Rama: Kauzat e protestës?! Përralla, ndërkombëtarët po qeshin me ne (VIDEO)
Në këto momente po zhvillohet séance parlamentare ku fjalën e ka marrë kryeministri i vendit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij ai foli mbi protestën e opozitës duke e konsideruar qesharake dhe kauzat e saj si përralla të parealizueshme.

Rama në mënyrë indirekte i ktheu përgjigje edhe Ben Blushit i cili gjatë parlamentit e akuzoi PS dhe PD se kanë të njëjtin qëllim proteste pavarësisht se janë në vite të ndryshme.

Kryeministri kësaj akuze iu përgjigje duke deklaruar se në vitin 2010 opozita e asaj kohe protestonte vetëm për t’u ulur në tavolinë, ndërsa opozita e sotme ka dalë nga Kuvendi dhe nuk pranon të diskutojë.

“Si mund të përmirësosh zgjedhjet pa u ulur në tavolinë për zgjedhjet, nuk bëhet krahasim mes PS-PD, pasi ne kërkonim tavolinë për të hetuar një proces zgjedhor dhe ne kishim gjithë arsyet për të besuar se ishte një proces zgjedhor i korruptuar.

Ne e mbyllëm protestën kur u ulëm në tavolinë, ne e morëm atë që kërkonim me ligj, sot këto kërkojnë përralla. Sot mjafton një kërkesë për të hapur kutitë dhe hapen, dhe futja në ligj e atij neni ishte ajo që kërkonim. PD shkoi në KQZ dhe hapi gjithë kutitë e Shkodrës dhe Lezhës, a pati ndonjë numërim gabim aty? Jo, sepse nuk ka numërues që shkon në burg për ne apo për tjerët”-tha Rama.

Gjatë fjalës së tij ai gjithashtu tha se opozita duhet të kthehet në Kuvend për të diskutuar ligjin që ajo po kërkon, por duke shtuar që kërkesa e opozitës është e pamundur për faktin se nuk janë kushtet dhe koha.

Rama vazhdon fjalën duke thënë se ka qënë vetë PS ajo që ka kërkuar votimin elektronik por pas një projekti-pilot, Rama thotë se nuk ka funksionuar.

“Çfarë flasim këtu, si ka mundësi që opozita nuk është në tavolinë për të bërë ligjin që ajo do.

Pse duhet të bëjë Shqipëria një ushtrim që e ka bërë vetëm Estonia, pse duhet të bëjmë ne një votim që Gjermania e kishte po e hoqi si antikushtetues dhe kjo për shkak të ndërhyrjeve. Ne jemi gati nëse ndërkombëtarët e pranojnë.

Me ne qeshin ndërkombëtarët kur dëgjojnë këtë kërkesë. Ishim ne që e kërkuam në 2013 dhe u bë një projekt pilot që dështoi”,- përfundoi Rama./albeu.com/



Shtuar më 23/02/2017, ora 12:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori