur, pa leje ndërtimi, për bereqet”, deklaroi ai. /albeu.com/
Shtuar më 12/02/2015, ora 13:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori